English

Djali i Fatmir Xhindit, deputeti më i ri socialist i Kuvendit

Tiranë, 17 nëntor 2011, NOA Update – Deputeti më i ri i Kuvendit të Shqipërisë është i biri i deputetit socialist Fatmir Xhindi, i vrarë disa vite më parë në një atentat pranë shtëpisë së tij, që ende nuk është zbardhur përfundimisht.

24-vjeçari Aurel Xhindi pas betimit sot para Kryetares së Kuvendit në krye të seancës plenare, u ul në vendin e deputetit pranë grupit parlamentar socialist, në vend të deputetes Ermelinda Meksi, e cila u emërua pak ditë më parë, anëtare e Këshillit të Bordit të Bankës së Shqipërisë.

Seanca plenare po vijon tashmë me çështjet e rendit të ditës, ku pritet që të zyrtarizohet me kartonë edhe kompromisi i arritur në fillimjavë mes opozitës dhe mazhorancës. Kuvendi do të hedhë në votë sot Projektvendimin “Për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore” dhe dy projektligje, që kërkojnë 3/5 e votave, si ndryshimet në Kodin Hekurudhor dhe Kodin Ajror të Republikës, të cilët kaluan që të dy me konsensus në komisionin për veprimtaritë prodhuese, tregtinë dhe mjedisin.

Po kështu gjatë seancës po diskutohet për t’u hedhur më pas në votim edhe projektligji me ndryshime “Për Bankat”.

Më parë u diskutua edhe projektligji “Për sigurinë e përgjithshme të produkteve joushqimore”.

Më tej pritet të votohet edhe plotësimi i vendeve vakante në institucione.

Në rend të ditës janë edhe dy interpelanca, njëra me ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto e kërkuar nga deputetja Arta Dade, dhe ajo me ministrin e METE-s, Nasip Naço, e kërkuar nga deputeti Eduart Shalsi.

mit/NOA

KOMENTE