English

Fondacioni Vodafone Albania mbështet edukimin mjedisor

Pogradec, 16 nëntor 2011, NOA- Në vijim të projekteve të shumta që Fondacioni Vodafone Albania mbështet, është dhe një projekt krejt i veçantë që jo vetëm jep edukim mjedisor për publikun, por nxit zhvillimin e qëndrueshëm dhe sjell përfitime të drejtpërdrejta për banorët e zonave ku ky projekt aplikohet. Bëhet fjalë për projektin Menaxhimi i qëndrueshëm i tokave serpentine në Komunën e Hudenisht (Pogradec).

Vlerësohet se zonat serpentine siç quhet shkencërisht zona e përfshirë në projekt, arrin deri në 10 për qind të sipërfaqes së vendit tonë. Tokat në zonën e Hudenishtit janë toka magneziale, të varfra me ushqyes (ose jo pjellore), të cilat natyralisht janë të pasura me metale të renda (Nikel, Kobalt, Krom) madje në nivelet toksike për jetën e gjallë. Projekti synon të ndihmojë me edukim mjedisor, farë, pleh, teknologji e rivegjetim të zonave të lëna djerr prej vitesh. Projekti është ndërmarrë nga Profesor ass. Dr Aida Bani (profesoreshë në Departamentin e Agromjedisit dhe Ekologjisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës) fituese e programit “Bota e Ndryshimit”2011, mbështetur nga Qendra Mjedisore EPER-Center.

Aida thotë se ajo shpreson që pas një viti çdo banor i kësaj komune të ketë përfituar diçka, qoftë dhe informacion me synimin që kjo zonë të jetë pikënisje për të tjera projekte të kësaj natyre në zonat e tjera të varfra (serpentine) si Kukës, Gramsh, Prrenjas, Burrel. Vetëm rreth 2 muajve që nga fillimi i projektit në zonën e Hudenishtit duket se rezultatet nuk kanë munguar të vijnë. Tashmë janë evidentuar fermerët që përballen me problemin e tokave serpentine dhe ka nisur punimi dhe kultivimi i këtyre tokave duke i ndihmuar fermerët me farë bimësh dhe plehra kimike.

a.y/NOA

KOMENTE