Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Këshilltarët e qarqeve dhe dy shqetësime që anulojnë lojën
English

Këshilltarët e qarqeve dhe dy shqetësime që anulojnë lojën

Nga Alfred Lela

Kur Enver Reçi, këshilltar i partizës së të majtës PSV ’91 në Bashkinë dhe këshillin e qarkut të Tiranës, shpallte vendimin për t’iu bashkuar kolegëve të koalicionit Aleanca për Qytetarin, ndoshta nuk e dinte se akti i tij do të shënonte më shumë se një rast të thjeshtë të kalimit në kampin tjetër politik. Më shumë se kaq, i tiji do të ishte rasti i parë i një orteku kalimesh që shpejt u kthye në precedent.

Pas Tiranës erdhi Berati, më pas Fieri dhe tani duket se diçka po lëviz edhe në Gjirokastër. Rastet nuk janë të ngjashme sa u takon shtysave personale të këshilltarëve që, pasi janë zgjedhur me vota të majta, vendosin t’u ndërrojnë drejtim për t’i kaluar djathtas, por mekanizmi duket dhe duhet të jetë i njëjtë. Ai vepron diku në qendër, ku u shpik edhe “kalthi i parë i Trojës” në formën e Enver Reçit dhe prej andej shtrihet edhe në qarqet e periferisë. Synimi është i qartë: shndërrimi në mazhorancë lokale aty ku është minorancë, i mazhorancës së dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009. Pra, i Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim bashkë me partitë e tjera të koalicionit qeverisës.

Sesi u investua qendra në kompozimin dhe shfrytëzimin e mundësive që koalicionet përkatëse të siguronin epërsinë në këshillat e qarqeve, u pa që në fillim në portretet hijerënda të deputetëve, ministrave dhe eksponentëve të lartë partiakë që zbritën në periferi bashkë me entourage-t përkatëse, sikur nëpër rrethe zgjedhjet vendore të vazhdonin ende. Gara, pas makthit të Tiranës, u zhvendos edhe njëherë, e ashpër dhe e pakompromis, nëpër bashkitë e rretheve, me qëllim kapjen e këshillave të qarqeve. Deri më tash duket qartë se pala triumfuese është ajo që ka edhe resurset më të forta financiare, por edhe mekanizma të tjerë aksesi të pushtetit apo favoret e tjera të vogla e të mëdha, sipas rastit. Po ta nisësh procesin e identifikimit nga trafiku i kalimit të këshilltarëve nga një krah në tjetrin, gjen se mazhoranca është gjithmonë pala e shtuar me këta funksionarë lokalë.

Identifikimi këtyre shenjave të përmendura më lart, kulmet e të cilave janë entourage-t e forta nga qendra dhe kalimet, që kanë gjithmonë të njëjtin kah, na çon në përfundimin se këmbimi i kampeve nuk është pasojë e natyrshme e ndërrimmendjes apo mosbindjes ideologjike, por një artific i krijuar në laboratorët e strategëve politikë në qendër.

Ky artific shoqëron dy shqetësime. I pari është ai që ka të bëjë me shtrembërimin e demokracisë përfaqësuese lokale. Që do të thotë anulimin e një vullneti politik, përkatësisht votës së dhënë majtas dhe trafikimit të saj djathtas. Shqetësimi i dytë është në fakt më i vogël se i pari, por vjen e bëhet i madh, sepse ka të bëjë me një përparësi kombëtare siç është integrimi europian i Shqipërisë. Kreu i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar dje se, nëse vazhdon trusnia e mazhorancës në këshillat e qarqeve, opozita do të rishikojë qëndrimin e saj në lidhje me votimin e ligjeve me 3/5-at. Këto dy shqetësime janë të mjaftueshme që akomodimi i këshilltarëve lokalë me favore të vogla apo shuma të mëdha që përfundon në trafikim politik duhet të ndalet.

Gazeta “Mapo”

KOMENTE