Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
“Kurban”, Edi Rama: Si i shoh Fatos Nanon dhe Sali Berishën
English

“Kurban”, Edi Rama: Si i shoh Fatos Nanon dhe Sali Berishën

Në këto pjesë të shkëputura nga libri “Kurban”, Edi Rama ndalet në konsideratat e tij për ish kryetarin socialist dhe ish-kryeministrin Fatos Nano dhe kreun e PD dhe kryeministrin aktual, Sali Berisha.

Z. Rama vlerëson se ai e ka të vështirë ta gjejë brenda familjes sonë politike ndonjë kritik më të ashpër se sa veten për qeverisjen e trishtueshme të Fatos Nanos pas katharsisit të shpifur.

Kurse nga ana tjetër thekson se e ka të pamundur të gjejë arsye “për të mos e parë e shprehur kontrastin që në fakt ekziston, gjithnjë e më i madh, mes dy keqqeverisjesh thelbësisht të ndryshme, mes arrogancës mendjelehtë të asaj keqqeverisjeje dhe harbutërisë dorërëndë të keqqeverisjes së Saliut, mes organizimit të çorganizuar të asaj keqqeverisjeje dhe çorganizimit të organizuar të keqqeverisjes së Saliut, mes pasojave jo të vogla të asaj keqqeverisjeje dhe dëmeve të pallogaritshme të keqqeverisjes së Saliut”.

Ndiqni për më shumë, pjesën e plotë në libër, që gjendet tek faqet 247 deri 250:

“….E kam të vështirë ta gjej brenda familjes sonë politike ndonjë kritik më të ashpër se sa veten për qeverisjen e trishtueshme të Fatos Nanos pas katharsisit të shpifur. Por e kam të pamundur të gjej arsye për të mos e parë e shprehur kontrastin që në fakt ekziston, gjithnjë e më i madh, mes dy keqqeverisjesh thelbësisht të ndryshme, mes arrogancës mendjelehtë të asaj keqqeverisjeje dhe harbutërisë dorërëndë të keqqeverisjes së Saliut, mes organizimit të çorganizuar të asaj keqqeverisjeje dhe çorganizimit të organizuar të keqqeverisjes së Saliut, mes pasojave jo të vogla të asaj keqqeverisjeje dhe dëmeve të pallogaritshme të keqqeverisjes së Saliut.

E, më e rëndësishmja, mes lirisë që, sidoqoftë, krijonte frymëmarrje edhe vetë brenda qeverisë e jo më jashtë saj gjatë keqqeverisjes së Fatosit, dhe mungesës asfiksuese të lirisë, jo në qeveri që as bëhet fjalë, po edhe shumëkund jashtë saj, përgjatë keqqeverisjes së Saliut që po mbyt Shqipërinë në borxhe, varfëri, papunësi, padituri, batakçillëk. Qeveria e Fatosit mblidhte urrejtje ngaqë s’dinte t’i bënte gjërat siç duhej, por s’mbillte urrejtje, sepse Fatosin e trullos mllefi hakmarrës po s’di të urrejë, ndërsa qeveria e Saliut mbledh urrejtje ngaqë i bën gjërat siç nuk duhet, po s’resht ndërkohë së mbjelli urrejtje, sepse të urrejë është gjëja që Saliu di të bëjë më mirë.

E gjithë historia e tij është një histori urrejtjeje, aspak e ngritur mbi ideologjinë, po vetëm mbi instinktin e zotërimit të pushtetit mbi të tjerët, jo duke i frymëzuar njerëzit ta ndjekin në rrugën e një të ardhmeje më të mirë, po duke i yshtur, me agjitacion vulgar e shpërblime korruptive, të urrejnë këdo që atij ia zë rrugën në ushtrimin e pushtetit dhe duke e sprovuar kësisoj shumë keq Shqipërinë njëzet vjet me radhë pas përmbysjes së komunizmit. (…)

Fatosi i frikej ligjit, Saliu e tremb ligjin. Fatosi ishte shtetndjekës edhe pse s’ishte shtetndërtues, Saliu shtetin e lidh pas vetes siç lidheshin të vrarët pas karrove të kondotierëve triumfatorë, sepse është shtetshkatërrues. Politikat e Fatosit s’dilnin jashtë hijes së shtetit edhe kur ceknin kufirin me antishtetin, politikat e Saliut shtetin e kthejnë në hije të tijën, sepse Saliu është antishteti që paraprin. E majta e Fatosit s’ishte e majtë, po hibrid mes së majtës e muhabetit për muhabet, siç ishte vetë Fatosi, e djathta e Saliut s’është e djathtë, po pjellë e flirtit mes komunizmit e bajraktarizmit, siç është Saliu vetë. Fatosi ishte në fund shiu, Saliu ishte qysh në fillim breshëri. Shqipërisë Fatosi ia punoi keq edhe për të keqen e vet, Saliu po ia punon si mos o Zot më keq, se veç oreksit të vet s’ka asnjë shtysë tjetër për të ndenjur në pushtet…”

LEXONI GJITHASHTU: Edi Rama në “Kurban”: Qeveria kapërceu kufijtë e vetëmbrojtjes më 21 Janar

KOMENTE