English

Stamboll, Naço-Yildiz, bisedime për gazsjellësin TAP

Stamboll, 19 nëntor 2011, NOA – Qeveria turke do të nxisë edhe më tej investimet e kompanive turke në sektorët strategjikë në Shqipëri. Ky ishte premtimi, që ministri turk i Energjisë, Taner Yildiz i bëri homologut shqiptar Nasip Naço, gjatë vizitës së këtij të fundit në Stamboll në kuadër të Forumit Vjetor për Ekonominë dhe Energjinë, të vendeve Anëtare të Organizatës së Detit të Zi.

Gjatë takimit me zotin Naço, ministri turk Yildiz siguroi që qeveria turke do të nxisë investimet e kompanive turke në Shqipëri në sektorët strategjik, si dhe do të mbështesë të gjitha projektet energjetike të gazsjellësve, të cilët do të siguronin furnizimin me gaz të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet dhe Shqipëria, si pjesë e rëndësishme për korridorin jugor të energjisë për në Europë.

Ndërkohë, ministri i Ekonomisë, Nasip Naço bëri një ekspoze të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri, vlerësoi përmirësimin e dukshëm të klimës së biznesit për investitorët e huaj, e në mënyrë të veçantë i kërkoi homologut Yildiz mbështetjen e qeverisë turke për realizimin e një sërë projektesh energjitike, ku më kryesori për Shqipërinë, në planin gjeostrategjik mbetet projekti i gazsjellësit Trans-Adriatik Pipeline, i cili parashikon sjelljen e gazit nga deti Kaspik dhe fushat e Shah Deniz në Azerbajxhan, drejt Turqisë, Greqisë, Shqipërisë dhe nëpërmjet detit Adriatik për në Itali.

Në taki dy ministrat konfirmuan intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve tona si dhe interesin gjithmonë në rritje për investime të reja të kompanivë turke në Shqipëri në të gjithë sektorët e ekonomisë, dhe sidomos në sektorin energjitik dhe minerar.

Forumi Vjetor për Ekonominë dhe Energjinë, i vendeve Anëtare të Organizatës së Detit të Zi, organizuar nga Këshilli Atlantik me qendër në SHBA u mbajt në Stamboll në 17-18 nëntor.

Në këtë forum të rëndësishëm merrnin pjesë personalitete të larta të politikës botërore, kryeministra dhe ministra të qeverive të rajonit, si dhe drejtues ekzekutiv nga kompanitë më prestigjoze në botë në fushën e energjisë, kryesisht në atë të sektorit të naftës dhe gazit.

Tema kryesore për këtë vit, ishte rëndësia e bashkëpunimit të vendeve të këtij rajoni kryesisht në rritjen e potencialit të investimeve në fushën e energjisë, me fokus të veçantë forcimin e marrëdhënieve të partneritetit Publiko-Privat në projekte strategjike që synojnë stabilitetin politik, sigurinë energjitike dhe prosperitetin ekonomik.

Gjatë aktivitetit të këtij forumi, ministri Naço pati edhe një takim të veçantë pune me zv.kryeministrin dhe Ministrin e Shtetit për Doganat, Hayati Yazici.

mit/NOA

Në foto: Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço dhe ministri turk i Energjisë, Taner Yildiz.

KOMENTE