English

Nesër raundi i shtatë i dialogut teknik, pala kosovare ka epërsi

Prishtinë, 20 nëntor 2011, NOA Update – I mbetur pezull prej disa muajsh për shkak të tensioneve në veri të Kosovës, nesër do të nisë raundi u shtatë i dialogut teknik mes Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, raporton agjencia NOA.al.

Zyra e shtypit e qeverisë së Kosovës bën me dije se delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri fluturoi këtë të dielë drejt Brukselit për të marrë pjesë në raundin e shtatë të dialogut teknik që do të mbahet më 21 dhe 22 nëntor 2011.

Në këtë raund të dialogut midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe me pjesëmarrjen e SHBA-ve do të bisedohet për problemin e moszbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë si dhe për çështjet e telekomunikacionit, energjisë dhe bashkëpunimi rajonal.

Po ashtu pritet të shtrohet çështja e menaxhimit të integruar të kufirit shtetëror mes dy vendeve.

Pala e Kosovës, thuhet në njoftimin zyrtar, tashmë ka krijuar epërsi në dialog në raport me palën e Serbisë, për faktin se Komisioni Evropian zyrtarisht ka vlerësuar rolin konstruktiv të Qeverisë së Kosovës në dialog, ndërkohë, që ka kritikuar Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve si dhe ka kërkuar nga ajo përmbushjen e obligimeve nga dialogu dhe arritjen e marrëveshjeve të reja me Kosovën.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të angazhohet për rezultate konkrete si dhe do të mbrojë qëndrimin se suksesi i dialogut teknik është në zbatimin e marrëveshjeve, si dhe do të ripërsërisë kërkesën që Kosova të shpërblehet për konstruktivitetin në këtë dialog, duke vendosur marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Evropian”, nënvizohet në deklaratën e zyrës së shtypit të qeverisë së Kosovës.

Sipas saj, në prag të vendimeve të Këshillit të Ministrave të BE-së për avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së, që pritet të mbahet me 9 dhjetor 2011, Kosova pret të ketë përparime esenciale drejtë BE-së si një shtet me filozofi dhe praktika evropiane dhe euro-atlantike.

Në delegacionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës janë edhe, Lirim Greiçevci - këshilltar politik i Kryeministrit, Dren Zeka - këshilltar kryesor politik i Zëvendëskryeministres Tahiri, Arjeta Rexhaj – këshilltare Politike, Gazmir Raci – këshilltar Politik, Elona Cecelia – këshilltare Politike, Visar Xani – Këshilltar Politik, Ibrahim Gashi - zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Edon Cana – Koordinator për bashkëpunim rajonal në ZKM, Naim Huruglica – Drejtor i Doganave të Kosovës, Fisnik Rexhepi – Këshilltar Politik i Ministrit të Punëve të Brendshme, Qemajl Marmullakaj- Zyrtar i lartë për planifikim të politikave (ZKM), Shaban Guda- Policia e Kosovës.

mit/NOA

KOMENTE