Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Mesazhet teknike nga Italia e Greqia
English

Mesazhet teknike nga Italia e Greqia

Nga Mentor Nazarko

Ndërrimet e qeverive në Itali dhe Greqi japin disa mesazhe që i kapërcejnë dy vendet e prekura nga ndryshimet e befta qeveritare. Janë mesazhe, qofshin me rezonim global apo europian, qoftë me rezonim lokal. Analiza e këtyre mesazheve për të dyja vendet në një shkrim të vetëm nuk nënkupton se dy krizat ishin dhe mbeten të njëjta. Ndërsa në Greqi kemi një krizë të vërtetë të të gjithë sistemit politik, ekonomik dhe shoqëror dhe rrënim të shtyllave ku mbahet kapitalizmi shtetëror, në Itali nuk kemi një situatë të tillë. Vetëm përmasa e borxhit publik, mbi 120% e GDP-së, është elementi i përbashkët dhe deri diku përmasa apo aktiviteti i administratës publike. Mesazhi i parë është ai rishikimit drastik të konceptit të sovranitetit, që veçanërisht në rastin e Greqisë, dhe që i përafron shtetet me kompanitë debitore, të vendosura nën administrim të kreditorit. Ky sovranitet zvogëlohet në favor të një subjekti ndërkombëtar apo mbikombëtar si BE. Prej këtej kemi dhe një mesazh tjetër të rëndësishëm. Imponimi i qeverive teknike në këto vende, me shumë gjasë dhe imponimi i emrave të kryeministrave, është një afirmim fuqie i Bashkimit Europian. Në të vërtetë, me këtë Union, të paktën në këtë rast, duhet të kuptojmë Gjermaninë dhe Francën, dy shtetet më të fuqishme të këtij Bashkimi, pjesë e euros. Pra kemi afirmimin e forcës së Unionit si një subjekt i bashkuar, kompakt dhe aktor i rëndësishëm global. Rreziku i krizës që mund të rrënonte të gjithë Europën për shkak të euros, ishte burimi kryesor i këtij mobilizimi force, por në pikëpamje historike ky protagonizëm i fortë i BE vjen pas shumë dyshimeve rreth fuqisë së tij. Me shumë gjasa, në ndryshimet e mësipërme, në mbrojtje të euros duhet të kenë qenë të përfshirë dhe partnerët e tjerë perëndimorë, SHBA, që shihnin në dështimin e Europës për ta zgjidhur vetë krizën, edhe rrezikun e përfshirjes së Kinës në zgjidhjen e saj. Dhe rritjen e gjasisshme të influencës së këtij vendi në hapësirën europiane, më konkretisht, riafirmimin e Kinës si aktor global. Ky afirmim i fuqisë europiane, duke nënkuptuar kryesisht këto dy vende, u shfaq veçanërisht ndaj Italisë, një vend kryesor i Bashkimit, ekonomia e katërt e tij. Por pikërisht për shkak të veçorisë së borxhit italian, që ka afat të gjatë maturimi, si dhe soliditetit të bankave, të ekonomive familjare italiane, të eksporteve italiane etj., etj., ky imponim për largimin e Kryeministrit italian Silvio Berluskoni ngjan dhe më i sforcuar. Italia nuk ka situatë të ngjashme me Greqinë, me përjashtim të përmasës së borxhit publik, ndaj largimi i Kryeministrit nuk ishte veç masë për t’u dhënë besim tregjeve. Ajo ishte një masë ndëshkimore ndaj dikujt që ishte bërë i padurueshëm për ”padronët e Europës”, për mediat e saj, me ekstravagancën e tij, me dhuratat e shtrenjta për homologët, me konfliktin e interesit, me provokimet për euron apo dhe me protagonizmin e tij afrues me Libinë, ku deri para luftës nuk kishte vend për interesat franceze. Me profilin që kanë dy kryeministrat e këtyre dy vendeve, karrierën e mëparshme europiane, ngjan se kreditorët kanë vendosur si administratorë “njerëzit e tyre”. Ky veprim i justifikuar me logjikën europiane përcakton karakterin e përkohshëm të angazhimit të dy personaliteteve, fokusin e mandatit të tyre, që është thuajse tërësisht menaxhimi i një pjese thelbësore të borxhit, ndërmarrja e masave më të dhimbshme për këtë menaxhim dhe dhënia e besimit tregjeve europiane dhe botërore. Këto dy personalitete dinë të flasin gjuhën e kreditorit, orientohen lehtë në kërkesat e tij dhe, për pasojë, janë interlokutorë të përsosur për qëllimet që ka sot Bashkimi Europian kundrejt këtyre dy vendeve dhe krizës në përgjithësi. Njëkohësisht me këto masa, të dyja vendet ofruan maksimumin e transparencës për bilancet e tyre, për të gjitha institucionet europiane dhe ndërkombëtare. Zgjedhja e teknikëve në krye të qeverive si masë për fillimin e zgjidhjes së krizës ishte një masë që u dha besim tregjeve dhe qetësoi deri diku dhe frymën e protestës popullore që në dy vendet, megjithatë, kishte karakter disi të ndryshëm. Teknikët nuk mendojnë shumë për opinionin publik dhe ofrojnë ekspertizë, nënvizonte “The Guardian” para disa ditësh, duke përshëndetur ardhjen e Mario Montit dhe Lukas Papademos në krye të ekzekutivëve të vendeve të tyre. Në të dyja vendet, ndërsa vihet re stabiliteti i institucioneve të tjera, si Presidenca, sistemi i Drejtësisë, megjithatë, vihet re një qasje krejt e ndryshme e klasës politike të të dy krahëve ndaj krizës – dhe ky është një mesazh tjetër. Ndërsa opozita greke kërkon mandat të shkurtër të kësaj qeverie dhe imponoi futjen e figurave politike në Ekzekutiv, në Itali ndodhi e kundërta. Kësaj qeverie i jepet një mandat për ta përmbyllur legjislaturën dhe përbërja e Ekzekutivit është thellësisht teknike. Ky është një moment diferencial i shkallës së demokracisë në të dyja vendet, ku gjithsesi, pavarësisht shpejtësisë së reagimit të dy krahëve të politikës, fjala kyçe ishte konsensusi në përballjen e krizës. Po Shqipëria? Shqipëria ka shumë elemente që e përafrojnë me Greqinë. Mungesë transparence për bilancet qoftë për subjekte të brendshme, qoftë për ato ndërkombëtare, administratë e fryrë, angazhim në projekte të mëdha infrastrukturore, borxh i madh publik, interesa të larta, ekonomi e përqendruar në ndërtim dhe në shërbime, pa prodhuar shumë. Përballë kësaj situate, nuk kemi as rritje të transparencës siç bëri Italia, që ftoi FMN-në të mbikëqyrte financat e saj, por përkundrazi, kemi mbylljen dhe debatet qesharake me FMN-në. Kemi forcim të dobët të konsensusit, por që mbetet i brishtë. Kemi forcim të retorikës për projekte të mëdha të reja infrastrukturore, ndërsa nuk janë paguar të vjetrat. Kemi theksim të politizimit të jetës institucionale të vendit, të shoqërisë, të mediave, ndërsa teknikët nuk duken gjëkundi. Duken vetëm letrarët e humbur në favor të politikës. Janë letrarët euforikë në krye të qeverisë, dhe ata melankolikë në drejtim të opozitës!

"Panorama"

KOMENTE