English

Zjarri te fishekzjarrët, kaos te bizneset pranë

Tiranë, 21 Nëntor 2011 NOA/ Ariola Ymeraj – Situatë kaotike pranë Qytetit të Nxënësve në kryeqytet pas zjarrit që shpërtheu në një magazinë me fishekzjarrë të importuar këto ditë për shitje me rastin e festave të fundvitit.

Ndërsa dëmet në këtë objekt janë të shumta dhe ende nuk ka një bilanc pasi zjarri nuk po shuhet, flakët nuk janë lokalizuar vetëm atje duke u shtrirë edhe në disa biznese aty pranë si dhe në banesa.

Gazetari i agjencisë NOA.al raporton nga vendngjarja duke evidentuar se trafiku është rënduar shumë pranë shkollës Hoteleri Turizëm për shkak të flakëve kaotike që po stimulohen edhe nga era dhe shpërndarja për shkak se fishekzjarrët kanë krijuar shpërthime të njëpasnjëshme.

Një banesë pranë magazinës është përfshirë e tëra nga zjarri. Sakaq, edhe disa njësi tregtare po ashtu janë nën flakë momentalisht.

Në rrezik gjendet një pikë shitjeje karburanti dhe bombolash gazi. Aty është ndërprerë shitja dhe është evakuuar personeli.

Po ashtu evakuim po i bëhet momentalisht të gjithë zonës së emergjencës.

Në vendngjarje gjenden zyrtarë të lartë policie e po ashtu ministri i Brendshëm shkoi në vendin e shpërthimit të flakëve. Në të gjendet edhe deputeti socialist Saimir Tahiri.

Momentalisht gjenden gjashtë makina zjarrfikëse, disa prej të cilave mbërritën edhe nga Durrësi, Rrogozhina dhe Lezha. Ata po punojnë intensivisht për shuarjen e flakëve.

a.y/NOA

KOMENTE