Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Edi Rama si do të donte të ishte
English

Edi Rama si do të donte të ishte

Nga Armand Shkullaku

Libri i Edi Ramës është një nga ngjarjet më të rëndësishme shoqërore dhe politike të viteve të fundit në Shqipëri. I servirur si një rrëfim personal, ai përbën njëkohësisht një nga dëshmitë më tronditëse se si u deformua, humbi dhe u tjetërsua në vorbullën e politikës pa moral, shpresa që shoqëria shqiptare të prodhojë një politikan të llojit të ri, që beson në diçka dhe është në shërbim të qytetarëve. Në çdo rresht të librit lexohet drama e “intelektualit rebel” që hyri në politikë për të ndryshuar kulturën e deriatëhershme të tranzicionit, por që vetëm tranzit u kaloi ideve të tij të dikurshme. Lexohet dështimi spektakolar i Edi Ramës për t’u shndërruar të paktën në një shembull moral për shoqërinë shqiptare, duke i dhënë për pasojë asaj një shembull më shumë të degradimit të çdo vlere përballë tundimit të pushtetit, parasë, mediave dhe fuqisë që nuk buron nga mendja, por nga intrigat e vogla politike. “Kurbani” është një libër i shkruar mirë pikërisht sepse ai është shkruar si dhimbje e ndjerë për një njeri që ndahet nga ajo që ka dashur, gati një poezi për atë që Edi Rama do të kishte dashur të ishte, por që fatkeqësisht nuk ka më asnjë mundësi për të qenë sa të jetë gjallë në këtë botë. “Kurbani” i Ramës është një kurban për Edi Ramën që nuk është më. Ky libër duhet lexuar pikërisht kështu: Edi Rama si do të donte të ishte. Aty flitet për një njeri që ka hyrë në politikë si misionar, për t’i shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve. Flitet për dikë që qëndron mbi llumin e politikës ditore të Tiranës dhe ka një vizion europian. Një njeri që e shqetësojnë hallet e qytetarëve të thjeshtë, shëmtia e qytetit dhe e politikës, një njeri që po sjell erën e ndryshimit, larg pazareve të ulëta, intrigave, parave të pista dhe shantazheve politike. Flitet në libër për një kryebashkiak e kryetar partie që nuk ka një shtëpi të tijën, nuk ka lidhje me paranë dhe aferat korruptive që kanë mbërthyer politikanët e tjerë. Ai është i vetëm, i rrethuar nga dallkaukë, kryeministra rrugaçë, kundërshtarë që vinë nga malet, që e sabotojnë, masakrojnë, linçojnë e torturojnë, por ai mbetet. Ashtu i vetëm përballë të gjithëve. Në një lukuni të përdalësh ai mbetet i virgjër. Një shembull moral, pra, përballë politikës së ndyrë dhe interesave të ulëta. Shembulli i politikanit që në këto 20 vjet na ka munguar. Ky është Edi Rama që përshkruhet në libër. E, duke qenë se edhe vetë autori e di thellë brenda vetes që ky nuk është Edi Rama me të cilin shihet çdo ditë në pasqyrë, në çdo faqe, në çdo rresht e në çdo germë ka derdhur talentin e tij për të vizatuar atë tjetrin, atë që do kish dashur të ishte, duke i dhënë vetvetiu veprës dimensionin e humbjes së pakthyeshme, të një fiksioni, të një iluzioni për atë që kurrë nuk mundi të jetë në politikën shqiptare. Edi Rama në “Kurban” ka fshehur, retushuar, manipuluar ngjarje, fakte dhe të vërteta të njohura botërisht, i fiksuar për të ndërtuar një tjetër personazh nga ai që ne patëm fatin e keq të provojmë shijen e thartë të zhgënjimit. Por, me gjithë përkushtimin e tij për këtë fiksion, Edi Rama në politikë është shembulli moral jo vetëm i munguar, por edhe dërrmues e asgjësues për një brez të tërë që besonte te fuqia e tij e ndryshimit, te rezistenca e vlerave përballë tundimit të pushtetit, te një mundësi më shumë e me përkrahje të jashtëzakonshme për të nisur një kapitull të ri të politikës shqiptare. Këtë dështim nuk e kompensojnë as kapitujt e “Kurbanit”, pavarësisht talentit të derdhur për të ndryshuar historinë. Ajo që ka ndodhur nuk zhbëhet. Edhe 100 “Kurbane” po të bëjë Edi Rama, atë që ka humbur nuk e kthen dot më. Ai do të donte të ishte vërtet partner i barabartë me Ilir Metën kur ky ishte Kryeministër, ta kundërshtonte dhe të vepronte si një kryetar bashkie i pavarur. Por ne të gjithë e dimë se ai nuk guxoi kurrë të ngrinte zërin kundër tij, se me një dorë i shkruante fjalimet e me tjetrën vilte përfitimet, se u përdor nga Meta si çamçakëz në luftën politike në PS dhe si një furçë e gjatë për të lyer qerren e ndryshkur mediatike. Edi Rama jo vetëm që nuk u bë shembulli i hapjes së politikës, por e mbylli atë edhe më shumë, korruptoi gati të gjitha mediat, majtas e djathtas, këputi të gjitha fijet që e mbanin ende të lidhur me njerëz mendjehapur e profesionistë, për të gjetur një vend në çerdhen e këshilltarëve mediokër të Ilir Metës. Figurat e gjetura në libër për Metën nuk mund ta shlyejnë pamjen e një burri dy metra të gjatë që ndiqte pas duke u dridhur Kryeministrin nga frika e katarsisit të Fatos Nanos. E ky i fundit, a mund të mos sillej si një politikan rrugaç me “intelektualin” Edi Rama, i cili vraponte t’i çonte lule në spitalin e Athinës sapo kuptoi që Ilir Meta po e humbte luftën. Këto nuk gjenden në libër, sepse libri është shkruar për Edi Ramën se si do të donte të ishte. Nuk është shkruar për Ramën që e njohin të gjithë: politikanin tipik që bën përpara duke iu servilosur kryeministrave të radhës e që dijen e tij intelektuale është i gatshëm ta kthejë në rrogoz për të ecur përpara ambicia e sëmurë politike. Libri është shkruar për dikë tjetër që asnjë prej nesh nuk e njeh ashtu. Është shkruar për dikë që ka fiksim të tregojë se është i varfër dhe ka frikë njëkohësisht se askush prej lexuesve nuk do të arrijë ta besojë këtë fiskion të radhës. Për një kryetar bashkie që shqetësohet nga gardhet dhe llamarinat, por që nuk la fushë, hapësirë e oborr pa betonizuar. Që habitet nga pasioni i politikanëve për të bërë miqësi me kriminelë, e që vetë i favorizoi me sa pati fuqi. Që indinjohet e revoltohet nga vjedhja e votës, por që vetë i priu masakrës së 2003-shit përballë Spartak Ngjelës. Që beson te fjala e lirë, e që nuk la tullë pa falur për t’ua mbyllur gojën atyre që e kritikonin. Pallatet shumëkatëshe në Tiranë janë bashkësia më e mirë e tullave që e vërtetojnë këtë, ani pse ai pretendon me krenari se nuk ka marrë para në këmbim, por favore politike, që duke perifrazuar Migjenin do të përkthehej se për at’shërbim nuk ka marrë do franga, por në fytyrë, çarçafë e në ndërgjegje danga. Ka shumë e shumë shembuj në çdo rresht të librit që na tregojnë Edi Ramën që do kishte dashur të ishte, por që kurrë nuk mundi të bëhej. Nuk bëhet dot, edhe pse me mjeshtërinë e piktorit ai mundohet të ngjyrosë sipas dëshirës faktet dhe personazhet. Do të kishte dashur Edi Rama të ishte modeli europian i politikanit, krijues e vizionar, protagonist i ndryshimeve, madje do kishte dashur të ishte ai që e ftoi Fatos Nanon të bëhej Kryeministër në qeverinë e tij e në vazhdim të tregonte se si triumfoi mbi të keqen duke u bërë kryetar i Partisë Socialiste. Këto mund t’i bëjë, sigurisht, në letër, ka kohën, fantazinë dhe talentin e duhur. Shumë opinionistë e krahasuan këtë retushim të Ramës me fiksimin e Enver Hoxhës për të ndryshuar historinë duke ngritur kultin e vet të individit. Ngjashmëri mund të gjendet plot, prej diabolizimit të kundërshtarëve, shmangies së tyre me statut e kushtetutë, mbajtjen e fronit pa konkurrim, eliminimin e mendimit ndryshe e deri te “gjaku i ri” që betohet për kryetarin. Por sigurisht, jetojmë në kohë të tjera. “Kurbani” i Ramës nuk është asgjë më shumë se sa një rrëfim për Edi Ramën se si do të kishte dashur të ishte. Dhe një dëshmi e hidhur se si mund të humbë dhe të deformohet deri në palcë një njeri që i kishte të gjitha mundësitë për të qenë një shembull moral për politikën në Shqipëri, dhe jo një kopje e zbehtë e së shkuarës.

KOMENTE