English

Kodi Ajror, PS: Gjysma e stafit në Aviacionin Civil militantë

Tiranë, 24 nëntor 2011, NOA Update – Kodi Ajror, ndryshimet e të cilit janë miratuar me konsensus në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese ishte objekt i diskutimeve mes deputetëve socialistë dhe ministrit të Transportit Sokol Olldashi.

Deputeti i PS-së Eduart Shalsi akuzoi autoritetet e ministrisë se në stafin e Aviacionit Civil kanë emëruar persona të patrajnuar, dhe që fatkeqësisht s’dinë as anglisht.

Deputeti socialist solli shembuj të një drejtori, i cili ishte diplomuar për mjekësi, apo të një tjetri, që nuk flet anglisht.

Sipas Shalsit gjysma e stafit të Aviacionit Civil është tërësisht i patrajnuar për të kryer atë detyrë.

Këtu, ai solli shembullin e pezullimit të liçencës së një operatori në Shqipëri, e firmosur jo nga drejtori, por nga një person tjetër, të cilit ai nuk ia bëri të ditur emrin.

Por, ministri Olldashi reagoi ndaj këtyre akuzave, duke thënë se miratimi i Kodit Ajror, aq i nevojshëm për shërbimin ndaj qytetarëve, nuk duhet të shndërrohet në një çështje politike.

“Deputeti Shalsi bashkëpunoi shumë mirë në komisionet parlamentare, kurse këtu bën debat politik. Ato, që cituat ju janë të vitit 2009. U spekullua nga ju për militantë. Vetëm aty nuk punësojmë mbi militantizëm, sepse duhet një administrim i mirë. E vërtetë që drejtori nuk është i fushës, por ai administron. E mbajmë në punë se është profesionist, nuk është kriter profesioni, por ana profesionale. Ai është profesionist. Dhe për specialistët që folët, ne nuk kemi shkollë aviacioni dhe nuk japim çertifikata. Kur nuk i kanë, ne jemi të detyruar t’i marrim nga jashtë specialistët, dhe i kemi dhënë fonde Aviacionit Civil të marrin me kosto 5 specialistë të huaj të shohin problemet këtu. Sepse bëhet fjalë për sigurinë e njerëzve që udhëtojnë”, u shpreh Olldashi.

Ministri Olldashi debatoi edhe me deputetin e PS-së Saimir Tahiri, mbi situatën kaotike në udhëtimin e pasagjerëve, ku monopolet kanë kapur këtë sektor të transportit.

Ministri tha se nuk ekziston një situatë monopol në Autoritetin e Aviacionit Civil pasi aty operojnë 17 kompani ajrore nga Tirana drejt destinacioneve të tjera.

mit/NOA

KOMENTE