English

Miku

Nga Halil Matoshi

Derisa në shesh po rrjedhin ide të vjetra e të debatuara gjatë, ripërkufizim kufitar, ndarje dhe ndërrim territoresh etj.,kryeministri i Kosovës lansoi idenë “e re” për menaxhimin e integruar të kufijve, (MIK) sidomos sa u përket pikave kufitare 1 dhe 31. Kjo ide objektivisht ka bazë në Kushtetutën e Kosovës dhe në Ligjin për MIK dhe kontrollin e kufirit shtetëror, i cili është miratuar më 2008, posaçërisht shih nenin 14, që thotë se Qeveria e Republikës së Kosovës mund të krijojë pika të përkohshme të kalimit kufitar për

personat e emëruar individualisht ose grupe të personave (grupet specifike të personave), në konsultim me shtetin relevant. Ky ligj është mbështetur në një strategji kombëtare për MIK të Qeverisë së Kosovës, pra kësaj ideje Qeveria ia kishte shtruar udhën kaherë.

Në anën tjetër, ideja e rikthimit në kufijtë e vitit 1956, ide kjo që u nxor në publik nga një politikan i LDK-së, është “mall për një përdorim” (ngrohje zemrash të njerëzve nga Lugina e Preshevës për t’ua marrë votat), por kjo ide nuk ka të bëjë fare me Luginën e Preshevës si njësi kompakte gjeografike, dhe as si njësi komunale, sepse ata kufij të viteve ’50 nuk ishin kufij as administrativë dhe as ndërshtetërorë, kështu që ishte zor të dihej se cili katund i takonte saktësisht Serbisë e cili Kosovës.

Fundja, zyrtari i LDK-së (nuk mori uratën as të parisë së partisë së tij) po fliste për “kufij” që ndanin ara e male, sepse atëbotë as Kosova nuk kishte autonomi, por ishte një krahinë e Serbisë pa status politik, kurse Presheva dhe as Leposaviqi, Zubin-Potoku dhe Zveçani në pjesën veriore të Kosovës nuk kanë qenë njësi komunale, por thjesht fshatra.

Sipas Kushtetutës së vitit 1974, Kosova kishte një territor të kufizuar qartë dhe me kufij të dallueshëm. Një ndër tri kriteret themelore për shtetësi, sipas së drejtës ndërkombëtare, është territori i përkufizuar qartë, kriter ky të cilin Kosova e plotësonte. Kufijtë e Kosovës janë të përcaktuar me Kushtetutën e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) të vitit 1974, sipas së cilës kufijtë e brendshëm (të republikave dhe krahinave) nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e njësive gjegjëse, ndërsa kufijtë ndërkombëtarë të Jugosllavisë nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e të gjitha njësive federale, pra edhe të Kuvendit të Kosovës (Kushtetuta e RSFJ 1974, neni 4.5).

Që nga qershori i vitit 1999, po ata kufij të Kosovës kontrolloheshin bashkërisht nga autoritetet e Kosovës (IPVQ), UNMIK-u dhe KFOR-i. Korniza kushtetuese për vetëqeverisje të përkohshme e vitit 2001 pastaj e përkufizoi Kosovën si “territor i pandashëm”, kurse Grupi i Kontaktit ka përjashtuar opsionin e ndarjes së Kosovës si mundësi e zgjidhjes së statusit (Grupi i Kontaktit 2006, neni 6.)

Ndërkaq që territori i Republikës së Kosovës është përcaktuar me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës dhe është përkufizuar me vijën kufitare të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988.

MIK-u është projekt evropian dhe tashmë shumë shtete të rajonit e aplikojnë, e ndër to edhe Shqipëria dhe Mali i Zi. Kjo ide nuk është e re, por buron nga Strategjia Kombëtare e Kosovës për MIK-un e vitit (2008), pa çka se është kopjuar nga Strategjia e Shqipërisë e vitit 2006. Kjo ide mbështetet në Ligjin për MIK-un, që buron nga fryma e ligjit suprem (Kushtetuta kosovare), prandaj zhurma rreth saj është kot. Si ide e mirë që është nuk do të thotë se do të pranohet lehtësisht nga pala serbe, që nuk njeh kufi me Kosovën, por po ta kishte mbështetjen e fortë të Brukseli zyrtar, përmes presionit politik ndaj Beogradit, gjasat janë të mira që pala serbe ta pranojë këtë zgjidhje para 9 dhjetorit...

Sipas kësaj strategjie, tri shtyllat kryesore që mbështesin konceptin MIK të BE-së janë bashkërendimi dhe bashkëpunimi dhe mbështetet mbi tri shtyllat në vijim: a) Bashkëpunimi brenda agjencisë; b) Bashkëpunimi ndërmjet agjencive; dhe c) Bashkëpunimi ndërkombëtar. Kurse udhëzimet e MIK-ut e ndajnë këtë fushë në tri nivele kryesore: Bashkëpunimi lokal i shërbimeve kufitare në të dy anët e kufirit; bashkëpunim bilateral mes vendeve kufitare (fqinje); bashkëpunim multilateral,që ka për qëllim çështjet e menaxhimit të kufirit.

Derisa për njohjen reciproke Serbi-Kosovë në kufijtë aktualë as që mund të flitet, po ashtu është herët në Ballkanin egërshan të mendohet për krijimin e “strasbourgëve” ballkanikë në Mitrovicë dhe Preshevë, sepse këto patriotëve arkaikë serbë, por edhe atyre shqiptarë u duken ide të çmendura, atëherë së paku mund të bëhen marrëveshje të “vogla”, që ndikojnë në shtendosjen mes dy palëve në konflikt dhe në hyrjen në një fazë të re të raporteve Serbi-Kosovë.

Në fazën kur Prishtina e ka përballë një palë që së pari (supozohet se) i ka hequr barrikadat primitive në veri të Kosovës dhe së dyti ka nënshkruar tashmë (nëse e nënshkruan më 9 dhjetor) statusin e kandidatit për në BE. Në këtë fazë Serbia merr obligime shtesë dhe nuk mund të bëhet kinse po negocion marrëveshje dhe kinse po i zbaton ato, kështu që edhe Prishtina do të ndihej më e lehtësuar. Dhe zgjidhja përfundimtare e konfliktit Serbi-Kosovë do të mund të ndodhte në realitet vetëm nëse Kosova dhe Serbia do të integroheshin në paket në BE dhe ky nuk është lajm. Lajmi është se Qeveria e Kosovës e ka qitur tashmë në tavolinë idenë e MIK-ut dhe kjo, natyrisht se nuk ka të bëjë me përcaktimin e kufijve të rinj, sepse ata, mes këtyre dy entiteteve, Serbisë dhe Kosovës, tashmë janë përfundimtarë. Natyrisht se Prishtina e Beogradi do ta bëjnë një ditë edhe praktikisht demarkacionin e kufirit 380.068 km të gjatë, mirëpo ndryshime radikale nuk mund të ketë.

Një marrëveshje e tillë për MIK-un faktikisht është “letra” e fundit me të cilën është operuar gjatë nga diplomatët perëndimorë në Prishtinë, të cilët më në fund i dhanë “izën” kryeministrit kosovar që të nxjerrë në publik si kornizë për zgjidhjen e krizës së pikave 1 dhe 31 në veri të Kosovës. Kësisoj, vetë bisedimet e cilësuara si teknike mes Kosovës dhe Serbisë janë konceptuar në atë mënyrë që të derivojnë një marrëveshje të negociuar, si “zgjidhje kreative”, të cilën Hashim Thaçi e pati përmendur që në pranverë të këtij viti, por që në sy të publikut të tingëllojë me ambiguitet.

Pse zgjidhje ambiguitative?

E para, Serbia do ta shiste më lehtë tek serbët kosovarë, duke i joshur ata me pamjet vizive të policëve të MUP-it në kufirin kosovar, kurse Prishtina zyrtare do ta plasonte si rikthim i integritetit territorial, sepse aty në të njëjtën dhomë do të operonin edhe policët e Kosovës.

Dhe së dyti, Beogradi zyrtar do ta propagandonte këtë zgjidhje për nevoja të brendshme, si zgjidhje Ahtisari Plus, për t’i joshur edhe serbët e rebeluar në veri të Kosovës, kurse Kosova do të përgjigjej se kjo zgjidhje e modeleve evropiane është kushtetuese, as plus dhe as minus.

Një fakt është i sigurt: Kjo zgjidhje nuk i cenon integritetin territorial dhe pavarësinë e jashtme të Kosovës. Përderisa Qeveria e Kosovës sikur edhe diplomacia perëndimore janë të vetëdijshme se asnjë “zgjidhje kreative” nuk mund t’i kalojë caqet kushtetuese, sepse në rast të aranzhmaneve jokushtetuese, bie Pakoja Ahtisaari dhe së bashku me të edhe Kushtetuta dhe mbi 100 ligje të kësaj pakete, por bie edhe Qeveria dhe kësisoj do të cenohej rëndë vetë shteti multietnik i Kosovës, për t’ua lëshuar vendin ndoshta zgjidhjeve radikale njetnike.

Në dritë të re, kur Serbisë i duhet BE-ja, kurse Kosovës njohja nga Beogradi, pra “pajtimi për pavarësi”, që do ta shpinte me automatizëm në East River, duket se palët të themi me telepati janë më afër se kurrë një marrëveshjeje, dhe kjo nuk paraqet kurrfarë sekreti.

Serbia zyrtare duket se po i mëshon qëndrimit të krijimit të një entiteti serb në Kosovë, e për kundërpeshë lë hapësirë të mendohet se në një të ardhme të afërt mund ta njohë këtë Kosovë “të decentralizuar” që skepitikët e shohin si të pamundshme për të funksionuar si shtet. Edhe vetë presidenti serb Tadiq përfytyron që me mjete diplomatike të krijojë entitetin serb në komunat ahtisaariane (multietnike), por me shumicë etnike serbe, duke ia nisur në veri të Kosovës, pjesë e të cilit do të ishin edhe objektet e kultit ortodoks, pastaj që këtij entiteti t’i garantohet lidhja e drejtpërdrejtë me Beogradin, po ashtu e drejta për polici lokale, gjykata dhe vetadministrimin lokal. Në këtë rast, do të njihej Kosova e pavarur dhe vendimet e Kuvendit të Kosovës do të ishin valide, nëse për to voton edhe shumica e dyfishtë, pra deputetët serbë të zgjedhur dhe ata të garantuar sipas Pakos Ahtisaari. Autonomia asimetrike për serbët e pjesës veriore të Kosovës e defunksionalizon Kosovën si shtet, prandaj ideja për MIK-un dhe caktimi i një përqindjeje nga doganat kosovare në pikën 1 dhe 31 për krijimin e një fondi zhvillimor për tri komunat e veriut të Republikës së Kosovës, mbetet e vetmja zgjidhje kreative, e cila më mbështetjen e BE-së do të ofronte zgjidhje evropiane, joterritoriale, kushtetuese, si prag maksimal i Prishtinës zyrtare.

MIK-u është “letra e fundit” e Prishtinës për Beogradin dhe për serbët kosovarë.

Boll e zorshme për Beogradin ta nënshkruajë statusin e vendit kandidat të BE-së e të mos pranojë zgjidhje evropiane.

Nëse e zgjedh përfundimisht integrimin në BE, ajo do t’i thotë po kësaj oferte.

Nëse jo, s’ka më punë me Kosovën.

Prishtina s’ka çka jep më shumë...

NOA

KOMENTE