Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Një vëzhgim mbi komunikimin tonë publik dhe dy ilustrime
English

Një vëzhgim mbi komunikimin tonë publik dhe dy ilustrime

Nga Mustafa Nano

Shtypi i Prishtinës ka folur këto ditë mbi një diatribë të Rexhep Qosjes kundër LDK-së. Qosja u nis të përshëndeste një nismë ligjvënëse të deputetit Ramë Vataj për të ndryshuar ligjin që rregullon funksionimin dhe ekzistencën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës (Akademia e Tiranës nuk është e Arteve; është vetëm e Shkencave), dhe në rrugë e sipër i bëri qortime të rënda LDK-së, e cila, sipas tij, e ka pushtuar Akademinë. Për ta ilustruar idenë e vet përmendi Isa Mustafën, kryetarin e LDK-së, i cili është pranuar para tre vjetësh si anëtar i Akademisë, në kohën që ishte kryetar i Bashkisë së Prishtinës. Në mënyrë të paligjshme, thotë Qosja; dhe më tej “linçon” en bloc Akademinë, e veçanërisht gjuhëtarët e saj, të cilët, gjithnjë sipas tij, të vetmen punë që bëjnë është sulmi ndaj standardit të gjuhës shqipe.

Të nesërmen, Isa Mustafa kish mobilizuar partinë kundër Qosjes, gjë që justifikohej me faktin që ky i fundit e kish tërhequr në valle gjithë partinë, kur kish folur për një lëdëkë-izim të Akademisë. Kishin hartuar një komunikatë dhe e shpërndanë për shtypin. Në të i bëhej biografia Qosjes, i përmendej që ish zgjedhur në Akademi qysh në kohët e Jugosllavisë dhe jo për merita shkencore, i thuhej se në Akademi ai nuk ka shkelur kurrë, ndonëse merr një rrogë të mirë si akademik (rrogë kombëtare, e quante Qosja në diatribën e vet), akuzohej si instrument në duart e PDK-së së Thaçit, denoncohej si përfitues i 220 mijë eurove (220 mijë euro është, me ç’duket, shuma e parave të nxjerra nga arka e shtetit me vendim qeverie për të bërë të mundur një botim të plotë të veprave të Qosjes), e në fund e nxirrnin Qosjen me kredenciale të dobëta në lëmin patriotik. Për këtë aluzionin e fundit u mjaftonte çalltisja e akademikut të njohur për të përkufizuar ‘bordellon e madhe’ të vitit 1997, si një revolucion të vonuar demokratik, dhe i thoshin në komunikatë, se “t’i zotëri ke për të ikur nga kjo botë, por nuk ke për të parë një gjë të ngjashme në Kosovë”. Gallatë, apo jo? A thua se Qosja ka bërë çmos që kjo të ndodhë dhe a thua se po lutet e përgjërohet që dikush t’i vërë zjarrin Kosovës, dhe vetë Qosja të ngrohë duart mirë e mirë!

Në të njëjtën kohë, në Tiranë po konsumohej një kacafytje tjetër. Avokatët e Ilir Metës e kanë lënë mënjanë merakun për të mbrojtur klientin e tyre në gjyq, dhe kanë nisur të bëjnë ca aluzione të ulëta e lapërdhare, të nakatosin në historinë Meta-Prifti dhe familjen e gruan e akuzatorit të boss-it të tyre, gjë që e ka bërë këtë të fundit, d.m.th., Priftin, të dilte të nesërmen në një konferencë për shtypin dhe të lëshohej në publik duke bërë insinuata më të rënda familjare në adresë të Ilir Metës, duke e zhvendosur debatin në një terren fare personal, duke dhënë garanci se “është i fortë”, pavarësisht dyshimeve që mund të lindin tek të tjerët prej origjinës së tij myzeqare, dhe duke folur me një gjuhë të padenjë për publikun.

Në këtë ndeshtrashën e këtushme nuk kish akademikë në mes, dhe nuk flitej për akademinë, e prandaj duket sikur nuk mund të hiqet asnjë paralele, por nuk është kështu. Në thelb është e njëjta gjë. Janë sherre tipike shqiptare, ku tjetri sulmohet e mbulohet me fyerje e shpifje, ku goditjet janë të kalkuluara për të bërë dëm, ku alabaku s’e ka për gjë të marrë poza intelektuali e ku intelektuali s’e ka për gjë të flasë si alabak, ku gjuha e shtënë në punë është asgjësuese e shfarësose, ku secili pretendon se ka me vete të drejtën, ku njëri nuk lë asnjë shteg për të bërë një negociatë a dialog të sekondës së fundit me tjetrin, ku palët harrojnë argumentin dhe fokusohen veç tek personi që kanë përballë, ku biografia e tjetrit është gjithnjë një arsye për t’mos u marrë fare me çështjen, ku ai që tërhiqet përballë një sjelljeje të dhunshme, mbulohet me turp e thirret humbës, ku klasi, eleganca, sqima merren për dobësi etj. Nëse ka një tipar që e kemi të përbashkët ne shqiptarët, kudo qofshim, në Durrës, Tiranë, Gjakovë, Shkodër, Gostivar, Prizren, Ohër, Myzeqe, Dukagjin, Prishtinë, Mitrovicë, Medvegjë, Labëri, Ulqin etj., etj., e kushdo qofshim, furrtarë, shitës ambulantë, shkrimtarë, tutorë kurvash, futbollistë të ligës inferiore në Tiranë apo të Serisë A në Itali, new york-ezë të diasporës, apo banorë të periferive të këtushme që s’dinë se ku bie New Yorku, dashnorë apo tradhtarë të kombit, botues, dhënës e marrës autografesh, doktorë shkencash, të diplomuar tek ‘Kristali’ apo në ‘Yale University’, me përvojë pune tek ‘Microsofti’ apo tek ‘TV Shijaku’, me origjinë të fisme apo me origjinë të përunjur, gazetarë, gjimnazistë, minatorë, anëtarë të këshillave komunalë, banorë të bllokut etj., etj: Ne debatojmë njësoj, d.m.th., nuk debatojmë, por përleshemi. Mos doni t’më thoni se poshtë, atje ku jeton vulgu, vriten e priten, ndërsa Ismail Kadare e Rexhep Qosja nuk janë vrarë? E vërteta është se këta dy të fundit nuk kanë lënë gjë pa thënë në adresë të njëri-tjetrit (sharje, fyerje, denigrime mbi bazë biografike etj); kush mund ta vërë dorën në zjarr se po të ishin tok në një studio nuk do bënin më keq e nuk do ndukeshin me duar?

E di, mund të thuhet që gjëra të tilla ndodhin kudo, por puna është se kudo gjëra të tilla janë përjashtim, ndërsa tek ne janë rregull.

Gazeta "Shqip"

KOMENTE