English

Parashikimi i motit për 26 nëntor 2011

Tiranë, 25 nëntor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, masat ajrore që vijnë nga perëndimi i kontinentit do të vendosen në territorin tonë duke kushtëzuar mot të qëndrueshëm. Për pasojë pjesa më e madhe e territorit shqiptar do të dominohet nga moti i kthjellët, përjashtuar zonat malore të cilat përveç kthjellimeve të pranishme do të kenë edhe vranësirat.

Edhe pasditja do të vijojë me të njëjtat kushte meteorologjike ku moti i kthjellët do të jetë dominues në zonat e ulëta dhe bregdetare ndërsa sërish zonat malore përgjatë kufirit Lindor do të karakterizohen nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash. Në mbrëmje dhe gjatë nate i gjithë vendi do të jetë nën ndikimin e kthjellimeve.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie të lehtë në vlerat e mëngjesit por mesdita nuk do të sjellë ndryshime të temperaturave në vend.

Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe mesatare në det me shpejtësi 30 km/h dhe drejtim Perëndimor duke bërë që në brigjet e Adriatikut dhe Jonit të gjenerohet dallgëzim i ulët.

Europa

Edhe nesër, Europa veriore dhe Veriperëndimore do të mbeten me mot të paqëndrueshëm. Vranësirat dhe reshjet e shiut e dëborës do të jenë prezente kryesisht gjatë pjesës së parë të ditës pasi në orët në vijim vranësirat do të zhvendosen drejt vendeve të Balltikut ku do të gjenerojnë edhe shira të konsiderueshëm. Problematike situata do të jetë në Ishujt Britanike ku shirat do të bien me intensitet të lartë. Këto rajone do të rrezikohen nga stuhitë e forta të erës duke sjellë probleme në trafikun detar. Në pjesën e dytë të ditës vranësirat dhe reshjet e dobëta të shiut do të përfshijnë një pjesë të Europës Qendrore konkretisht Francën dhe Gjermaninë. Ndërsa Europa Jugore, një pjesë e Europës Lindore si dhe Rajoni i Mesdheut do të jenë nën ndikimin e kthjellimeve por edhe të vranësirave të herë pas hershme.

Ngjarje ekstreme në Europë:

- Norvegjia do të rrezikohet për reshje shiu e dëbore si dhe stuhi ere

- Ishujt britanike do të rrezikohen nga stuhi të forta ere dhe shira të dendur

- Vendet e Balltikut rrezikohen nga shira intensive

a.y/NOA

KOMENTE