English

Flamuri dhe fëmijët

Nga Agim Baçi

Një flamur…. Pas kësaj fraze mund të qëndrojnë dhjetëra apo qindra gjëra për t’u thënë. Mund të jenë gjëra të cilat ne i kemi thënë dhe përsëritur. Mund të jenë gjëra të ndryshme dhe interesa të ndryshëm. Sepse, pa dyshim që një nga pasuritë më të mëdha të njerëzimit është të qenët ndryshe. Por, kur vjen fjala për një gjuhë, për… një komb, për një vend, duhet më së pari ta bëjmë të vërtetë dhe të dashur. Por, a përkujdesemi ne te fëmijët për flamurin, për domethënien e tij? Nuk e kam fjalën këtu tek valëvitja e domosdoshme e flamurit në çdo shkollë, apo këndimin e himnit që duhet nëpër shkolla. Ajo për të cilën po flas, ka të bëjë me mënyrën se si flasim për historinë e këtij flamuri, për momentet kur ky flamur ka qenë në rrezik, kur në emër të tij është luftuar, por edhe abuzuar, kur ka pasur heronj, por edhe kur ka pasur tradhtarë. Ne duhet më së pari të diskutojmë me fëmijët, t’u themi atyre shumë të vërteta, t’u flasim hapur për të mirët dhe të këqijtë, për tradhtarët dhe heronjtë, për ata që kanë punuar për këtë vend dhe ata që kanë punuar kundër këtij vendi. T’u themi atyre se është e rëndësishme të punosh në Shqipëri, por për Shqipërinë. Sepse mund të jesh këtu, por ndoshta s’ke kontribuar kurrë për këtë vend. Sepse mund të jetosh këtu, dhe të punosh për të tjerë. Fëmijët janë të parët që kanë nevojë për shumë të vërteta. Ne duhet t’ua themi, duke nisur tek ajo që s’kemi mundur të themi hapur. Nuk kemi pse t’i gënjejmë për të djeshmen tonë, për miqtë, për armiqtë, për mundësitë, për pamundësitë. Ne duhet të gjejmë kurajën t’u tregojmë atyre pa frikë atë që nuk mundëm të bënim, por që nesër mund ta bëjnë ata. Shumë vende të civilizuara kanë shekuj që u flasin fëmijëve me gjuhën e së nesërmes, duke u lidhur vetëm pas një flamuri. Jo për të tepruar nacionalizmin, jo për t’u krahasuar me të tjerët, por duke besuar se, nesër mund të bëhesh i mirë për këtë vend, duke e dashur më parë, duke besuar se do të mundesh të jesh një prej atyre që mund të bëjnë historinë. Në kohën e sotme, heronjtë janë në përditshmërinë tonë, në komunikimin tonë, në atë që do të na duhet të gjithëve, e që mund ta ndërtojmë së bashku, duke pasur përpara flamurin që na bashkon të gjithëve, e që mund të na bëjë të ndihemi krenarë nëse do të jemi ne mbajtësit e saj një ditë në emër të asaj që mund të bëjmë për këtë vend. Dhe heronjtë mund të jenë të ndryshëm, ndonjëherë të padukshëm, ashtu siç ka çdo vend “heroin e panjohur”, që shënjon kontributet e të gjithë atyre që nuk mundën të identifikoheshin. Por çdo hap i kujtdo është i rëndësishëm për një rrugë të gjatë. Dhe gjithçka është aty, në një flamur të vetëm, që është gjithnjë më shumë sesa shohim. ….Ne të rriturit mund të kemi shumë gjëra të ndryshme nga njëri-tjetri. Mund të grindemi e të mos pëlqehemi kurrë politikisht apo për ide të ndryshme. Por, kur vijmë tek një flamur, duhet medoemos që gjuhët të kenë një të përbashkët e të kuptojmë që përpara atij flamuri duhet të gjejmë forcë e të përkulemi. Dhe të paktën, fëmijëve mund t’u tregojmë se gjithsecili prej tyre mund të rritet duke menduar se i takon një brezi që mund të fitojë çdo betejë. Dhe flamuri, për t’u valëvitur, ka nevojë për këtë të nesërme, për të cilën duhet të gjithë të kemi një dorë. Duke nisur së paku nga ajo që duhet t’u tregojmë fëmijëve për këtë ditë….

"Panorama"

KOMENTE