English

Kujtimet si antikujtime

Nga Alfred Lela

Në memuaristikën e botuar gjatë 20 viteve postkomunizëm një ndër tekstet më të rëndësishme dhe më të bukura është Kujtimet e Eqrem bej Vlorës. Ka qenë dhe mbetet i tillë sepse, mbi të gjitha, na jep një pasqyrë fantastike të Shqipërisë dhe shqiptarit dhe e bën këtë me një stil që e gjen rrallë në literaturë. Beu i Vlorës ka shkruar me synimin e kujtimeve të hedhura në kartë, pa e ditur se po shkruante një ndër tekstet më të mira të historisë së Shqipërisë.

Një tjetër tekst që është memuaristikë, por vjen valë-valë edhe si histori, janë edhe rrëfimet e Helena Kadaresë, shkrimtares dhe bashkëshortes së Ismail Kadaresë. Kohë e pamjaftueshme është gjithashtu një libër i shkruar mirë: janë bashkuar në të feminiliteti i së zonjës dhe sqima e të zotit. Sepse Koha… është një libër me dy autorë. Por, tjetër gjë e bënKohë e pamjaftueshme një prej librave më të rëndësishëm me kujtime të botuar në dy dekadat e fundit. Identifikimi i kësaj nuk është qëllimi i këtyre radhëve.

Ato duan të ndalen te parehatia që shkakton liria tek ish-kasta sunduese e këtij vendi, përkatësisht klika komuniste që jetonte në Bllok, në ish-qendër të gjërave. Ky shqetësim nga liria dhe e drejta e palëve për të thënë të vërtetat e tyre, apo ato që i kujtojnë të tilla, u vu re posaçërisht gjatë kësaj vjeshte të kolme botimesh, te Teuta Hoxha e Nexhmije Hoxha. E para nusja e djalit të Enver Hoxhës dhe e dyta bashkëshortja e diktatorit.

Zonja Hoxha (Teuta) në një intervistë për një të përditshme e turfulloi zemërimin e saj kundër një libri të gazetarit Blendi Fevziu. Biografia Enver Hoxha që, sa me marketing, sa prej statusit të autorit e sa prej kureshtjes për të njohur të vërtetat e errëta të historisë, u ngjit shpejt në majat e shkallinës bestseller, ku bashkë me suksesin rrinë në radhë edhe dekonstruktuesit. Ndër ta, të përzishme në ahistoricitetin e tyre, edhe dy zonjat Hoxha.

Teuta, rrëshqet aq shumë në teposhtën e zemërimit të saj, sa e quan autorin e Enver Hoxhës‘një nga ata të klasës së mundur’. Nexhmija shpall se ka gati një vëllim tjetër me kujtime. Ajo lajmëron kështu Antikujtimet. Të mos harrojmë se këtë vjeshtë, përveç Fevziut (biografi) ka botuar kujtimet e tij edhe Spartak Ngjela, një ish-i dënuar politik, bir i një prej ish-ministrave komunistë, pjesë e familjeve të Rrethit të Dytë, siç e përcakton ai në librin Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare. Nexhmijen dhe pak familje të tjera të Bllokut, avokat Ngjela i përcakton si të Rrethit të Parë.

Libri i Nexhmije Hoxhës do të pasojë dy të mëparshëm nga i njëjti autor. E meta e librave me kujtime të ish-klasës sunduese komuniste shqiptare, shembulli i shkëlqyer i kësaj është memuari i Ramiz Alisë, është se ata tingëllojnë më shumë si rivendikime ose përpjekje për të rilegjitimuar një kohë dhe klasë të diskredituar. Kjo ideologji, që e ka humbur luftën pikërisht se nuk ka lejuar e as kuptuar se liria, edhe ajo e botimit të kujtimeve, u takon të gjithëve, vazhdon të jetë kundër lirisë. Kjo liri jep mundësinë që burimet, dokumentet, dëshmitarët të ballafaqohen dhe nëpërmjet tyre ekspertët të shkruajnë historinë. Jo historinë e ndryshuar me dekorime me plumba kresë, gërshërë e retushime, siç bëri për 50 vjet Enver Hoxha.

Gazeta "Mapo"

KOMENTE