English

Shqipëria e veshur kuq e zi, hedh hapin drejt 1 shekulli Pavarësi

Tiranë, 28 nëntor 2011, NOA- Më shumë se çdo ditë tjetër shqiptarët por edhe politikanët e kanë ndier veten më patriotë, dhe kanë kujtuar me nderim duke përskuqur rrugët nga ngjyra e flamurit kombëtar ditën e Pavarësisë, e cila nga sot ka futur këmbët në vitin që përmbyll një shekull Pavarësi.

Kryeministri Sali Berisha tha pas përfundimit të ceremonisë në memorialin “Nën Shqipëri” në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, se 28-nëntori është dita më e rëndësishme e kombit.

E pikërisht si sot 99 vite më parë Shqipëria nisi rrugën nga qyteti bregdetar i Vlorës drejt ndërtimit të shtetit, i cili për 99 vite me radhë nga qeveria në qeveri është munduar ta ngrejë sa më lart këtë flamur.

Pas vizitës së bërë te varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”, Kryeministri Berisha u shpreh se, “Pavarësia e Shqipërisë është akti më madhor në historinë tonë kombëtare. Kjo ditë është rezultat i luftërave mbinjerëzore të shqiptarëve. Luftërat dhe kryengritjeve në Kosovë, ishin këto kryengritje që bënë të pashmangshëm Pavarësinë e Shqipërisë. Sot në nderojmë themeluesin, plakun e urtë Ismail Qemalin, udhëheqësit dhe drejtuesit e kryengritjes, Isa Boletin, Hasan Prishtinën e shumë e shumë të tjerë”.

Në fjalën e tij për mediat Berisha ka theksuar se sot nuk festohet vetëm Pavarësia, por edhe Dita e Çlirimit të Shqipërisë.

Nga koncerti në koncert, nga aktiviteti në aktivitet dhe në fund në pritjen e organizuar në Pallatin e Brigadave nga Presidenti Bamir Topi, Berisha është shprehur se, “Shqipëria hyn në 100 vjetorin e saj më e re, më e bukur se kurrë në historinë e saj. Shqiptarët kudo që janë, janë të lirë, po ndërtojnë të ardhmen e tyre në liri ndaj dhe le të urojmë së bashku një vit të madh të mbarë. Viti i 100 vjetorit para së gjithash është një vit i mirënjohjes së thellë për qindra mijëra gra dhe burra vajza e djem, që flijuan jetën dhe lirinë e tyre që Shqipëria të mbetet përjetë e lirë”.

Por ndryshe nga kreu i Qeverisë, Kreu i Shtetit Bamir Topi ka zgjedhur qytetin e Vlorës

për të uruar shqiptarët për Festën e Pavarësinë. Ai ka vendosur kurora me lule në memorialin e shpalljes së Pavarësisë, ndërsa ka vlerësuar në fjalën e tij veprën e Ismail Qemali. "Nderimi ynë shkon për Atin e Kombit, pagëzuesin e pavarësisë, Ismail Qemalin, njeriun model të sakrificës, urtësisë dhe vendimeve të mëdha", u shpreh Topi pasi vendosi kurora me lule te varri i Ismail Qemalit. Ai ka vlerësuar se projekti që nisi në vitin 1912 u pasua në shkurt të vitit 2008 me Pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa në pritjen me krerët e qeverisë, Presidenti Topi tha se, nuk ka nder më të madh se në vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë të merret ftesa për statusin e vendit kandidat, duke shprehur bindjen se ekzistojnë të gjithë forcat dhe të gjitha mundësitë për t’ia arritur këtij qëllimi.

Në vijim të urimeve, kryesocialisti Edi Rama nga Kosova ku dhe ndodhet prej tre ditësh ka uruar përmes faqes së tij në Twitter popullin shqiptar me fjalët, “Urimin e parë të kësaj dite të festës së flamurit ia bëmë Presidentes së Kosovës. Dite me diell e atmosferë festive. Gëzuar të gjithëve!”.

Sakaq kryeqyteti Tirana, epiqendra e gjithë Shqipërisë, e zbukuruar prej ditësh me ngjyrat kuq e zi, u shndërrua sot në qendrën më të madhe festive të ditëlindjes së 99-të të Pavarësisë. Aktivitetet e larmishme të shpërndara nëpër bulevardin kryesor të Tiranës dhe sheshet më të frekuentuara të kryeqytetit, ishin një ftesë e hapur për pjesëmarrjen e të gjitha grupmoshave. Rruga e vetme për këmbësorë në kryeqytet, ajo që mban emrin e firmëtarit të Pavarësisë “Murat Toptani”, u kthye në një panair të vërtetë ku u tregtuan prodhime shqiptare. Mes blerësve të shumtë në panairin “Blej Shqip” dhe qytetarëve kureshtarë në festimet për Pavarësinë të organizuara nga Bashkia e Tiranës, mori pjesë edhe kryebashkiaku Lulzim Basha, i shoqëruar nga bashkëshortja Aurela dhe vajza e madhe, Dafina. Kryebashkiaku Basha në mesazhin e tij uroi shqiptarët me fjalët, “Shpresoj, që qytetarët e Tiranës dhe gjithë shqiptarët që sot kanë zgjedhur Tiranën për 28 nëntorin, festën tonë kombëtare, të gjejnë në qytet atë që kërkojnë. Nëse kanë fëmijë të vegjël, shpresoj të jenë kënaqur me shfaqjet e ndryshme të Cirkut apo të Teatrit; ata që kanë interes për historinë, sot kanë pasur mundësinë të fotografohen bashkë me personazhet kryesore të Aktit të Pavarësisë, të performuar nga artistët e Teatrit “Metropol” dhe Teatrit Kombëtar”.

Dhe në fund urimi i tij ishte “Gëzuar festat! Gëzuar 28 nëntorin dhe bëfshi sa më shumë qejf në Tiranë! Është vendi i duhur për të kënduar, për t’u argëtuar e festuar së bashku”, uroi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Me rastin e festës së 28 nëntorit Bashkia e Tiranës organizoi një koncert me këngëtarët më të mirë dhe repertorin më të zgjedhur të muzikës së lehtë, të muzikës rrok dhe pop shqiptare por edhe të muzikës popullore shqiptare në shesin “Nënë Tereza”, në orën 18.00. E në përfundim të gjithë këtyre aktiviteteve ishin fishekzjarret shumëngjyrëshe, ato që shndritën qiellin, për të përmbyllur madhërishëm Pavarësinë e nisur 99 vite më parë.

a.y/NOA

KOMENTE