English

Gorbaçov vs Gymysh

Nga Belina Budini

Komunikimet dhe daljet publike të një personaliteti kombëtar ose botëror konsiderohen si kriter ose vlerë lajmi në praktikën e rregullt gazetareske sot. Duhet thënë se këtë mësim elementar të profesionit të gazetarit e thajnë edhe gazetat , por sidomos televizionet në Shqipëri. I shohim përditë teksa rendin si mizat pas emrave, duke e fryrë kriterin e emrit që përbën lajm si një tullumbace për të përfshirë aty një mori ofiqarësh publikë, politikanësh dhe klientë direkt të mediave që përfaqësojnë. Pikërisht ky teprim në mbulimin ose raportimin mediatik rreth emrave në përgjithësi dhe disa emrave të preferuar në veçanti, nxjerr në pah si arbitrare dhe joprofesionale përjashtimet editoriale nga ky rregull, i vendosur prej atyre vetë në praktikën e përditshme. I tillë ishte rasti i marxhinalizimit ose anashkalimit mediatik të Mikhail Gorbaçovit në Shqipëri, emër i cili është, pa dyshim, shumë më tepër sesa një personalitet i aktualitetit mediatik. Tepër i kualifikuar për t’u kaluar si gjithë emrat e tjerë të famshëm, Gorbaçov në Shqipëri kaloi, për habi, si më pak. Si shumë më pak. Në kronikat e ditës së vizitës së tij në Shqipëri, Gorbaçov meritoi ndonjë zonë periferike në mediat elektronike dhe disa të shkruara, si raportim rutinë. Një personalitet i vërtetë historik si Gorbaçovi vjen e rrethohet në Shqipëri nga një indiferencë e shtirur mediatike! Habitemi gjithnjë e më pak kur me këtë indiferencë të shtirur anashkalohen personazhe dhe ngjarje të vendit, në kuadër të rivaliteteve dhe konkurrencës ndërmjet zonave mediatike, por mbulimi i diellit me shoshë në mediat tona po merr, me sa duket, përmasa ndërkombëtare! Është ndoshta e tepërt të kujtojmë këtu ofiqin e lartë që ka mbajtur Mikhail Gorbaçov si ish-kryetar shteti i Bashkimit Sovjetik, referencë që në të vërtetë do të mjaftonte si kriter mbulimi nga ana e mediave. Kur flasim për mbulim mediatik, është e qartë se nuk po kërkojmë mbulimin e veprimtarisë ku ai mori pjesë, që përbën një ngjarje dytësore, edhe pse me vlerë lajmi gjithashtu. Lajm të parë përbën, në vetvete, dhe vetëm prania e një politikani legjendar si Gorbaçovi në Shqipëri, roli i të cilit ekzaminohet nga historianët e Oksfordit si ai i një faktori historik jo vetëm për Bashkimin Sovjetik ku lehtësoi kalimin nga komunizmi ortodoks drejt një sistemi tjetër politik, por edhe për vetë Shqipërinë dhe vendet e tjera të Lindjes, ku u reflektua kontributi dhe stili i tij politik prej reformatori serioz. Do të ishte krejt i pranueshëm, madje edhe ndonjë teprim në krah të kundërt, sikundër është paksa edhe ky shkrim, që do të shkonte deri në fetishizim të vetë personit si prani fizike. Në logjikën e gossip-it, nuk do të ishte ndonjë mëkat, sikur paparacët e suplementeve apo kamerat televizive të rendnin te Sofra e Ariut, ku me sa duket Gorbaçovi ka kënduar vendçe gjatë pranisë së tij të shkurtër në Shqipëri. Tek e fundit, ai si personazh është i njohur edhe për ekstravaganca të tilla, siç është shoqërizimi si imazh për reklamën e çantave të udhëtimit “Louis Vuitton” në vitin 2007, për të cilën një emër i madh i fotografisë, si Annie Leibovitz, realizoi një set mitik fotografish ku emri i Gorbaçovit i shtonte më tepër peshë atij të markës së njohur për prestigj. Për këtë fakt të thjeshtë që lidhej me emrin e Gorbaçovit raportuan jo vetëm mediat e modës si “Vogue”, por edhe ato më të rëndësishmet e aktualitetit, si “New York Times”, revista “Time” etj. Megjithëse mediat e Tiranës në përgjithësi nuk arritën ta kryenin as seriozisht, as disi më rozë detyrën e tyre të raportimit të ndershëm të një ngjarjeje dhe një personazhi kaq të rëndësishëm, duhet thënë se “Gorbaçovi” iu “konfiskua” në një farë mënyre publikut të interesuar shqiptar dhe në ndonjë rast edhe vetë mediave, nga sponsorët dhe organizatorët e veprimtarisë ku mori pjesë (një kampionat ndërkombëtar i shahut për femra). Ekskluziviteti ndaj një emri duhet të ketë njëfarë kuptimi kur bëhet fjalë për personazhe telenovelash si ai i Gymyshit, për shembull, që ishte e pranishme në Kënga Magjike, por duket krejt pa vend kur shkon deri te personazhe të kalibrit të Gorbaçovit apo ndonjë figure tjetër të rëndësisë dhe klasit më të lartë që ka vizituar ndonjëherë vendin tonë. Ky nuk është asesi një justifikim për mediat, sidoqoftë. Ato e gjetën fare mirë mënyrën si të raportonin gjerësisht Gymyshin e telenovelës, por nuk bënë asgjë që t’ia gjenin anën Gorbaçovit gjatë vizitës së tij në Tiranë.

"Panorama"

KOMENTE