English

Itali, OK paketës për shpëtimin e Italisë, shkurtohen shpenzimet politike

Romë, 5 dhjetor 2011, NOA – E kanë cilësuar si dekretin shpëtimtar të Italisë nga kriza financiare. Bëhet fjalë për paketën e masave shtrënguese prej 30 miliard eurosh, ndër to 20 miliardë shkurtime, që kryeministri italian Mario Monti është i vendosur ta prezantojë sot pasdite si të vetmen manovër, për të mbrojtur ekonominë italiane nga recesioni, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Kryeministri italian gjatë një konference për shtyp mbrëmjen e të dielës deklaroi se do të heqë dorë nga shpërblimi i tij duke iu drejtuar drejtpërsëdrejti qytetarëve italianë me bindjen se paketa e re është urgjente për Italinë.

Monti foli gjatë për krizën e rëndë, dhe nevojën për të shpëtuar sakrificat e të paktën katër gjeneratave, ndërkohë që borxhi publik i Italisë prej afro 120 për qind të GDP-së është shkaku i kësaj manovre të thellë.

Sipas Montit, ky borxh nuk u krijua për faj të europianëve, por të atyre italianëve që nuk kanë mbrojtur interesat e gjeneratave të ardhshme.

Kryeministri italian insistoi në shkurtimin e shpenzimeve në politikë, duke cituar veçanërisht eliminimin e këshillave të provincave dhe ridimensionimin e Autoriteteve Lokale, ndërkohë që masat shtrënguese nuk do të përfundojnë me kaq.

Edhe pse tani për tani provincat nuk do të eliminohen, plani i masave të qeverisë Monti ridimensionon në masë rolin e tyre, ndërkohë që kundërshtarët e cilësojnë si një masë antikushtetuese.

“Nuk mundemi të eleminojmë provincat sot për sot, por do të modifikojmë thellësisht qeverisjen e tyre dhe do të reduktojmë në mënyrë drastike numrin e këshilltarëve”, deklaroi kryeministri italian.

Ai tha se do të heqë dorë nga paga e tij si kryeministër duke hequr këtu edhe shpërblimet e dyfishta për anëtarët e qeverisë.

Monti nënvizoi se është i nevojshme “shtrëngimi i rripit”, si një masë për ngritjen e ekonomisë italiane dhe daljen nga kriza.

Paketa e masave shtrënguese e prezantuar nga kryeministri Mario Monti është duartrokitur nga Komisioni Evropian, si një sinjal i mirë për përqafimin e politikës ekonomike në BE.

mit/NOA

KOMENTE