English

Biznesmeni në Fier u ekzekutua për hakmarrje, kapet vrasësi kyç

Fier, 6 dhjetor 2011, NOA – Pesë ditë nga ekzekutimi me 10 plumba kallashnikovi, në shëtitoren pranë ish-hotel Vjosës në qendër të Fierit, i biznesmenit të ndërtimit Spartak Spaho, policia e Fierit ka arrestuar një 33-vjeçar nga fshati Povelçë, i Fierit, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.al.

Dyshohet se pista e ekzekutimit është një hakmarrje e vjetër, për një vrasje të kryer vite më parë nga viktima Spartak Spaho, informon NOA.al

Policia bën me dije se njëri prej autorëve të vrasjes së biznesmenit Spaho është Agim Skënder Hyka, 33 vjeç, banues ne fshatin Povelçë të Fierit, i cili u arrestua në orën 23.00 të mbrëmjes së të hënës.

Sipas policisë, Agim Hyka në bashkëpunim me persona të tjerë rreth orës 17.40 të të enjtes së 1 dhjetorit, në një pritë në lagjen “16 Prilli” të qytetit, mu përballë hotel Vjosës dyshohet se vranë me armë zjarri biznesmenin 42-vjeçar, Spartak Spaho, banues në Fier.

Ndërkohë që nga të shtënat me armë u plagosën edhe dy kalimtarë të rastit.

Agim Hyka është nën akuzë për vrasje me paramendim, ndërkohë që policia po vijon intensivisht kërkimin e autorëve të tjerë në krim.

Edhe pse policia nuk jep detaje për arsyet që çuan në ekzekutimin e biznesmenit Spartak Spaho, historia e ngjizjes së tij duket të jetë e shkuar.

Dyshohet se biznesmeni Spaho është vrarë për hakmarrje, ndaj një vrasjeje të kryer nga ai vetë në vitin 1997.

Vite më parë nëna e biznesmenit Spartak Spaho, pikërisht në vitin e mbrapshtë 1997 u nda nga bashkëshorti i saj, duke e lënë me fëmijët dhe iku jashtë shtetit me një person tjetër, të cilin më pas e vranë.

Dyshimet për vrasjen e të dashurit të nënës ranë asohere mbi biznesmenin Spartak Spaho.

Mendohet se Agim Hyka, i arrestuari si autor i vrasjes së biznesmenit është pikërisht nipi i të dashurit të mamasë së Spahos, i vrarë vite më parë nga Spartak Spaho.

Biznesmeni i ndërtimit Spartak Spaho duket se ishte piketuar prej kohësh nga nipi i personit, që viktima kishte ekzekutuar vite më parë.

Spaho u ekzekutua me 10 plumba kallashnikovi rreth orës 17:40 të pasdites së të enjtes pranë lagjes “16 Prilli”, tek ish-hotel “Vjosa”, që ndodhet në një shëtitore të mbipopulluar të Fierit.

Në këtë shëtitore Spartak Spaho po ndërtonte një pallat.

Bashkë me Spartak Spahon që gjeti vdekjen, të enjten e 1 dhjetorit u plagosën edhe dy kalimtarë Leonard Tole dhe Dritan Yzeiri.

42-vjeçari Spartak Spaho përveç biznesit të ndërtimit me të cilin kishte pak kohë që merrej, ishte edhe pronar i një lokali në Fier.

mit/NOA

KOMENTE