English

Festa e Hashures, Topi: Filozofia e islamit në shërbim të njerëzve

Tiranë, 6 dhjetor 2011, NOA- Kreu i Shtetit Bamir Topi me rastin e festës së Hashures ka vizituar Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku ka uruar Haxhi Baba Edmond Brahimaj dhe besimtarë të tjerë. Ne fjalën e tij Topi tha se, këto tradita të veçanta të vazhdojnë të japin si kurdoherë mesazhet e rëndësishme të dashurisë, mirëkuptimit, paqes e harmonisë me njëri-tjetrin. Në fjalën e dhënë për mediat, Presidenti u shpreh se, “Unë, në këtë ditë plot kuptim për bektashinjtë kur përkujtohen sakrificat e profetëve dhe të gjithë luftëtarët e martirët që luftuan në Qerbela për liri dhe demokraci, patjetër që jap urimet për çdo besimtar. Nga ana tjetër, Festa e Hashures ka një kuptim shumë interesant. Ju e dini që baza e Hashures është gruri, është ai që përbën elementin themelor të jetës së njeriut, pra atë po disktutonim edhe me Baba Mondin për këtë filozofi kaq të bukur të islamit që, në thelbin e vet ka atë që i shërben të gjithë njerëzve: Ka mirëkuptim, dhënien e ndihmës, komunikim dhe për të qenë të gjithë bashkë në një jetë, e cila na ka sjellë të gjithëve së bashku në këtë botë”. a.y/NOA

KOMENTE