Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Z. Kryeministër, në etikën politike vlejnë shembujt
English

Z. Kryeministër, në etikën politike vlejnë shembujt

Nga Arjan Vasjari

Biem në një mendje me atë që u tha kryeministri Berisha studentëve në Durrës: vizatimi që Edi Rama i ka bërë Fatos Nanos tek “Kurbani” është etikisht i padenjë. Padyshim që, themeluesi i së majtës së reformuar nuk ka përfaqësuar ndonjëherë institucionin e virtytit në politikën shqiptare, por ka një seri faktorësh që nuk ia lejojnë Edi Ramës akuzën kundër tij. Aq më pak në atë frymë poshtëruese.

Mirëpo, mes arsyes sonë të pastër dhe arsyes së zotit Kryeministër, qëndron parimi. Ne nuk mendojmë se kritika e drejtë që zoti Berisha i bëri zotit Rama lidhur me mungesën e dekorit etik kur ky flet për zotin Nano, i jep të drejtë kryeministrit. Përkundrazi! Ne mendojmë se kryeministri nuk qëndron në lartësinë e leksionit që u dha studentëve të Durrësit rreth kësaj çështjeje. Dhe mendojmë kështu, pikërisht pse besojmë se, në këtë fragment leksioni të zotit Kryeministër kishte shumë moralizëm dhe pak parim.

Në thelb, çështja e konsideratës politike mbi bashkëpunëtorët apo ish-bashkëpunëtorët, është më shumë se kaq. Madje,hollë-hollë është më shumë sesa çështje e etikës politike. Ajo del nga perimetri i kësaj të fundit dhe shtrihet tejpërtej shoqërisë duke ndërtuar kësisoj një model relacional, një kulturë të caktuar të sjelljes ndaj “tjetrit”. Dhe, meqenëse antikorpet kulturore të shoqërisë sonë nuk aktivizohen aq kollaj, rëndom ndodh që ai “tjetri” (ish-bashkëpunëtori në këtë rast) të jetë doemos “i keq”. E shkruar nga Edi Rama kundër Fatos Nanos, kjo sjellje tingëllon etikisht e pandershme, por e përdorur prej kryeministrit para një grupi studentësh si një akuzë kundër zotit Rama,është dyfish më e pandershme. Sepse, edhe pse nuk e ka të gdhendur përjetësisht në ndonjë libër provën e defektit të tij etik ndaj bashkëpunëtorëve, siç e ka Edi Rama me “Kurbanin”, Sali Berisha duhet të mendohet gjatë para se të ngjitet në katedër me një leksion mbi etikën politike. Është stilistikisht, shumë e thjeshtë të ndërtosh paralele mes Edi Ramës dhe Enver Hoxhës për nga mënyra sesi i pari trajton Fatos Nanon dhe i dyti trajtonte Haxhi Lleshin. Por, nuk është dhe aq e komplikuar që këtë paralele ta ndërtosh edhe mes Enver Hoxhës dhe Sali Berishës. Madje numrat dhe aktet e bëjnë më të thjeshtë për ta ndërtuar këtë paralelen e dytë. Edi Rama është vetëm një riciklues mediokër i kulturës së përbaltjes së ish-bashkëpunëtorëve. Laboratori i vërtetë, ku u projektuan dhe zbatuan metodologjitë më të avancuara në denigrimin e ish-bashkëpunëtorëve, është Partia Demokratike. Pavarësisht arsyeve (është e lehtë të kesh të tilla), mocionistët e Neritan Cekës,“karrigethyerit” e Dashamir Shehut apo “bukëshkalët” e Genc Pollos, janë vetëm një pjesë nga koleksioni i kryeveprave të dekadencës etike kundër ish-bashkëpunëtorëve. Dhe do të kishim gjithë arsyet e botës t’i klasifikonim si defektet organike të rritjes këto sjellje sikur të mos na ishin ringjallur pas sulmeve poshtëruese kundër Presidentit Bamir Topi, një ish-bashkëpunëtor i ngushtë i zotit Berisha. Ajo që Edi Rama ka shkruar kundër Fatos Nanos në “Kurbani-n” e tij nuk është hiçgjë po ta krahasosh me ato që zoti Berisha ka zbrazur kundër Bamir Topit. Dhe të mos harrojmë se Fatos Nano është vetëm një ish-kryetar partie, kurse Bamir Topi është Kryetari në detyrë i Republikës. Atëherë, si ta kuptojmë filipikën e zotit Kryeministër kundër zotit Rama, para studentëve në Durrës? Si një qasje parimore është e pamundur. Atëherë ngelet të jetë një overdozë moraloide mbi etikën politike, për të cilën studentët nuk kanë nevojë. Më shumë se njëmijë fjalët e kryeministrit kundër Edi Ramës, ata do të kishin nevojë për shembullin e tij. Ata nuk e kanë njohur as Enver Hoxhën dhe as Haxhi Lleshin dhe nuk kanë asnjë arsye të sforcohen për të njohur marrëdhëniet mes dy të vdekurve, që të kuptojnë sesi nuk duhet trajtuar një bashkëpunëtor apo ish i tillë. Atyre do t’u mjaftonin shembujt nga të gjallët e sotëm. Edi Rama nuk është një shembull i tillë. Sali Berisha aq më pak.

"Mapo"

KOMENTE