English

Rritja e çmimit të energjisë, shtyhet mbledhja e ERE

Tiranë, 7 dhjetor 2011, NOA- Mbledhja e Bordit të Entit Rregullator të Energjisë e cila ishte parashikuar të mblidhej ditën e sotme është shtyrë sërish.

Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, me shtyrjen e mbledhjes, u shty edhe vendimi për çmimet e reja të energjisë elektrike gjatë viteve 2012-2014 e cila e ka afatin deri të mërkurën e javës që vjen.

Mësohet se shkak për këtë shtyrje ishin disa paqartësi në planin e investimeve në disa HEC-e.

Enti Rregullator i Energjisë pritej që të vendoste sot për kërkesën e tre institucioneve që operojnë në sistemin elektro-energjetik në vend. Tre operatorët, KESH, CEZ dhe OST kanë kërkuar rritjen e çmimit të energjisë për vitet 2012-2014 deri në masën 4 për qind. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka sugjeruar që çmimi i energjisë elektrike të rritet nga 1.48 deri në 5.05 lekë për kilovat/orë. Ndërsa kompania private CEZ Shpërndarje ka kërkuar një rritje me rreth 4.6 lekë për kw/orë. Nga ana tjetër CEZ ka deklaruar se nuk do të kërkojë rritje nëse i falen borxhet që i ka shtetit dhe KESH-it. Kërkesë për rritje ka bërë dhe Operatori i Sistemit të Transmetim. Ky institucion sugjeron një rritje nga 0.6 lekë në 0.73. Sipas drejtuesve të OST kjo rritje është e domosdoshme për shkak të investimeve që duhet të kryhen në rrjet.

a.y/NOA

KOMENTE