English

Atentat me eksploziv Nëndrejtorit të Policisë së Tiranës

Tiranë, 8 dhjetor 2011, NOA – Një sasi eksplozivi ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të sotëm pranë banesës së Nëndrejtorit të Policisë së Tiranës, Dorian Muça, duke shkaktuar dëme materiale dhe fatmirësisht pa lënduar asnjë person, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Shpërthimi i eksplozivit ka ndodhur pas orës 03.30 të mëngjesit, në një pallat në rrugën “Frosina Plaku”, pranë Parkut të Autobusëve në kryeqytet.

Burime nga policia e kryeqytetit bëjnë me dije se sasia e eksplozivit ishte vendosur në hyrje të banesës së nëndrejtorit Muça, në katin e pestë të pallatit.

Shpërthimi i fuqishëm ka tronditur banorët e zonës duke shkaktuar gjendje ankthi ndaj të gdhirë.

Burime nga Policia e Tiranës dyshojnë se atentati ka ndodhur për shkak të detyrës, pasi nëndrejtori i policisë Dorian Muça merrej me hetimin e krimit në kryeqytet.

Ende nuk dihet se cilët mund të jenë autorët e atentatit të rëndë, por sipas policisë pallati ku banonte Nëndrejtori i Policisë së Tiranës survejohej nga kamerat e sigurisë.

Andaj grupi hetimor do të hetojë kasetat filmike, me pamjet e identifikuara nga kamerat e sigurisë.

Efektivë të shumtë të Policisë së Shtetit dhe Tiranës janë mbledhur në vendngjarje, ndërsa po punohet intensivisht për zbardhjen e atentatit, që tronditi zonën në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Vijon...

mit/NOA

KOMENTE