Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Gratë që na sundojnë
English

Gratë që na sundojnë

Nga Artan Fuga

Ka terma, që ndonëse shenjohen me fjalë të njëjta qysh prej kohëve historike deri tani, ata iu drejtohen realiteteve të ndryshme, objekteve të ndryshme, territoreve të ndryshme. Gustav Le Bon shpjegon hollësisht se ta zëmë fjala “atdhe”, në frëngjisht “patrie”, ndonëse ka kaluar nëpër histori me një veshje të njëjtë linguistike, megjithatë semantikisht ka pësuar ndryshime të mëdha.

Atdheu për një banor të qytetit grek të Lashtësisë, atdheu për një njeri të Mesjetës, apo për dikë lindur e rritur tradicionalisht brenda territorit të një shteti modern, nuk ka aspak të njëjtin kuptim në të gjitha rastet. Të gjithë flasin për “atdhe”, një përkthyes është i detyruar që një tekst të vjetër ku përmendet fjala “atdhe” në gjuhë të huaj, ta përkthejë me fjalën e sotme shqipe “atdhe”, por kjo nuk pengon të themi se kuptimi i termit në fjalë është i ndryshëm në kohëra të ndryshme historike.

Përkthimi gjuhësor dhe përkthimi semantik janë dy gjëra krejt të ndryshme. Gustav Le Bon këmbëngul kur thotë se për grekun e lashtë, atdheu ishte kryesisht qyteti – shtet, brenda të cilit ishte rritur dhe jetonte tradicionalisht e brez pas brezi. Për një individ mesjetar, “atdheu” është pikërisht e shumta krahina, brenda së cilës ai jeton dhe ka rrënjët familjare, kurse më pas, sidomos në periudhën e historisë moderne, shteti, kombi, territori kombëtar, atdheu nisin dhe njohin një proces njehsimi. “Cili është atdheu yt ?”, mund të pyesim një norvegjez, dhe presim prej tij të përgjigjet: “Atdheu im është Norvegjia”. Por, nuk besoj dot se po të pyetej në atë kohë një kështjellar i Mesjetës së hershme, jetuar ta zëmë në Durrësin e sotëm, se: “Nga je?” do të përgjigjej: “Jam nga Shqipëria”.

Në raste të tjera, termave me veshje të njëjtë linguistike përgjatë historisë nuk u korrespondojnë statuse të njëjta reale individësh apo grupesh shoqërore. Mjafton të lexosh me kujdes punime historianësh apo sociologësh të njohur që janë marrë me historinë e grupeve të ndryshme shoqërore në Europë, për të kuptuar se çfarë ngatërresash të hatashme ndodhin kur përmbajtja gjuhësore, shenja kodifikuese e një termi, konsiderohet si e barabartë me përmbajtjen semantike të tij.

Jam ndodhur në një diskutim mes njerëzish që merren me shkencat shoqërore, por pa një informacion të zgjeruar lidhur me historinë. Debati bëhej në një mjedis miqësor, jashtëprofesional, por gjithsesi mbi aspekte metodologjike.

“Kur lindi grupi shoqëror i borgjezëve?” – kjo ishte tema e debatit. Mendimet ishin të ndryshme. Dikush theksonte se kjo ka ndodhur aty nga shekulli i 12-të, një i dytë, kundërshtonte duke e lidhur me Iluminizmin dhe revolucionet kundër pushtetit absolutist mesjetar, ndërsa i treti fliste për një periudhë të mëvonshme që kishte të bënte me një kapitalizëm të zhvilluar, duke nisur nga shekulli i 19-të dhe më tej.

Përdornin të njëjtën fjalë gjuhësisht, por secili iu referohej me po atë fjalë koncepteve sociologjike dhe historike krejt të ndryshme. Janë së paku tri kuptime të ndryshme. Borgjezët si burgerët e qyteteve, përgjithësisht artizanë, tregtarë, juristë etj., që tashmë kryejnë veçanërisht profesione urbane, të mbledhur në zona banimi të veçuara dhe që përbëjnë zanafillën e qyteteve të kohëve të reja, janë një grup shoqëror krejt i përcaktuar. Nuk mund të datohet kaq saktësisht gjeneza e tyre, por dihet se qysh në Mesjetën e hershme ata banonin në atë që quhej qytet, i ndarë nga zona fshatare. Kurse në aspektin politik borgjezia sitroisième état, e cila merr një rol të rëndësishëm në shekujt 17-të dhe 18-të dhe bëhet bartësja e ndryshimeve institucionale dhe ekonomike të revolucioneve që përmbysën pushtetin absolutist, ka një kuptim tjetër politik. Ndërkaq, brenda koncepteve ideologjike të majta të shekullit të 19-të dhe në vazhdim, çka mbizotëruan kulturën ideologjike të kohës, borgjezia është një shtresë apo klasë shoqërore që lidhet me sistemin kapitalist, mbivlerën etj.

Mark Bloch, historian i njohur i shoqërisë feudale europiane, dëshmon se kjo mospërputhje midis termit si veshje e kodifikuar linguistike dhe përmbajtjes semantike të tij duhet mbajtur në konsideratë, sepse përndryshe krijohet një ngatërresë e spikatur metodologjike që sjell keqkuptime rrënjësore në shkencat sociale.

Në librin e tij, ai shpjegon me imtësi se edhe termat “bashkëshorte”, “martesë”, “lindje”, “grua”, “marrëdhënie familjare” etj., në fakt, pra, i gjithë universi i koncepteve që na lejon të kuptojmë shoqërinë e asaj periudhe, ndonëse përdor të njëjtën veshje linguistike sikurse ai që ne përdorim sot, në fakt ka kuptim krejt tjetër në shumë aspekte.

Bloch na shpjegon se në shumë shoqëri perëndimore të Mesjetës europiane, femra martohej si rregull edhe duke nisur nga një moshë dymbëdhjetëvjeçare, e zakonisht martohej, në fakt e martonin, me një burrë rreth të tridhjetave ose edhe më të moshuar akoma. Përgjithësisht, gruaja e martuar ishte vazhdimisht shtatzënë dhe shpesh vdiste në një moshë relativisht të re, pa mbërritur të tridhjetat, po ashtu jo rrallëherë gjatë një lindjeje të fundit, e drobitur nga shtatzënitë e shumta. Në këto kushte kuptohet se cilat ishin marrëdhëniet brenda familjes dhe cilat ishin aftësitë intelektuale, përjetimet emocionale, mënyrat e sjelljes së një bashkëshorteje dymbëdhjetëvjeçare ose pesëmbëdhjetëvjeçare, moshë që në kohën tonë konsiderohet ende si e fëmijërisë.

Togfjalëshi “grua e martuar” në atë kohë dhe në kohët tona është i njëjtë, por kuptimi i tij semantik ndryshon në përmbajtjen e vet në shumë aspekte sociologjike, psikologjike, kulturore, seksuale etj.

Mirëpo, duke ndjekur autorët e Lashtësisë, Platonin, Aristotelin, Ciceronin etj., ke dëshirën që dokumentet e rëndësishme që ata kanë lënë t’i shohësh edhe si sprova të fuqishme sociologjike të pozicionit të gruas në familje, të marrëdhënieve të saj me burrin, të familjes, të shkëmbimeve midis prindërve dhe fëmijëve etj. Ne përdorim ndofta të njëjtin term, që lidhet me statusin “grua e martuar” (nuk e di përse mora këtë shembull), por pas tij në periudha të ndryshme historike fshihen realitete krejt të ndryshme. Të duash t’i barazosh ato, pra t’i mbulosh me “borën” e ideologjisë të shkencave humane apo sociale kur ndodh që ato e kanë tradhtuar emrin e tyre, do të thotë ta bësh “dyst” historinë, të mos e konsiderosh në fakt si histori sepse historia ku mungon përmasa e kohës, pra fshihet dallimi nga njëra epokë te tjetra, nuk është më histori, por është një mbulesë gënjeshtare e realiteteve shoqërore të kohëve të ndryshme.

Kur përpiqesh, për shembull të lexosh dhe krahasosh Aristotelin me Ciceronin, kupton se tjetër është statusi i një gruaje në familje në botën e lashtë greke dhe tjetër është në kohën e Ciceronit në Romë. Por, edhe brenda historisë së Romës, tjetër është ky status para luftërave punike dhe tjetër pas tyre. Tjetër gruaja romake e shtresave të ulëta plebejane dhe tjetër ajo e aristokracisë romake, që ndonëse nuk merr pjesë drejtpërdrejt në jetën publike, përsëri ndikon tërthorazi me vullnetin dhe influencën e saj mbi burrin dhe djemtë e saj që mund të jenë konsuj, senatorë apo thjesht pasunarë që drejtojnë kompani biznesi.

Por, edhe këtu çështja nuk rresht së ndërlikuari për punëtorin naiv të shkencave humane. Ndodh që ai ngatërron statusin institucional të gruas, pozitën e saj të rregulluar sipas ligjeve apo zakoneve, dhe rolit të saj të vërtetë. Kjo iu ndodh atyre që bazohen vetëm dhe thjesht te dokumenti ligjor për të rindërtuar historinë, a thua se dokumenti është një provë e mjaftueshme për të vërtetuar kuptimin e faktit të kaluar. Kështu që, në vend të kemi riprodhimin e historisë ashtu sikurse pak a shumë duhet të ketë qenë, na del si rezultat historia sikurse është përshkruar formalisht nga dokumentet e kohës. Është njësoj sikur njerëzit që do të vijnë pas një mijë vjetësh ta ribëjnë historinë tonë të sotme nisur vetëm nga shkrimet në gazeta.

Në bibliografinë e studimeve romane përmendet edhe një frazë ironike e një njeriu të shquar të historisë romake, kur ai vinte në dukje pikërisht këtë dallim midis kuadrit normativ të statusit femëror, të certifikuar nga dokumente juridike dhe realitetit aq të ndërlikuar të jetës së vërtetë që shpesh ka qenë i kundërt me të parin. Në aspektin formal, është burri romak që njihet si sundimtar në familje, në realitet, jo e gjitha ndodh kështu. Kjo thënie na përcillet pak a shumë si më poshtë : “Çdo burrë sundon mbi gruan e tij. Romakët sundojnë mbi të gjithë meshkujt. Kurse mbi ne romakët sundojnë gratë tona”.

Kuptohet, askush nuk injoron historinë e dokumentit historik, por vetëm sa këmbëngulet tek ajo se vetëm citimi i këtyre dokumenteve është i pamjaftueshëm

"Mapo"

KOMENTE