Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Thaçi: Kosova mori ofertën e parë konkrete nga vendet e BE
English

Thaçi: Kosova mori ofertën e parë konkrete nga vendet e BE

Prishtinë, 10 dhjetor 2011, NOA – I sapokthyer nga vizita në Bruksel ku u takua me krerë të lartë të BE-së si Kryetarin e Këshillit të Evropës Herman van Rompuy, me kryediplomaten e lartë të BE-së Catherine Ashton dhe me Komisionerin për Zgjerimin Stefan Fule, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi përshëndeti konkluzionet e samitit të liderëve të BE-së duke deklaruar se për herë të parë vendet e BE-së bënë një ofertë konkrete për integrimin e Kosovës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Në një konferencë të posaçme për shtyp, kryeministri Thaçi deklaroi se procesi i integrimit në strukturat evropiane varet kryekëput nga përmbushja e kritereve brenda shtetit të Kosovës dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me secilin shtet veç e veç.

“Për herë të parë, perspektiva e përsëritur evropiane për Kosovën është përkthyer në një ofertë konkrete, në mënyrë unike nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian. Samiti i djeshëm konfirmoi konkluzionet e Ministrave të Jashtëm, që për Kosovën parasheh shumë qartë: hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave, hapjen e negociatave për marrëdhënie tregtare, qasjen e Kosovës në programet e Komunitetit dhe anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – EBRD”, theksoi Kryeministri i Kosovës.

Ai bëri me dije se duke pasur 1/3 e qytetarëve në diasporë, kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian, për familjet kosovare procesi i liberalizimit të vizave është mbase më i rëndësishmi.

“Por, si kryeministër, vlerësoj se vendosja e marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me BE-në përmes marrëveshjes tregtare dhe qasjes në programet e komunitetit shënon një kapitull të ri historik për relacionin në mes shtetit të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Si kryeministër i vendit, jam i vetëdijshëm që na presin edhe shumë punë deri në sendërtimin e plotë të vlerave dhe standardeve evropiane në Kosovë. Jam shumë i vetëdijshëm për sfidat që kemi, sidomos në fushën e rendit dhe ligjit, luftimin e korrupsionit dhe reformën e administratës publike”, tha zoti Thaçi.

Ai u zotua se qeveria e Kosovës do të përmbushë në një afat kohor rekord të gjitha detyrat që dalin nga ky proces, duke siguruar se do ta mbikëqyrte personalisht realizimin e axhendës për liberalizimin e vizave dhe marrëdhënieve tregtare.

Në vijim të konferencës Kryeministri i Kosovës, nënvizoi se gjatë samitit të liderëve të BE-së u konfirmua fakti që qasja konstruktive dhe e përgjegjshme evropiane, e dëshmuar në procesin e dialogut me Serbinë, ka shkuar në dobi të Kosovës dhe askujt tjetër.

“Shpeshherë, padrejtësisht dhe në mënyre naive jemi akuzuar se po ia përshpejtojmë rrugën Serbisë për BE, përmes dialogut që ndodhte në Bruksel. Në fakt, ndodhi ajo që pritej të ndodhte, e kundërta pra: për herë të parë, edhe zyrtarisht, rruga e Serbisë për në BE kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve me shtetin e Kosovës. Nga Brukseli prapakthim në këtë standard evropian nuk do të këtë. Kosova është e zotuar për fqinjësi të mirë, dhe unë edhe sot e konfirmoj që ne duam dhe punojmë për evropianizimin e rajonit dhe ndërtimin e raporteve të shëndosha në mes nesh, me të gjithë fqinjët, edhe me Serbinë.. “, nënvizoi Kryeministri i Kosovës, duke falenderuar partitë opozitare, të cilat qoftë përmes kontributit në Parlament, qoftë përmes ideve konkrete kanë ndihmuar axhendën evropiane.

Sipas Thaçit pa përkushtimin e kryetarëve të të gjitha komunave të Kosovës, në përmbushjen e detyrimeve për procesin e liberalizimit të vizave dialogu për liberalizimin e vizave nuk do të mund të ecte përpara.

Në fund të fjalës së tij kryeministri Thaçi kërkoi bashkëpunim për përmbushjen e axhendës ambicioze për liberalizimin e vizave me BE-së dhe integrimin e Kosovës në familjen evropiane.

“Të bashkuar rreth vizionit, për Kosovën demokratike, mirëqeverisëse, të sundimit të ligjit, të reformave demokratike, mund dhe do ta bëjmë Kosovën Evropiane. Kosovën do ta anëtarësojmë në NATO dhe në BE me meritokraci”, deklaroi Thaçi.

Gjatë konferencës ai u pyet nga gazetarët edhe për fjalimin e Presidentes së Kosovës në Kuvend tri ditë më parë, për të cilin theksoi se “Fjalimi i Presidentes i ka munguar vendit në vitet e shkuara”.

Sakaq ai premtoi tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe reforma të thella për Kosovën multietnike.

mit/NOA

KOMENTE