English

Familjokracia dhe Antishteti

Nga Artur Zheji Një pelerinë e vjetër endet në rruginat e mendjes së shqiptarëve. Familjokracia si një Antishtet i kudondodhur. Antishteti është jo vetëm një realitet paralel, një vetëmbrojtje mafioze, një mbyllje në rrethe klanore, ku përgjithësisht ne shqiptarët, mbrohemi apo i kundërvihemi Shtetit, sepse përgjithësisht, shtetin, e konsiderojmë akoma të huaj për ne, por edhe një strukturë trasversale që ka jetën dhe kodet e saja. Historikisht shteti shqiptar, si koncept thelbësor ka qenë një histori dështimesh dhe tradhëtirash ndaj shtetarëve të vet. Shpesh prirja për të krijuar një kastë, për t’u vetëshpallur nën petkun e një identiteti të ri, më të madh dhe më të lartë, gjithmonë e më të lartë, për të rindërtuar të shkuarën dhe për t’u vetëdeklaruar e ardhmja, ka qenë për shumë kohë, një sëmundje mendore, latente apo shpërthyese, e shtetarëve shqiptarë. Në emër të popullit dhe kundër tij, kjo ka qenë shpesh arti i zymtë i qeverisjes në Shqipëri.

Si pasojë e kësaj mbylljeje, e kësaj distance morale të Shtetit me popullin e tij, shqiptarët kanë përpunuar, ashtu si sicilianët, sardët apo baskët, një ‘shtet’ tjetër paralel, një kështjellë me mure të trasha, me derë të rëndë dhe me labirinthe kanalesh të nëndheshme.

Por e keqja është, se Qytetari dhe Shteti, akoma nuk janë miqësuar në Shqipëri. Mosbesimi i qytetarit shqiptar është i thellë, pasiqë për 500 vjet robëri në Perandorinë Osmane, mbijetoi nën këllëfin e një Antishteti, që i mbronte nga shteti perandorak. Më pas ky Antishtet, i mbrojti nga anarkia që erdhi bashkë me Pavarësinë në 1912-ën.

Më pastaj nga Monarkia absolute me veshje të tejdukshme konstitucionale, pastaj sërish nga anarkia e Luftës së Dytë Botërore dhe më pas nga Diktatura 45-vjeçare.

Demokracia e parashutuar në vitet ’90, ja mbërriti përsëri me trajta anarkiste duke kulmuar me Piramidat financiare dhe vitin’97 dhe janë fare pak vitet e këtij 10-vjeçari të fundit që pavarësisht zigzageve përjetohet një farë normaliteti, por sidoqoftë mbi themele të brishta dhe të paqëndrueshme. Kësisoj, ‘pelerina e vjetër’ e Antishtetit familjarokratik, qëndron ende mbi supet tona, edhe kur gjykatësit fluturojnë me tritol duke pikuar të vdekur në xhade, edhe kur shefave të policisë u pëlcet dinamit te dera e shtëpisë, edhe kur gjyqet dhe gjykatat janë më së shumti ankande dhe farsa, edhe kur, akoma sot, të fortit e politikës janë të paprekshëm, ndërsa një baba, denoncon të birin sepse vjedh patate apo ndonjë celular të përdorur, pasiqë nuk do që i djaloshi të shndërrohet herët ose vonë në një ushtar kriminal të Antishtetit të poshtëm.

Në shoqërinë tonë ende nuk ka hapësira për një debat të thellë moral. Interesat ekonomike dhe nënproduktet e tyre janë gjithmonë e më tepër pushtet dhe ligj dhe përtej interesave, nuk ka asgjë. Antiheroi është sot, në imagjinaren kolektive të shqiptarëve, trendy.

Grabitja, falsifikimi dhe 99 hilet, me doreza të bardha apo me doreza të zeza, simbas shtresës, janë ende një sport i përhapur dhe i dashur popullor. Korrupsioni po shndërrohet në një fe, koncepti i të ndershmes, ngjan me legjendën e jetës mbas vdekjes, të gjithë e përmendin, të gjithë e dëshërojnë por askush nuk e beson thellësisht. Askush sot, nuk ka kohë për një debat moral dhe kush ngacmohet ta hapë, mënjanohet si një qaraman apo gërvëraxhi i mërzitshëm.

Padyshim, ky që jetojmë është sidoqoftë, një shtrat botëror, ‘diktatura e parasë’, është tashmë një ‘diktaturë’ legjitime dhe e përqafuar universalisht. Ndryshimi në vendin tonë është se ndër ne, nuk ka pothuajse asnjë parashutë sociale apo morale që të zbusë kamzhikun dhe dhunën e kësaj diktature kaq të ashpër dhe kaq mjerimsjellëse për shtresat e varfra të shoqërisë.

Gjykatat janë gratis, por më së shumti, vendimet e saja blihen dhe shiten. Mjekimi është gratis, por mund të vdesësh për një apendicit apo për një inxheksjon të skaduar, nëse nuk paguan nën dorë. Siguria është gratis, por kush mund të thotë se ndjehet i sigurt, kur gjykatësi hidhet në erë, apo zëvendës/shefit të përgjithshëm të policisë i vënë dinamit në derën e shtëpisë?

Nëse nuk ke punë, nuk ke asgjë, pasiqë nuk ka asistencë të barabitshme as edhe me gjysmën e nevojshme për atë që mbiquhet minimumi jetik. Nëse je e bukur, pa vëllezër dhe xhaxhallarë, je e pambrojtur dhe rrezikon të trafikohesh… dhe kështu lista mund të zgjatej.

Dhe duket se prandaj ende një pjesë e madhe e shqiptarëve e mbajnë një pistoletë pa leje të fshehur diku në shtëpi, prandej dhe njohjet, klani, qeliza familjare dhe farefisnore, janë streha më e sigurt, si vetëmbrojtje dhe si llogore. Prandaj dhe interesat familjare dhe nepotike, në të gjitha nivelet janë një kult ndër shqiptarët, sepse janë një zgjidhje, kur zgjidhjen ta mohon gjithkush. Në emër të këtyre interesave, ligji mposhtet, drejtësia nëpërkëmbet, konkurset dështojnë dhe meritokracia është e zëvendësuar me familjokracinë, pothuajse në çdo hallkë të jetës dhe të aktivitetit shoqëror.

Pavarësisht se tani kemi më shumë supë dhe gjellë se dje, më shumë shanse dhe më shumë konsum të teshave firmato, më shumë vetura dhe më shumë kafenera, në këtë bilanc material, nuk kemi shtuar asgjë me peshë në themelet e qëndrueshme të Shtetit dhe të mendësisë kombëtare.

Në këtë prizëm, ‘fiksimi’ dhe investimi i Kryeministrit për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi të vogël energjetike rajonale apo në një eksportuese të rëndësishme të arrorëve, ullinjve dhe të frutave, është një orientim në dukje ekonomik, por në përmbajtje shtetformues. Përpjekja për të ndërtuar një prioritet ideal dhe për të krijuar një bazë ekonomike të krenarisë kombëtare, duhet inkurajuar nga shoqëria civile, nga shoqëria e mendimit dhe opinion makers-at.

Gjithashtu të transmeton entuziazëm nisma më e re e liderit të Opozitës, për një Rilindje Kombëtare, ku në qendër është njeriu i vogël dhe halli i tij i madh. Supa, portofoli, puna dhe kërkesat e tij ekzistenciale. Mendoj se Rama e ka qëlluar mirë këtë koncept. Është pra edhe ky një koncept, sërish me pikësynim shtetformues.

Pra me sa duket, nevoja për ndryshime të cilësishme dhe radikale, për të ngulur sa më thellë në tokën shqiptare, kollonat e shtetit, është ngjitur në majën e shtetit të sotshëm shqiptar. Normaliteti i qëndrueshëm dhe meritokracia, e kanë tash radhën të vendosen në shtratet e tyre, në themel të shoqërisë.

Koha nuk pret. Eksperienca shqiptare na mëson se gjërat e pakta të mira, i kemi akoma si ca skulptura akulli, ende jo prej guri. Ato edhe mund të shkrihen nga konflikti politik që gjithmonë rri në pritë dhe gjithçka duhet filluar sërish nga e para.

"Mapo"

KOMENTE
  • Ndre Molla analar20:48 - 13 Dhjetor 2011
    Ky shkrim i zotit Zhej eshte jashtezakonisht i rendesishem.Korrupsoni ose me mire te themi kryerja e sherbimeve te shtetarit kundrejt rryshfetit eshte brejtje e kollonave te shtetit.Dhe dihet se shtyllat kur i han "krimbi" bien me patjeter.Shoqeria jone ka nevoje per nje katarsis moral.Kjo sepse vetem ne Shqiperi i thone:hajdutit-i zoti dhe te ndershmit-budalla.Parasegjithash duhet nje reforme e thelle ne gjyqesor.Pa nje drejtesi te ndershme nuk mund te kete shoqeri te ndershme.Drejtesia eshte peshorja e moralit te nje shoqerie dhe tek ne ky eshte problemi themelor.Shkrimi i tij le te bie ne vesh te Zotit Sali Berisha dhe Kryetarit te opozites.Duhet nje pakt i madh politik per te nisur nje proqes te lavatriqimit te shtetit dhe shoqerise shqiptare,