English

Kreu i KLSH, opozita, karton të kuq për Bujar Leskaj

Tiranë, 13 dhjetor 2011, NOA – Ndërsa deputetët e mazhorancës dhanë konsensus dje për kandidaturën e ish-ministrit të Turizmit, Bujar Leskaj, i dekretuar nga Presidenti i Republikës për postin e kreut të KLSH-së, opozita garantoi sot votën kundër për këtë dekret të Kreut të Shtetit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Lajmin e bëri të ditur vetë lideri i opozitës Edi Rama, gjatë mbledhjes së përjavshme të grupit kuvendor të Partisë Socialiste.

Gjatë fjalës së tij tejet të shkurtër për mediat, Kryetari i Partisë Socialiste deklaroi se deputetët e majtë në Kuvend do të votojnë kundër dekretit të Presidentit, që propozoi më 17 nëntor Bujar Leskaj-n si Kryetar të ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Rikonfirmoj votën tonë kundër kandidaturës për Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, deklaroi kryesocialisti Rama para deputetëve socialistë.

Kandidatura e Bujar Leskaj gjeti pëlqimin brenda radhëve të Partisë Demokratike, ndërsa dekreti i mëparshëm me emrin e Sali Shehut në këtë post, u rrëzua nën pretendimin se ai nuk përmbushte kriteret kualitative për drejtimin e KLSH-së.

Ndërkohë, që ish-ministri i Turizmit, Bujar Leskaj ka disa diploma universitare, mes të cilave është laureuar për Ekonomi dhe Drejtësi.

Pritet, që dekreti për emërimin e Bujar Leskaj në krye të KLSH-së të hidhet në votë këtë të enjte, duke qenë se afati për miratimin e tij ka skaduar, në seancën e 8 dhjetorit, e cila përkoi me Ditën Kombëtare të Rinisë, kur Parlamenti ishte pushim si të gjitha institucionet e administratës publike.

mit/NOA

KOMENTE