English

Wollfarth: Shërbimi i Provës, hap konkret drejt reformimit të drejtësisë

Tiranë, 13 dhjetor 2011, NOA- Në fjalën e mbajtur në konferencën për Shërbimin e Provës, kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë Eugen Wollfarth tha se, krijimi i Shërbimit të Provës, në maj të vitit 2009, ishte një hap madhor drejt reformimit të sistemit të drejtësisë penale.

Sipas Wollfarth, ndryshimet e Kodit Penal në vitin 2008 dhe të Ligjit për Ekzekutimin e Vendimeve Penale ishin në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare për të ndryshuar praktikën e dënimit duke rritur numrin e alternativave të dënimit me burgim dhe duke shmangur përjashtimin social kurdo që të jetë e mundur.

Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, ambasadori Wollfarth theksoi se, “Dëshiroj të shpreh vlerësimin më të lartë për arritjet e këtij Shërbimi të Provës. Duke marrë parasysh faktin se të punosh me autorë të veprave penale duhet parë si një punë sfiduese në të gjitha aspektet, mund të themi se krijimi i Shërbimit të Provës përbën një sukses të prekshëm. Jam i gëzuar që bashkëpunimi midis Prezencës së OSBE-së dhe Shërbimit të Provës ka kontribuar në arritjet e këtij institucioni të ri. Megjithatë, duhet të pranojmë se mbetet ende shumë punë për të bërë për të zhvilluar një shërbim prove uniform dhe efektiv”.

Kreu i prezencës së OSBE veçoi faktin se për ndërtimin dhe funksionimin e këtij institucioni është një proces i gjatë dhe kërkon staf të trajnuar dhe programe edukative mbështetëse.

Sipas tij, ekspertiza e punonjësve të shërbimit të provës do të inkurajojë edhe gjykatat të përdorin alternativat e dënimit me burgim.

“Përveç reduktimit të mbipopullimit të burgjeve dhe kostove të sistemit penitenciar, roli kryesor i Shërbimit të Provës është të kontribuojë në rehabilitimin e ish autorëve të veprave penale dhe në ri-integrimin e tyre në shoqëri. Një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar promovimit të trajtimit në komunitet të ish autorëve të veprave penale, reduktimit të përjashtimit social dhe promovimit të përfshirjes së tyre në shoqëri”, u shpreh Wollfarth.

a.y/NOA

KOMENTE