Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Avokati i Popullit apo Avokati i Tinës?
English

Avokati i Popullit apo Avokati i Tinës?

"Të panevojshëm, sepse ndryshe nga oferta cinike e Jozefinës dy vjet më parë, kjo e sotmja për Avokatin e Popullit, është serioze, e për më tepër shumë politike. Ndaj mazhoranca po fërkon duart kur sheh se sot, kreut të këtij institucioni po i aviten njerëz apolitikë, lehtësisht të shantazhueshëm e të përkulshëm, pikërisht se nuk vijnë si kandidatura të konsoliduara politike".

Nga Sokol Balla

Një tufë me burra me thinja, e ca të tjerë me më pak, kanë disa ditë që, në garë për një post, po japin një shfaqje publike, e cila rrezikon të kthehet për mënyrën sesi po jepet, në simbolikën e ndarjes dhe ushtrimit të pushtetit nesër të së majtës, nëse ajo vjen në pushtet. Prej gati dy vjetësh, mazhoranca e kishte ofruar postin e Avokatit të Popullit, në shkëmbim të heshtjes së opozitës për transparencën e zgjedhjeve. Ajo çka mazhoranca po merr sot në shkëmbim, nuk është thjesht heshtja për zgjedhjet që shkuan, sesa heshtja për zgjedhjet e ardhshme. Ja sepse:

Ajo çka mazhoranca ofroi dy vjet më parë, është më se simbolike dhe pa asnjë vlerë në fakt. Avokati i Popullit në vetvete është një institucion kolegjial. Aty tashmë janë dy komisionerë të mazhorancës – njëri i LSI-së – dhe vendimmarrjet kryesore sigurisht nuk favorizojnë opozitën, edhe nëse ajo ka kryetarin, të sajin. Por si po shkojnë punët në përzgjedhjen me “dëgjesa publike” që po bën PS, ka shumë gjasë që edhe i treti, të zgjidhet nga një kategori, që e para nuk do të përfaqësojë politikisht opozitën dhe e dyta, të provojë publikisht, ndrojën që ekziston në selinë rozë, ndaj kryetarit të saj: se ai nuk di të ndajë pushtetin, jo me aleatë, por as me të tijtë.

Dikush mund të thotë se përse opozita duhet të ketë një përfaqësues politik në krye të avokatit të popullit? Shumë e thjeshtë. Sepse është prova e parë, sesi ajo do të sillet nesër në pushtet. Jo me favorizime e punësime, por me seriozitetin e marrjes me punët publike. Shumë vetë nga PS kur thoshin me gjysmë zëri se ndoshta në 2009 “nuk ishim gati për pushtet”, sigurisht kanë parasysh edhe kabinetin hije që ekzistonte në kokën e kryetarit, e që përfshinte shumë “infatuations” politikë të tij të momentit, të cilët sot as nuk dihet ku janë. Kjo sepse, nga 2009 e këtej u duk sikur Rama ktheu kokën nga PS dhe pranoi me gjysmë zemre, se nëse do të bëhej dikur kryeministër, nuk bëhej dot vetëm me mjaftistë dhe bollistë, por edhe me hardcore-in dhe ushtrinë e madhe elektorale të partisë së tij dhe të së majtës. Çka do të thoshte se ai duhet të hapej dhe hapja e tij duhet të ishte e sinqertë.

Ndaj, kur Avokati i Popullit u rikthye në agjendën ndërpartiake dhe 6 pikave të negociuara nga ndërkombëtarët, sigurisht u pa qartë, se vendimmarrja për emrin konkret, duhet të ishte po aq politike. Por ndërkohë ndodhi e papritura: u rinxor nga arkiva e Bashkisë së Tiranës dëgjesa publike, një skemë e mirë dhe funksionale me njerëzit e thjeshtë, për hallet e mëhallës apo njësisë bashkiake, por që nuk mund të funksionojë si nisëm politike, pasi ka një risk të madh: atë ose do ta bësh reale dhe të sinqertë, ose rrezikon të kthehesh qesharak në sytë e opinionit publik. Aq më shumë kur një ose dy emra kanë mbushur kafenetë e Tiranës, se janë ata fituesit. Po dëgjesa? Po komisioni i drejtuar nga Eglantina Gjermeni dhe Besnik Baraj? A thua gjithçka është një farsë dhe të enjten grupi parlamentar do ftohet të ngrejë duart si delet për të votuar “kandidatin e përzgjedhur nga komisioni”? Cili komision? Ky i Tinës – të më ndjejë deputetja e nderuar, por asgjë personale me të – apo komisioni në kokën e kryetarit apo ndonjë “të zemëruari” momental pranë tij? “Po s’kanë ç‘thonë se ja, komisionin e drejton Tina”, thonë naivët pranë kryetarit Rama. Po pse? A thua kaq të trashë janë njerëzit vallë? Cili do jetë ndryshimi mes votës për Avokatin e Tinës dhe votës si bagëti, që do ketë për kreun e KLSH nga grupi parlamentar i PD, vetëm pas një urdhri pa zë e figurë, të Berishës? Në fakt ndryshimi ekziston. Së paku – dhe shyqyr – që muret e selisë rozë, janë si një shtëpi xhami, ku e ku larg bunkerit të konsoliduar personal të kreut të selisë blu. Dhe kjo duhet të ishte arsyeja përse kreu i PS-së nuk duhet të bënte gafën e të ndërmerrte një proces sa për sy e faqe. E për më tepër të panevojshëm.

Të panevojshëm, sepse ndryshe nga oferta cinike e Jozefinës dy vjet më parë, kjo e sotmja për Avokatin e Popullit, është serioze, e për më tepër shumë politike. Ndaj mazhoranca po fërkon duart kur sheh se sot, kreut të këtij institucioni po i aviten njerëz apolitikë, lehtësisht të shantazhueshëm e të përkulshëm, pikërisht se nuk vijnë si kandidatura të konsoliduara politike. Mesa duket, edhe në këtë rast, është mazhoranca, e cila duke kompleksuar kreun e opozitës për deklarimet e tij të mëparshme “për një avokat populli apolitik”, po realizon qëllimin e saj: po i merr në tavolinë fitoren e radhës. Po i blen falas heshtjen për zgjedhjet e ardhshme. Një kandidaturë politike, do t’i siguronte opozitës një monitorim të burgjeve dhe komisariateve të policisë në pragzgjedhjesh, se a nuk na është ankuar ajo për dhunë policore, për emërime elektorale, për votime kolektive në burgje? Një drejtim politik i këtij institucioni, do të ishte garancia më e mirë, për një pikë delikate të çdo raporti ndërkombëtar për ditët e zgjedhjeve në Shqipëri. Por një ojq-ist sigurisht nuk e kupton këtë. E s’ka si ta kuptojë, po nuk e kuptoi këtë, ai që e vendos në atë vend.

Sigurisht ka edhe një anë të brendshme politike në këtë mes. Edi Rama nëse do që të bëhet kryeministër, duhet të dijë të ndajë pushtet me të tijtë. E si mund t’i bindë ata, kur në rastin më të parë, e dhuron këtë post dikujt jashtë gardhit rozë? E enjtja do jetë një ditë e vështirë por vendimtare për fytyrën e ardhshme të pushtetit rozë. Dhe për kreun e saj, që mesa duket nuk ka zënë shumë mend nga gabimet e së shkuarës, ose së paku as nuk bën sikur, sa për sy e faqe. E nëse kjo e fundit rezulton e vërtetë, as në këtë pikë nuk arrin dot të konkurrojë me rivalin e tij të “sëkëlldisur”.

"Mapo"

KOMENTE