English

Berisha: Artistët i kanë dhënë krenari kombit

Tiranë, 15 dhjetor 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në 45-vjetorin e Akademisë së Arteve, se ky universiteti i ka dhënë krenari çdo shqiptari me artistët që ka nxjerrë. Në fjalën e tij në ceremoninë e organizuar në Ambientet e Akademisë, Berisha theksoi se artistët kanë bërë të ndjehet krenar çdo shqiptar.

“Ju jeni pjesë e krenarisë kombëtare, me asgjë nuk krenohen qytetarët e këtij vendi më shumë se artistët e vet. Kjo nuk është e rastit, tek ata ekziston vetëdija se jeta merr ngjyrat nga ju. Me veprat tuaja ju i jepni asaj të gjitha koloritet që e bëjnë atë të bukur”, tha Berisha. Ai vlerësoi disa prej figurave që ka nxjerrë Akademia, duke theksuar se edhe pas viteve të komunizmit, arti ka pasur momente kulmore.

“Asgjë nuk lidhet me shumë se puna juaj më atë që është thelbi i një kombi, me identitetin e tij. Në këto 45 vite Universiteti juaj ka nxjerrë kollosë të mëdhenj në të gjitha artet. Këto 20 vite jo më përkrahjen e regjimit, por prapë ja kini dalë të përfaqësoni shpirtin dhe artin e këtij vendi”, tha Berisha.

Ai u shpreh se përkrahja e qeverisë nuk do të mungojë për universitetin e artit dhe për gjithë artistët që kanë shkëlqyet në vendet e huaja.

a.k/NOA

KOMENTE