English

Halimi: Në janar, skema e shpërblimit të plotë të pronave

Tiranë, 15 dhjetor, 2011 NOA- Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi tha sot në konferencën e Këshillit të Europës për vendimet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut se në janar qeveria do të bëjë publike, “modelin për shpërblimin e drejtë e të plotë të pronave”.

Ministri i Drejtësisë theksoi se Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Drejtësisë kanë bërë përpjekje maksimale për reformimin rrënjësor të një prej të drejtave më themelore të njeriut, atë të pronësisë.

“Jemi në stadin e miratimit të një dokumenti kyç përfundimtar strategjik, i cili do të prezantojë një vizion të qartë dhe prioritete specifike, të matshme, të arritshme dhe të monitorueshme. Strategjia kombëtare e pronësisë, e qeverise shqiptare, e cila është duke u konsultuar me ekspertet me te mire vendas dhe te organizmave ndërkombëtare, do paraqesë ne mënyre specifike parimet e dimensionit kushtetues dhe lidhen me “interesin publik”, “shpërblimin e drejtë”, parimin e drejtësisë, të proporcionalitetit dhe të shtetit social, duke u bazuar absolutisht ne elaborimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe gjetjet dhe rekomandimet e Memorandumit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës”, tha Halimi.

Ai shton se strategjia kombëtare e pronës do të miratohet në muajin e ardhshëm, do të këtë një plan veprimi konkret dhe plan masash objektive që synojnë digitalizimin tërësor të regjistrit të tokës dhe pronave në Shqipëri.

a.k/NOA

KOMENTE