English

Aksident nga pagjumësia, humb jetën pasagjerja me nënshtetësi amerikane

Gjirokastër, 17 dhjetor 2011, NOA – Pagjumësia është bërë shkak që një kamionçinë që vinte nga Athina dhe shkonte drejt Shkodrës të përplaset nga prapa me një maune duke shkaktuar vdekjen e një pasagjeri dhe plagosjen e dy personave të tjerë, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.al.

Aksidenti i rëndë ndodhi paraditen e sotme, rreth orës 11.00 në aksin rrugor Tepelenë – Krahs, në vendin e quajtur Kthesa e Luftinjës në Tepelenë.

Sipas policisë së Gjirokastrës aksidenti ndodhi pasi automjeti tip Ford kamionçinë, me targa greke EMK 38 74, që drejtohej nga shtetasi Sokol Lepeja, i datëlindjes 1953, lindur dhe banues në Shkodër, teksa po udhëtonte nga Athina për në Shkodër ka goditur nga mbrapa një automjet kamion maune me targa FR 49 74 C, që drejtohej nga shtetasi Subi Buzi.

Drejtuesi i kamionçinës udhëtonte në makinë me me dy shtetasit Nush Prendi, i datëlindjes 1940, lindur në Shkodër, me nënshtetësi amerikane, si dhe bashkëshortja e tij Arta Prendi , e datëlindjes 1957, lindur në Shkodër dhe kjo me nënshtetësi amerikane, e cila ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Policia bën me dije se automjeti Ford kamionçinë i ngarkuar me materiale ndërtimi si tubo metalike dhe dërrasa druri, gjatë goditjes është futur poshtë kamionit dhe për pasojë janë plagosur shtetasit Sokol Lepeja, drejtuesi i automjetit, si dhe pasagjeri Nush Prendi.

Uniformat blu thonë se pasagjerja Arta Prendi, bashkëshortja e Nush Prendit, si pasojë e goditjes në kokë nga tubot metalike dhe dërrasat e drurit, që ishin në karrocerinë e kamionçinës ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Pas aksidenti dy të plagosurit janë transportuar në spitalin e Tepelenës ku pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ka konstatuar se shkaku paraprak i aksidentit ka qenë pagjumësia si dhe lagështira e madhe në rrugë pasi binte shi me intensitet të lartë.

Ndërkohë policia po vijon hetimin e shkakut të aksidentit, ndërsa drejtuesi i makinës Sokol Lepeja, krushku i çiftit Prendi do të hetohet më tej për çështjen.

mit/NOA

KOMENTE
  • Lumni Shala18:04 - 17 Dhjetor 2011
    me vjen shum keq per ngjarjen e ndodhur ne kete aksidente por zoti kur e shenion ket nuk ke ku te ikish .ngushllime per familjen e tyre lumni shala.....