Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Një pyetje dhe një përfundim
English

Një pyetje dhe një përfundim

Pyetja për Presidentin Meidani.

Nga Edi Rama

Qysh në fillim dua të them se ushqej respekt për Presidentin Meidani. E quaj kështu sepse kështu është mirë të quhet, si kudo në botë, cilido që e ka mbuluar detyrën e lartë të kreut të shtetit. Madje edhe të trajtohet si i tillë deri në fund të jetës, me një status të veçantë të dekretuar me ligj, sepse vetëm në Shqipëri ndodh që pas përfundimit të detyrës një president të quhet "ish" dhe të mos ketë as zyrë, as makinë, as një mbulim të posaçëm shpenzimesh, gjëra të cilat në fakt shprehin seriozitetin e dinjitetin e shtetit. Presidenti Meidani ka qenë publikisht kritik ndaj PS-së e ndaj meje, posaçërisht ndaj meje, nëpër gazeta sidomos, po edhe ekrane. Në këndvështrimin tim, kritikat e tij kanë vërshuar rëndom krejt padrejtësisht në adresën tonë e timen, po sidoqoftë asnjë problem deri këtu. Gjithkush ruan të drejtën e këndvështrimit të tij dhe është e drejta e pakontestueshme e Presidentit Meidani të jetë i pakënaqur me PS-në, me drejtimin e saj, me mua personalisht padyshim. Çka më shtyn të flas publikisht, për herë të parë në kundërshti të hapur me të, është përsiatja e tij e zgjatur për të folur e folur për një bashkim të domosdoshëm të së majtës siç e quan ai, duke thënë troç: "Pa LSI-në PS-ja nuk vjen dot në pushtet" dhe duke shtuar "Edi Rama s'e bën dot këtë bashkim". Ai nuk është i vetmi që çelësin magjik të fitores sonë e gjen në xhepin e Ilir Metës, por në këtë rast, megjithë përpjekjet vetmevete, unë s'e gjej dot çfarë justifikimi moral do të kishte ky bashkimpazar i ri përveç gjakimit për pushtet dhe çfarë do të sillte apo bënte ndryshe paskëtaj, një pushtet i tillë për shtetndërtimin e Shqipërisë Europiane e për shqiptarët e mbetur sot peng të një bashkimpazari të vjetër(?). Eshtë një pyetje që me plot të drejtë mundon shumëkënd. E kjo pyetje, më shumë se sa kujtdo tjetër që mund të nxitet së brendshmi edhe prej dëshirës për pushtet dhe i bie këmbanës së këtij bashkimi fort të dyshimtë, vlen t'i bëhet Presidentit Meidani. Prej të cilit jo si person, po si një autoritet moral që buron prej detyrës së dikurshme në krye të shtetit të shqiptarëve, unë vetë si qytetar do të prisja natyrshëm më pak aritmetikë e më shumë etikë në udhërrëfimin moral të këtij populli. Ndërsa si kryetar i kësaj opozite të vjedhur e të vrarë, do të vazhdoj të mirëpres kritikat e Presidentit të vetëm socialist të këtyre njëzet vjetëve, por do të prisja sigurisht më shumë kontribut kundër varfërisë së aspiratave, në kushtet kur vendi po rrëshqet përditë në një tirani tribale, dhe shembujt inkurajues për njerëzit e trembur nga varfëria materiale nuk është se janë të shumtë.

Përfundimi për Avokatin e Popullit.

Sipas meje që e ndoqa nga fillimi në fund dëgjesën publike duke çmuar çdonjë prej kandidatëve, Komisioni Përzgjedhës nuk gaboi. Vuri gishtin tek kandidati që u paraqit pak më mirë se të tjerët, pjesa më e madhe e të cilëve ishin vërtet shumë dinjitozë në CV-të, platformat, prezantimet e tyre publike. Më pas dolën bishtat. E siç ndodh rëndom, ngriti krye zakoni i vjetër i zbulimit të komplotit të radhës, po s'do merrem me këtë se është kohë e humbur. Të ishte për të vënë një kandidat me dorë do të ishte një punë fort më e lehtë dhe pikë. Koha do të tregojë se sa do të përputhet paraqitja mbresëlënëse e Igli Totozanit me aktivitetin publik të Avokatit të ri të Popullit. Çka do të mbetet është vlera e shtuar publike që atij institucioni i erdhi nga ky proces dhe vlera e vetë procesit si një shembull konkret i vizionit tonë për një administrim publik europian. Programi ynë i ri për një rilindje shqiptare flet për ndarjen e shtetit nga pushteti, procesi i përzgjedhjes së Avokatit të ri të Popullit e ilustron atë çka thuhet në program. Eshtë një program i mirëpritur nga publiku dhe i votuar nga Kongresi i 5 nëntorit. Ne do ta zbatojmë atë pikë për pikë, në frymë në rradhë të parë e në gërmë po ashtu. Vetëm një shtet i ndarë nga pushteti, me institucione të publikut e jo të partive, do të mund të bëhet mbështetja e sigurtë e çdo qytetari dhe e çdo socialisti e progresisti padyshim. Vetëm një shtet i ndarë nga pushteti do të mbrojë të drejtën e jetës, pronës, punës në funksion të mirëqenies së të gjithëve e jo vetëm të atyre që ulen në karriget e shtetit me të ndenjurat e pushtetit. Vetëm një shtet i ndarë nga pushteti do të sigurojë frymëmarrje të lirë për vendin e shoqërinë, duke i dhënë përmbajtje demokracisë, kuptim drejtësisë dhe fuqi ekonomisë. Kur shkruanim programin e zgjedhjeve të vitit 2009, biseduam dy ditë me kryeministrin francez Michel Rocard, erudit marramendës dhe shtetar me eksperiencë të vyer, i cili më tha "Asgjë s'do bëni dot për ta kthyer demokracinë në funksion të jetës publike e të interesave shoqërore apo individuale, nëse nuk hidhni themelet e një administrate publike të çliruar nga kthetrat e pushtetit politik. Do dojë kohë, shumë kohë, po dikur duhet nisur nga diku, pak nga pak dhe përmes shembujve të qeverisjes së mirë". Ky i Avokatit të Popullit ishte një shembull i tillë. Të tjerë do ta pasojnë.

KOMENTE