Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Christopher Hitchens, polemisti i tmerrshëm që sulmoi Nënë Terezën, por mbrojti Kosovën
English

Christopher Hitchens, polemisti i tmerrshëm që sulmoi Nënë Terezën, por mbrojti Kosovën

"Për Kosovën, Ballkanin dhe shqiptarët kishte simpati të jashtëzakonshme. Serbët i quante racistë. Një herë pat shkruar se “është mëkat që në retrospektivë, na mori aq kohë ta diagnostifikojmë patologjinë e kombinimit të arrogancës dhe shtirjes se kinse janë gjynah, të Serbisë, sipas së cilës çka i takon atyre është e atyre, e çka i takon të tjerëve është mirë të negociohet”....

Nga Petrit Selimi

Gjatë verës që shkoi pata nderin të shtroj një darkë për historianin më të mirë të çështjes së Kosovës, Noel Malcolm, aktivisten e të drejtave të njeriut, yllin e dikurshëm të modës, Bianca Jagger, si dhe diplomatin tonë të shkëlqyer në Londër e historianin e pashoq të letrave shqipe, Bejtullah Destanin. Një nga temat ishte lidhja e stërhollë, por e fuqishme midis Kosovës dhe Britanisë. Patjetër u përmend një emër, i publicistit Christopher Hitchens. Malcolm, si një ish-gazetar dhe zonja Jagger si pjesëmarrëse aktive e skenës kulturore gjatë disa dekadave, e njihnin Hitchens. “Njeriu me gjuhë të tmerrshme dhe helmuese”, tha Jagger. Dhe me të vërtetë, Hitchens ka qenë i famshëm për togfjalëshat dhe sentencat kreative me numër të madh të fjalëve “të angazhuara” që jo pak njerëz i kishin quajtur urrejtëse. Si ateist i përbetuar dhe autori i librit bestseller “Zoti s’është edhe aq i mirë”, Hitchens një herë e pat quajtur Nënën Terezë si “shkurtabiqja shqiptare fanatike dhe hajdute”; Henry Kissingerin, ish-Sekretarin e Shtetit Amerikan e quante “mbeturinë kundërmuese”. Këta dy, së bashku me Papët, Avigdor Libermanin, sheikët arabë, Kishën Ortodokse dhe majtistët e modernitetit kishin duruar me faqe e faqe sulme verbale ndër më kreativet nga ndonjë autor gjatë dekadave të punës së Hitchens.

I inkurajuar nga biseda me miqtë nga Britania, iu drejtova Hitchensit me email, gjë që shkaktoi një korrespodencë modeste me te. E dija që kishte kancer në ezofag dhe se nuk fliste, por shkruante më dendur se kurrë. Përkundër sëmundjes dhe kimioterapisë, arriti në fund të verës të japë edhe një kontribut të shkurtër për Kosovën duke shkruar një recension të vockël librit të Laburistit dhe ish-Ministrit Denis MacShane. Aty shkroi se “popujt e Kosovës – si të pastruarit etnikisht Shqiptarët ashtu edhe Serbët e eksploatuar demagogjikisht - e dinë se kë kanë mik. Ky libër do të qëndrojë si përmendore e një kohe të vështirë dhe forcës njerëzore që e mbijetoi atë”.

Për Kosovën, Ballkanin dhe shqiptarët kishte simpati të jashtëzakonshme. Serbët i quante racistë. Një herë pat shkruar se “është mëkat që në retrospektivë, na mori aq kohë ta diagnostifikojmë patologjinë e kombinimit të arrogancës dhe shtirjes se kinse janë gjynah, të Serbisë, sipas së cilës çka i takon atyre është e atyre, e çka i takon të tjerëve është mirë të negociohet”.

Më 2010, pas verdiktit të GJND-së Hitchens, shok i ngushtë i shkrimtarëve Salman Rushdie dhe Martin Amis, me elokuencë bëri thirrje publike që Kosova të mos harrohet: “Ne humbim diçka të rëndësishme nëse e harrojmë Kosovën dhe ngjarjet e tmerrshme që sollën vetëvendosjen më në fund për dy milionë banorët e saj. Shumë gjatë të deprivuar edhe nga të drejtat më të thjeshta kombëtare dhe njerëzore, të drejtuar prej majës së pushkës kah trenat e deportimit dhe të rrezikuar nga kërcënimi i vrasjeve masive, këta njerëz shumë vonë u shpëtuan nga një intervenimi cili tha, fare thjeshtë, që ka limit se deri ku tolerohet thyerja e ligjeve dhe deri ku mund të turpërohet ndërgjegjja”. Përqeshte ata që barazonin situatën në Osetinë separatist me Kosovën, sepse Kosova ishte “akti përmbyllës i një humbjeje të një skeme të keqe. Shqiptarët nuk do të pranojnë restaurimin e suverenitetit serb, jo më pak se polakët që do ta refuzonin bashkimin me Rusinë”.

Mbi dhjetëra letra, korrespodenca dhe ese ka shkruar Hitchens për Kosovën në revistat më eminente botërore, prej Vanity Fair e Washington Post deri tek periodiku perëndimor, ku ka polemizuar edhe me miq të vjetër si Noam Chomsky për drejtësinë e luftës në Kosovë. Diku kah mesi i 1999 sulmon ashpër edhe Presidentin Klinton duke e quajtur tradhtar. Hitchens frikësohej se Klinton do ta tradhtonte Kryeministrin Blair në luftën e NATO-s dhe se do të bënte një kompromis me Rusinë që do ta ndante Kosovën dhe harronte shqiptarët. Respekti i madh ndaj amerikanëve nuk më lë t’i përsëris fjalët që Hitchens përdor për Klintonin, gjithmonë në mbrojtje të zellshme të çështjes së Kosovës.

Hitchens shpesh citonte edhe Trockin nga memuarët e komunistit të famshëm rus kur ky pat raportuar për krimet serbe ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike në fillim të shekullit të shkuar. Hitchens ishte i njohur për memorie fotografike dhe dinte për Kosovën më shumë detaje se pak shqiptarë.

Anëtar i klasës së epërme britanike, Hitchens, apo siç njihej Hitch, ka qenë ndër karakteret më jo-ortodokse të letërsisë dhe publicistikës. Në jetën private ishte herë homoseksual (pat thënë se kishte fjetur me dy politikanë konservativë) herë heteroseksual (“aq jam plakur e i fëlliqur, saqë meshkujt më nuk më shikojnë”), i martuar dy herë. Ishte trockist dhe majtist tërë jetën e vet duke sulmuar bastionet dhe personat më eminent të djathtizmit, por në Kosovë përkrahu intervenimin e më vonë edhe në Irak, duke lënë idealet e rinisë për t’u parë si përkrahës i madh i George Bushit. U mor shumë me islamin ekstrem pas sulmit terrorist më 11 shtator.

Polemizues i hatashëm, polemikën e fundit e shkroi pak ditë para se të vdiste. I diagnozuar me kancerin terminal dhe duke lënguar nga pasojat e kimioterapisë shkatërruese, në të shprehu zhgënjimin personal me thënien e vjetër popullore “çka nuk të vret, të bën më të fortë”, duke ruajtur edhe në çastet e fundit të jetës ironinë tipike.

*Autori është zv/ministër i Jashtëm i Kosovës.

KOMENTE
  • Sander Preci20:35 - 18 Dhjetor 2011
    te vjeri turp inderuar zotni qe pergojoni shejtoren nan-tereza gjestin qe ka ber nan-tereza nuk ka arrit ta bejes asnjeri ne bot,e cila arriti pushoi luften ne lindjen e mesme