English

Berlini i bën thirrje Koresë së Veriut të ndërmarrë reforma

Berlin, 19 Dhjetor 2011 - Qeveria Federale gjermane i kërkoi Koresë së Veriut që pas vdekjes së pushtetmbajtësit Kim Jong Il të ndërmarrë reforma paqësore.

Udhëheqja e re e vendit duhet të heqë dorë nga programi atomik, të përmirësojë gjendjen humanitare në vend, si dhe të jetë e gatshme për një hapje të politikës dhe të ekonomisë, bëri të ditur një zëdhënës i Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme në Berlin i cituar sonte nga DW.

Agjencia zyrtare e lajmeve të vendit komunist bëri të ditur se pushtetmbajtësi shumëvjeçar i Koresë së Veriut, Kim Jong Il, ka vdekur pasi kishte pësuar që të shtunën, gjatë një udhëtimi me tren, një infarkt në zemër.

Zyrtarisht u tha se 69-vjeçari kishte kohë që kishte probleme me shëndetin. Pak pas shpalljes së lajmit për vdekjen e Kim Jong Ilit, mediet shtetërore shpallën pasardhës të tij birin e tij, Kim Jong Un.

Kim Jong Un është në fund të të njëzetave dhe sipas mendimit të vëzhguesve nuk ka mbështetjen e plotë të ushtrisë.

Koreja e Jugut i kaloi forcat e saj në gjendje alarmi, si reagim ndaj situatës. Kabineti qeveritar në Japoni u mblodh në një mbledhje krize.

Nervozitetin e shtuan lajme të Koresë së Jugut se veriu testoi të hënën një raketë me rreze të shkurtër veprimi.

KOMENTE