English

Çështja ‘Kastriot Islami’

" Forma e përdorur: ‘divida et impera’, që u përdor nga Kryetari, për të shpërbërë Lëvizjen e Mendimit Ndryshe, e më pas goditja e më të ‘qëndrueshmit’ të këtij grupimi disident, na rrëfen një tension të thellë, në palcë të kësaj Partie të madhe opozitare"...

Nga Artur Zheji

Tanimë është çështje kohe. Kastrioti Islami është një hop apo një hap larg përjashtimit nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Arsyeja?! Sepse është një politikan ‘i pabindur’ ndaj regjisë tashmë dorëhekurt të Kryetarit, apo e thënë ndryshe, sepse është një politikan ‘kokëfortë’ në bindjet e veta.

Dihet, as Rama nuk e do Islamin, as Islami nuk e do më Ramën. Për këtë arsye Kastriot Islami, duhet të largohet!

Përmes një vendimi të njëanshëm dhe një lufte politike që vijon prej kohësh, nga besnikët e Kryetarit, nga vetë Kryetari dhe nga fryma përjashtuese e sendërtuar nga doktrina e re, vertikale dhe autoritare e lidershipit që ka mbërthyer me dorë të fortë, Partinë Socialiste.

Rezistenca personale e Kastriot Islamit, ndaj linjës politike të Ramës, kaloi në dy faza. Përmes Lëvizjes së Mendimit Ndryshe, ku ai ishte maja e ajsbergut e disidencës opinioniste, në Partinë Socialiste ndaj strategjisë politike të Kryetarit, mbas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2009 dhe më pas, mbas përçarjes së Lëvizjes, vetmitar, por vetvetja, në qëndresën e tij ndaj pozicionit politik të parazgjedhur.

Në këto radhë nuk kam ndërmend të mbaj anën e tij, si person apo politikan, bile në mjaft çështje mund të kem bindje të ndryshme, porse rasti që paraqet, tashmë ‘Çështja Kastriot Islami’, është shndërruar në një rast emblematik, në një sinjal të pakëndshëm dhe simbas mendimit tim regresiv, në lidhje me atë që është sot Partia Socialiste dhe standardet e saja të brendshme demokratike.

Sepse padyshim, ‘ndëshkimi’ përjashtues është një kthim mbrapa. Forma e përdorur: ‘divida et impera’, që u përdor nga Kryetari, për të shpërbërë Lëvizjen e Mendimit Ndryshe, e më pas goditja e më të ‘qëndrueshmit’ të këtij grupimi disident, na rrëfen një tension të thellë, në palcë të kësaj Partie të madhe opozitare.

Na rrëfen gjithashtu se Kryetari, mezi e ka përmbajtur zemëratën e tij, në Kongresin Rilindas të paradokohshëm, mezi e ka përtypur ngritjen e fasadës përbashkuese dhe kooptimin e cave dhe mënjanimin e ca të tjerëve, duke synuar me sa duket, krijimin e vetmisë politike të Kastriot Islamit, që më pas, ta asgjësojë atë krejtësisht.

Kjo është luftë politike. Si çdo luftë ka rregullat, taktikat dhe dredhitë e veta. Pjesë e kësaj taktike ishte dhe joshja apo mbajtja pezull e atyre, që e mendonin dhe akoma e mendojnë ndryshe nga Rama, por ndërkohë kanë zgjedhur ‘bindjen’ ndaj më të fortit, bindjen dredharake ndaj Kryetarit idhnak.

Paradoksale është se ndërkohë, Kryetari, ka pranuar dhe e ka shndërruar dhe aplikuar aktualisht në linjë të vetën, argumentet e disidencës së Kastriotit & Co, që lidhej pikërisht me qëndrimet parapolitike dhe politike të periudhës së mbas vitit 2009.

Kuptohet me përjashtim të dorëheqjes si Kryetar Partie të Ramës, mbas humbjes së Zgjedhjeve të Përgjithshme. Dorëheqje e pa lypur drejtpërdrejtazi apo në trajtë kumbuese, nga Islami dhe Lëvizja e Mendimit Ndryshe, ndaj Kryetarit.

Sot Partia Socialiste është në Kuvend dhe jo në rrugë, është ndër Komisione apo salla debatesh dhe jo ndër çadra apo në kafenetë e kryeqytetit, sot Opozita diskuton Ligjin Zgjedhor dhe njeh de facto mandatin 4-vjeçar të qeverisjes, që prodhuan Zgjedhjet e vitit 2009. Siç thamë më lart pra, tezat alternative dhe kundërshtuese të Lëvizjes së Mendimit Ndryshe, në më të shumtat e tyre, janë shënuar në një linjë politike të Partisë Socialiste dhe pikërisht tani e për mos habi, fillon gjuetia e shtrigave ndaj Kastriot Islamit. Sigurisht, është e arsyetueshme se mbas tij, në kohë dhe konjukturë të përshtatshme, do ta pësojnë edhe elementë të tjerë të ‘ish-grupit armiqësor’ dhe kjo e ngroh pa masë Kryeministrin Berisha, që sheh i kënaqur, thellimin e përçarjes së Partisë Socialiste, destabilitetin e saj dhe kuptueshëm e për pasojë, zvogëlimin e influencës së saj në opinion dhe elektorat.

‘Eliminimi’ i Kastriot Islamit, përbën një precedent që bie ndesh me demokracinë e brendshme në Partinë Socialiste dhe i heq kësaj të fundit edhe një ‘asset’ më shumë në performancën e saj dhe sidomos në modelin që ajo parashtron, si kandidate për pushtet në vitin tashmë të afërt elektoral 2013.

Largimi i Kaçit, shënon një largim të Partisë Socialiste dhe Kryetarit të saj, nga zotërimi i vetëkontrollit dhe ul ndjeshëm aftësitë integruese dhe atraktivitetin e këtij subjekti politik. Tashmë forcat centrifugale do të çlirohen gjithnjë e më shumë dhe pa kontroll. Pa kalkulimin e duhur ndërmjet dëmit të imazhit nga njëra anë dhe forcimit të pushtetit personal të Kryetarit, nga na tjetër.

Largimi i Kaç Islamit, anatemimi i Fatos Nanos, përqeshja e Rexhep Mejdanit dhe valët e reja të luftës radikale dhe pasionante kundër Ilir Metës, janë një rrudhje e madhe e kësaj Partie. Një rrudhje që nuk premton dot fitore, porse e largon nga çdo fitore, që dihet, ka në bazën e saj zgjerimin e konsensusit. Deklarate më e fundit trishtake dhe akuzonjëse e Skënder Gjinushit, i pakënaqur nga ecuria, ose më saktë nga lloj bipartiak i ecurisë së negociatës për ligjin elektoral, duke treguar me gisht nga Partia Socialiste, pendesat dhe ndoshta kthesat e Nard Ndokës, kanë sjellë një rrallim të oborrit politik të kësaj Partie.

Duke rritur për pasojë, trokitjet në Portën politike kundërshtare dhe duke thelluar vetminë e pakuptueshme të Kryetarit.

"Mapo"

KOMENTE
  • ISL.17:06 - 19 Dhjetor 2011
    Shkrim i goditur dhe korrekt si gjithmone...me pelqejne gjerat e thena troc...jam fans ijuaj dhe per kete krenohem...