English

Komisioni “Halimi” pa Halimin

“Sot, dhjetë muaj më pas, ende janë të gjalla imazhet e atyre burrave që gjatë disa ditëve morën të gjithë vëmendjen e opinionit publik, aq sa të gjithë mbanin frymën dhe pyesnin jo pa kureshtje: Cili e ka radhën sot të shpallet puçist! Tekat e çuditshme të fatit iu veshën këtyre deputetëve petkat e një paneli ndëshkimor, nga ata të gjyqeve speciale të pasluftës”...

Nga Skënder Minxhozi

Shumëkush kujton sesi dhjetë muaj më parë, një grup burrash me imunitet ia nisën me zell që të hetojnë një grusht shteti. Ishin të gjithë deputetë të kësaj mazhorance dhe kishin përpara një listë të gjatë puçistësh, që të gjithë emra të rëndë, nga kreu i shtetit, ai i opozitës, krerë të drejtësisë e deri te gazetarët më të njohur. Me mandatin e marrë nga një seancë parlamentare e 23 janarit, ku mungonte opozita, anëtarët e komisionit për hetimin e “veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 janar 2011”, iu futën me oreks materializimit të akuzës që kreu i qeverisë kishte kumtuar tashmë botërisht: opozita kreu një grusht shteti më 21 janar!

Sot, dhjetë muaj më pas, ende janë të gjalla imazhet e atyre burrave që gjatë disa ditëve morën të gjithë vëmendjen e opinionit publik, aq sa të gjithë mbanin frymën dhe pyesnin jo pa kureshtje: Cili e ka radhën sot të shpallet puçist! Tekat e çuditshme të fatit iu veshën këtyre deputetëve petkat e një paneli ndëshkimor, nga ata të gjyqeve speciale të pasluftës.

Janë gjithashtu të gjalla kronikat televizive, të cilat pasqyronin mbledhje të pafundme në të gjitha institucionet e “pjesës natyrore të shtetit”, në Gardë, Ministrinë e Brendshme, e atë të Mbrojtjes, ku Berisha shpjegonte (ende pa dalë konkluzionet as të hetimit të prokurorisë, e as të komisionit Halimi), sesi qe organizuar, çfarë synonte dhe si dështoi grushti i shtetit i Edi Ramës, Bamir Topit, në bashkëpunim me kryeprokuroren e shefin e shërbimeve sekrete. Si në përrallën e Andersenit, askush nuk guxonte t’i thoshte mbretit se qe lakuriq, të gjithë bënin sikur mbanin shënim dhe sikur ekzekutonin fantazitë e tij.

U desh ndërhyrja e hapur e ndërkombëtarëve, që marrëzia e grushtit të shtetit të ridimensionohej në atë çfarë ishte realisht: një truk i shpikur për të evituar zhurmën që kishin bërë vrasjet tragjike të katër demonstruesve, si dhe për të trembur hetimin e asaj që ndodhi në dyert e Kryeministrisë. Ambasadori amerikan, zv.ndihmëssekretari i shtetit dhe disa zyrtarë të lartë europianë, e sqaruan publikisht se nuk shihnin asnjë shenjë prej grushti shteti në ngjarjet e datës 21 janar. Shteti u bë esëll, megjithëse s’e pranoi kurrë se kishte qenë i pirë!.

Kjo qe historia e atyre ditëve, por që mesa duket e ka ende jashtë litarin e saj. Sepse me një vendim të para tri ditëve, të kaluar gjysmë në heshtje, shumica nuk hezitoi asfare për të rinovuar për të dytën herë mandatin e këtij organizmi hetimor qesharak. Pra, njëvjetori i 21 janarit, do ta gjejë sërish në këmbë strukturën që u ngrit për të zbuluar thikat me helm, çadrat pistoletë e të tjera fantazi të sëmura që u shfaqën ato ditë në fjalorin zyrtar.

Dy palët politike kanë luftuar gjatë në vitet e fundit, për disa tema të nxehta. Kjo ka qenë një histori që e ka pasur brenda vetes edhe përplasjen e përgjakshme të 21 janarit. Për këtë arsye, prej muajsh bashkësia ndërkombëtare dhe mendje racionale brenda Shqipërisë, kanë punuar që partitë e mëdha të ulen për të gjetur gjuhën dhe kompromisin, për një listë gjërash të mbetura pezull. Logjika e bashkëpunimit formal që ka marrë rrugë aktualisht, kthimi i opozitës në Kuvend, nisja e bisedimeve për disa reforma të rëndësishme – të gjitha këto hapa, e përjashtojnë qysh në krye të herës farën e urrejtjes dhe të konfrontimit që mban në këmbë komisioni i puçit. Shtyrja e mandatit të kësaj krijese të stisur, është njëherësh shpërfillje e hapur e çdo kërkese të komunitetit ndërkombëtar për moderim të qëndrimeve dhe zbutje të tensionit politik në vend. Këtë vullnet të Europës e pamë edhe kur na rrëzuan në klasë për të herën të dytë për statusin e vendit kandidat.

Megjithatë, mesa duket politikanët shqiptarë e kanë të vështirë ta tejkalojnë veten. E kanë provuar shumë herë në këto 20 vjet. Për shembull, kjo puna e komisionit dëshmon edhe një herë natyrën e vërtetë që ka karakterizuar Sali Berishën në gjithë gjatësinë e karrierës së tij politike: t’i shkosh konfliktit deri fund, cilido qoftë çmimi dhe kostot, çfarëdo që të thonë të tjerët. Një filozofi që bazohet jo mbi arsyen, por mbi instinktin.

Komisioni hetimor (më mirë fantazma e tij groteske, pasi vetëm ajo ka mbetur), është një lloj hipoteke që vendoset për të zgjatur imunitetin e gjithë asaj liste zyrtarësh, që nga Garda e deri në qeveri, të cilët mund të goditen potencialisht nga hetimi. Mbahet ngritur një shpatë virtuale, për të impresionuar drejtësinë. Një demarsh i cili, dihet tashmë, nuk është kurrë i vështirë.

Eduard Halimi, imazhi më i gjetur i këtij komisioni qesharak, tashmë u shpërblye dhe iku. Por vetë komisioni mbeti, si një dordolec për të trembur zogjtë që do të guxojnë të hanë të mbjellat e qeverisë. Sepse fjala është jo për të zbuluar ndonjë puçist, por për të mbrojtur veten dhe “të mbjellat”, pasi s’dihet akoma ç’dimër na pret. Deri tani ka qenë i butë, mos o Zot të ndryshojë!

“Shqip”

KOMENTE