Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Risitë dhe sfidat e Kuvendit të Shqipërisë
English

Risitë dhe sfidat e Kuvendit të Shqipërisë

"Në kuadër të transparencës dhe besimit të opinionit publik te Kuvendi, një risi është edhe praktika e ndjekur kohët e fundit për seanca dëgjimore me kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese që dekretohen nga Parlamenti, pas propozimeve të sjella nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Reformat e ndërmarra kanë bërë të mundur zhvillim të gjithë ekonomisë, duke u bërë ballë krizave globale"...

Nga Agim Neza

Parlamenti shqiptar ka lu ajtur një rol lider në këto 20 vite demokraci duke ndërmarrë reforma për Shqipërinë, duke shprehur vendosmërinë për të ndryshuar të ardhmen. Veprimtaria e Kuvendit të Shqipërisë ka qenë në funksion të integrimit euroatlantik, në funksion të vlerave të demokracisë për të realizuar aspiratat e shqiptarëve. Në këtë kuadër, Parlamenti shqiptar ka dhënë një kontribut të veçantë për t’i shërbyer të mirës së të gjithëve, të mirës së përbashkët

MIRATIMI I LIGJEVE DHE REFORMAT E KANË BËRË SHQIPËRINË PJESË TË FAMILJES EUROPIANE.

Gjatë këtyre viteve, Parlamenti është bërë institucioni qendror i demokracisë, duke synuar më shumë afrimin e Shqipërisë me familjen europiane. Gjatë viteve të fundit janë miratuar qindra ligje të reja dhe janë ratifikuar marrëveshje dhe konventa, të cilat lidhen me zhvillimin ekonomik dhe social. Miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i ligjit kundër pastrimit të parave, mbrojtja nga diskriminimi, ndryshime të Kodit Penal, mbrojtja e të dhënave personale, ligjet organike të funksionimit të institucioneve kyçe të shtetit të së drejtës, konventat në fushën e të drejtave të njeriut si respektimi i të drejtave të minoriteteve etj., kanë qenë ligje që preknin drejtpërsëdrejti çështjen e heqjes së vizave mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Kuvendi i Shqipërisë ka bërë një punë intensive për përafrimin e legjislacionit, ndryshimet e tij dhe miratoi një sërë reformash të karakterit politik, (ndryshimet në Kushtetutë me konsensusin e opozitës në 2008-n, sistemi zgjedhor në 2009-n etj.) ekonomiko-financiar, ushtarak, në fushën e drejtësisë, medias, mbrojtjes së të drejtave të njeriut etj. Kuvendi ka forcuar një nga tri drejtimet kyçe të pushtetit të tij, që është parimi “check and balance”. Një reformë e rëndësishme në jetën parlamentare është zbatimi i një praktike të re të seancave “dëgjimore” (“Hearing”) me drejtues që miratohen nga Parlamenti. Në kuadër të transparencës dhe besimit të opinionit publik te Kuvendi, një risi është edhe praktika e ndjekur kohët e fundit për seanca dëgjimore me kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese që dekretohen nga Parlamenti, pas propozimeve të sjella nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Reformat e ndërmarra kanë bërë të mundur zhvillim të gjithë ekonomisë, duke u bërë ballë krizave globale. Natyrisht që mbetet shumë për të bërë për mirëqenien e mëtejshme të qytetarëve dhe në veçanti në sistemin e drejtësisë.

DIPLOMACIA PARLAMENTARE

Diplomacia parlamentare, një risi e ideuar nga kryetarja e Kuvendit, ka qenë shumë eficiente gjatë këtyre viteve. Aktualisht, diplomacia parlamentare është shndërruar në një institucion që mbron interesat kombëtare dhe synon drejt proceseve bashkëpunuese dhe integruese. Në gjashtë vitet e fundit, me ftesë të kryetares së Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, e kanë vizituar Shqipërinë rreth 40 kryetarë parlamentesh nga e gjithë bota. Shumë prej këtyre vizitave kanë hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërparlamentare dypalëshe, duke qenë vizita të para të këtij niveli të lartë në Shqipëri, si vizita e kryetarit të Parlamentit të Kanadasë, Islandës, Norvegjisë, Gjermanisë, Suedisë, Mbretërisë së Bashkuar, Arabisë Saudite, Kuvajtit etj. Këto vizita, si dhe takimet zyrtare të kryetares së Kuvendit dhe deputetëve të Parlamentit shqiptar (të maxhorancës dhe opozitës) në shtete të ndryshme, kanë forcuar bashkëpunimin midis parlamenteve, kanë ndikuar në përshpejtimin e ratifikimit të protokolleve për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, nënshkrimin e MSA-së me BE, liberalizimin e vizave për shqiptarët, si dhe dhënien e kontributit për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj etj. Diplomacia parlamentare ka gjeneruar: – Vlerat më të mira të Parlamentit shqiptar. – Ka kërkuar të ngrejë interesat kombëtare dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë nëpërmjet të kuptuarit, të informuarit dhe të influencuarit te deputetët e parlamenteve të huaja dhe publikut të këtyre vendeve. Gjithashtu ka zgjeruar dialogun dhe bashkëpunimin midis anëtarëve të parlamentit me homologët e tyre jashtë. – Ka gjeneruar dëshirën dhe vullnetin e Parlamentit shqiptar për paqe, stabilitet e zhvillim në marrëdhëniet ndërkombëtare. – Diplomacia parlamentare po rrit dimensionin e saj në funksion të diplomacisë ekonomike. Kjo platformë partneriteti mes Legjislativit dhe biznesit, investitorëve, po intensifikohet në vazhdimësi. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, më 22 nëntor 2011 ishte mikpritëse në Tiranë e Forumit të Dytë të Detit të Zi, ku mblodhi 400 sipërmarrës të vendeve anëtare të Detit të Zi, të Turqisë dhe Shqipërisë (70 kompani turke, 50 kompani të rajonit dhe rreth 100 kompani shqiptare). Për të mos e lodhur shumë lexuesin me takimet zyrtare të mëparshme të kryetares së Kuvendit dhe deputetëve të maxhorancës dhe opozitës që e shoqërojnë gjatë takimeve me homologë të saj dhe përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, po përmend takimet me homologë të parlamenteve të rajonit me synimin për të nxitur dhe konkretizuar përpjekjet e përbashkëta rajonale për tërheqjen e financimeve të BE-së për projekte për Ballkanin, si dhe takimin e ditëve të fundit me Kryeministrin hungarez, Viktor Orban (më 6.12.2011) në Budapest, i cili u fokusua në mënyrë të veçantë në ngritjen e një komisioni të përbashkët ekonomik, që ka të bëjë me investimet në infrastrukturë, bujqësi, në promovimin e turizmit etj. – Diplomacia parlamentare ka mbështetur parlamentarizmin dhe dinjitetin e deputetit në arenën ndërkombëtare.

KUVENDI, “SHTËPIA E HAPUR PËR TË GJITHË SHQIPTARËT”

Një risi gjatë viteve të fundit është fakti se Parlamenti është bërë shtëpia e të gjithëve. Kuvendi i Shqipërisë ka hapur dyert për qytetarë nga të gjitha skajet e Shqipërisë dhe nga Kosova, ka hapur dyert për studentë e fëmijë. Promovon në ambientet e Kuvendit punën dhe veprimtarinë e talenteve të fushave të ndryshme të artit dhe kulturës. Përkujton ngjarje me rendësi të veçantë të historisë shqiptare dhe veprimtarinë e personaliteteve të shquara shqiptare që kontribuuan në fusha të ndryshme. Këto veprimtari kanë të bëjnë me historinë e kombit tonë, me gjenialitetin dhe kreativitetin, të cilat kanë qenë gjithmonë në thelbin e qenies së popullit tonë dhe arsye kryesore e suksesit tonë. Nuk ka forcë më të madhe për të ndryshuar vendin se sa ata/ato që i besojnë fuqisë së ideve dhe angazhohen t’i përhapin ato.

TRANSPARENCA DHE MODERNIZIMI I PARLAMENTIT

Një risi tjetër e Kuvendit të Shqipërisë gjatë këtyre pesë viteve ka qenë rritja e transparencës së Kuvendit kundrejt zgjedhësve, duke investuar në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (IT) duke synuar të bëjë të mundur transformimin në një E-parlament. Realizimi i rrjetit të ri kompjuterik në të gjithë godinën e Kuvendit, një rrjet totalisht i ri, me standarde, parametra dhe teknologji nga më bashkëkohoret jo vetëm në rajon, por edhe në Europë. Realizimi i transmetimit drejtpërsëdrejti (“live”) të seancave plenare. Sistemi elektronik i votimit në sallën e seancave plenare, një sistem nga më të avancuarit në Europë, garanton siguri e transparence maksimale të çdo votimi që kryhet në sallë. Gjatë këtyre pesë viteve janë transkriptuar dhe botuar bisedimet parlamentare të prapambetura të 12 viteve (‘91-‘97 dhe 2000– 2005) krahas punës së përditshme të transkriptimit dhe publikimit me transparencën maksimale në faqen e internetit të çdo procesverbali të seancës plenare apo komisioneve viteve 2005–2010. Prioritet i është kushtuar edhe bibliotekës së Kuvendit. Vetëm gjatë viteve të fundit fondi i bibliotekës është pasuruar me mbi 7000 tituj. (Ky pasurim me tituj nga më cilësorët është bërë duke iu referuar katalogëve më të mirë nga Këshilli i Europës (KiE), Parlamenti Europian). Gjithashtu është krijuar për herë të parë një sallë model biblioteke (me mobilim, kompjuterë e internet). Një arritje tjetër e rëndësishme është dixhitalizimi i arkivit vetëm. Brenda një viti është arritur të dixhitalizohet gjithë dokumentacioni për periudhën 2000–2008, me mijëra e mijëra faqe të dixhitalizuara e të ruajtura në serverët e Kuvendit. Në bashkëpunim me OSBE-në u krijua për herë të parë Departamenti i Monitorimit të Institucioneve që raportojnë dhe informojnë Kuvendin. Ky departament ka bërë të mundur rritjen e cilësisë së kontrollit parlamentar, një komponent shumë i rëndësishëm i aktivitetit të Kuvendit. Rikonstruksioni i sallës së seancave plenare, ambienteve të Kuvendit, pjesës së jashtme të Kuvendit, sallave të mbledhjeve, zyrat e komisioneve, zyrat e deputeteve etj. Për herë të parë deputetëve të Kuvendit i është ofruar një standard i ri, duke i pajisur deputetët e Kuvendit me kompjuter të ri, internet 24 orë, printer, fotokopje etj. Bazuar në këto risi të punës dhe angazhimit të të gjithë stafit të Parlamentit, Komisioni Europian në progres-raportin për Shqipërinë për vitin 2011 (Brussel, 12.10.2011 – Albania 2011 Progress Report), ka vlerësuar shumë pozitivisht veprimtarinë e Parlamentit. Duke qenë se Kuvendi i Shqipërisë është treguar “shumë modest” në pasqyrimin për median dhe opinionin publik të këtyre vlerësimeve pozitive nga Komisioni Europian, e shikoj të arsyeshme të trajtoj atë që shkruhet në këtë progres-raport (fq. 5-8); – Progres është arritur në organizimin e procedurave të Parlamentit. Kjo përfshin një numër të kufizuar amendamentesh të Rregullores së Kuvendit, disa nga të cilat, si p.sh. kalimi i debatit të lirë në fund të seancës parlamentare përbën një përmirësim të praktikës së mëparshme. – Përmirësime përfshijnë ndryshimet me urdhër të kryetares së Kuvendit në janar 2011, si p.sh. ndryshimet që përfshijnë kryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare në përcaktimin e axhendës së Kuvendit, si dhe transkriptimin e plotë dhe publikimin jo vetëm të procesverbaleve të seancave plenare, por edhe të mbledhjeve të komisioneve. – Janë marrë masa për të forcuar kapacitetet administrative. – Hapa të mëtejshëm janë ndërmarrë për të forcuar infrastrukturën e Parlamentit dhe komunikimin me publikun. Transmetimi drejtpërdrejt (“live”) të seancave parlamentare etj. – Puna pengohet nga bllokimi politik. Gjatë periudhës së raportimit, Parlamenti kaloi më shumë se 100 ligje. (Aktualisht kanë kaluar mbi 400 ligje.) Megjithatë, miratimi i disa ligjeve shumë të nevojshme që kërkojnë shumicë prej 3/5, që është një prioritet kyç i opinionit, dhe ku nevojitet konsensus ndërmjet maxhorancës dhe opozitës, akoma nuk është arritur. (Bruksel, 12.10.2011).

BOJKOTI, BLLOKIMI, KONSENSUSI DHE PERSPEKTIVA.

Duke u bazuar edhe në progres-raportin e Komisionit Europian, duket se maxhoranca ia ka krijuar të gjitha hapësirat opozitës në jetën parlamentare që ajo të ketë të gjitha mundësitë të përfaqësojë dhe të kontribuojë për elektoratin në Parlament, duke i ofruar bashkëpunim. “Lajmi i keq” është se gjatë këtyre dy viteve opozita për muaj të tërë ka bojkotuar Parlamentin me pretekstin se i ishin vjedhur votat. “Lajmi i mirë” është se opozita këtë sesion parlamentar është kthyer në Parlament, por “strategjia” e zgjedhur deri më datë 14 nëntor duket se ka qenë bllokimi i ligjeve që kërkojnë 3/5, ashtu siç u theksua edhe në progres-raportin e Komisionit Europian. Në këtë situatë, mesazhet e ndërkombëtarëve kanë qenë të qarta. Komisioneri i BE, zoti Fyle, ka theksuar se “ngërçi politik pengoi integrimin”, ashtu siç ishte në të njëjtën linjë zanore edhe përfaqësuesi i BE-së në Shqipëri, z. Sekui, i cili theksoi se “ecja është penguar nga ngërçi politik”. Gjithashtu, mesazhet kanë qenë të qarta dhe janë ripërsëritur herë pas here nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet ambasadorit Arvizu dhe zv.ndihmëssekretari i Shtetit për Euroazinë, Tomas Kantrimen.

KOMENTE
  • livalu Ligor Luarasi12:53 - 19 Dhjetor 2011
    PARLAMENTI YNE DREJT MATURIMIT. Te mohosh progresin e Parlamentit shqiptar gjate tranzicinit do te thote te jesh irealist,dashakeqes per punen e kryer prej tij,te ofendosh gjithe ata shqiptare qe kane lartesuar kete pune.Kete mekat askush s'besoj ta beje.Kur lexon shkrimin e Z.A.Neza per Parlamentin,gjithe evolimi i tij duket qe krahasohet me Parlamentin e diktatures dhe per pasoje asnje te mete nuk ndesha gjate ketij leximi.Del pyetja ka o s'ka te meta puna ne Parlamentin e tranzicionit? nuk besoj qe dikush te thote s'ka te meta. Kjo sepse Parlamenti permes kamerave ka qene edhe trasparent per shqiptaret e kudondodhur.Ndaj seicilit qe i dhimbset atdheu kudo te jete i ka ndjekur zhvillimet e ngjarjeve brenda tij.Fatmiresisht jetojme ne epoken e internetit,qe ta sjell gjithe boten para syve ne sekonde.Kete mrekulli burgu i math komunist nuk e jetoi,qe beri gjithe ato katraura brenda telave me gjemba dhe me korent te tij. Nuk do ri te rendit edhe te metat qe kemi ne kuitesen tone nga Parlamenti i tranzicionit i cili s'e kish dhe s'e ka te lehte te behet krejt Parlament i nivelit Evropian, duke kuituar pikenisjen e tij.Por desheroj te theksoj per kapitullin:Parlamenti i hapur per te gjithe,dy ide : 1-Sikunder Parlamenti hapet per femijet,te hapet edhe per te perndjekurit ku dhe te degjojme zerin e tyre atje ne mikrofon,sepse e kemi shtresen me te persekutuar te popullit,e cila mban mbi lekuren e saj gjithe ato tortura per te pare nje Shqiperi vertet demokratike,dhe nderkohe perseri nuk respektohet sa i takon. 2-Parlamenti duhet te hapet edhe per emigrantet te sikterisur neper bote,por qe atdheut i bene dhe po i bejne sherbimin me te math kur ai kishte qesen e kombit bosh apo minus,kur populli s'kishte te hante buken.Te degjojme edhe zerin e emigranteve ne Parlamentin e populli tone.Jane mbi nje milion shqiptare,gjak dhe trup i pa ndare nga ky popull,i cili e lindi dhe jane pa aftesite e qeverive qe e sikterisen neper bote.Kuitojme ketu qe Shqiperia eshte shume fish me e madhe me shqiptaret jashte atdheut se brenda tij.Kjo energji gjigande e kombit ala nuk ngrohet sa duhet prej "diellit" qe bie ne vatan.Ndoshta keto dy sugjerime apo kritika i kam gabim,po te jete keshtu mirepres korigjimin ndaj tyre.Parlamenti per shtetin vertet demokratik,eshte koka,truri,motori,qe ve ne levizje gjithe popullin e tij,kudo te jete,ndaj prej ligjeve te drejta te tij,begatohet jo vetem kryeqyteti por c'do shqiptar dhe c'do centimeter truall i atdheut.Keshtu e desheroj Parlamentin e atdheut tim,duke i uruar c'do parlamentari suksese nga qe ai para se te jete Parlamentar partijak eshte Parlamentar per gjithe popullin dhe truallin e atdheut.Pa kete koncept gerveret partijake ende do na percajne per gjithe ato reforma qe presin zgjidhje me harmoni dhe boll me pingpongun alla shqiptar midis dy partive.