English

Censusi, INSTAT: Popullsia u zvogëlua 7.7 herë këto 10 vjet, numri i meshkujve më i madh se i femrave

Tiranë, 21 dhjetor 2011, NOA – Popullsia e Shqipërisë gjatë dhjetë viteve të fundit ka pësuar rënie të ndjeshme, prej 7.7 për qind, për shkak të emigrimit dhe uljes së numrit të lindjeve, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Lajmin e bëri publik drejtoresha e INSTAT-it Ines Nurja, gjatë prezantimit të rezultateve paraprake të Censusit të popullsisë dhe banesave.

Zonja Nurja bëri me dije se numri i popullsisë në Shqipëri në vitin 2011 është llogaritur në 2 milion e 831 mijë e 741 banorë.

“Krahasuar me vitin 2001, popullsia llogaritet 7.7 herë më e vogël. Shkak për këtë janë bërë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë”, bëri me dije drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja.

Nurja thekson se për herë të parë është rritur numri i popullsisë në zonat urbane me mbi 7 për qind, duke dhënë një panoramë të tillë, ku 53.75 % e popullsisë jetojnë në qytet dhe 46.3 % e popullsisë në fshat.

Gjatë regjistrimit të popullsisë sipas statistikave një numër i vogël prej 29 355 banorësh kanë refuzuar t’i përgjigjen Censusit të popullsisë dhe banesave.

Një fakt i rëndësishëm i vërejtur nga statistikat gjatë regjistrimit të popullsisë është rritja e numrit të meshkujve ndaj atyre të femrave, në një raport të tillë 114 meshkuj në 100 femra.

Sipas ekspertëve për të analizuar këtë fenomen të rritjes së numrit të meshkujve krahasuar me atë të femrave duhen parë arsyet që kanë çuar në këtë rritje të ndjeshme.

Drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja bëri me dije se gjithsesi këto janë rezultatet paraprake dhe për një rezultat përfundimtar do të duhet një analizë më e gjerë.

Sipas INSTAT-it, janë regjistruar 1 075 881 familje shqiptare, ndërsa njësitë ekonomike të regjistruara janë 740 256.

mit/NOA

KOMENTE