English

Diktatori nga Pheniani dhe “demokratët” nga Prishtina

"Po çfarë lidhje kanë “ demokratët “ e Prishtinës me diktatorët e Koresë së Veriut dhe ku dallojnë! Kanë shumë pika bashkuese por edhe dalluese! Pika që i bashkon është gjakimi për pushtet dhe mbajtja e tij me çdo kusht. Kur ta humbin pushtetin shndërrohen në kufoma të gjalla që shetisin si lugetër duke i kujtuar ditët e madhështisë dhe famës!"...

Nga Bexhet Shala

Përafrimi, dallimi dhe simulimi: Kim Jong il, i biri i krijuesit , shkatërruesit dhe diktatorit të Koresë së Veriut ( me veri gjithmonë po kemi probleme! ) Kim il Sung, edhe vet i shndërruar në diktator vdiq duke shkaktuar hidhërim të thellë te qytetarët e këtij shteti të izoluar. Hidhërimi dhe vuajtjet e vartësve të tij ishte aq i thellë sa që lotët rridhnin si lum dhe me kokë i mëshonin pllakave të mermerit ( mbase jo të Ismetit ) në sheshet dhe rrugët e Phenianit , kryeqytetit të Koresë së Veriut! Kjo vetëm sa dëshmon se kulti i individit dhe procesi i shpërlarjes së trurit sipas modelit aziatik është shumë më i shprehur dhe sofistikuar se në Ballkan apo ish shtetet komuniste të Evropës ! Ishte në fakt një adhurim mazohist ndaj diktatorit që kishte vdekur. Një diktatori që kishte pllakosur në vuajtje të tmerrshme popullin që e sundonte duke mos i siguruar as një pjatë të plotë me oriz ndërsa për veten e tij në vend të ujit përdorte konjakun firmato Hanessy. Kjo ishte në fakt edhe një dëshmi se të gjithë diktatorët bëjnë jetë të dyfishtë, atë modeste dhe asketizmin për përdorim të jashtëm ndërsa brenda pallateve të tyre e bëjnë një jetë të shfrenuar dhe luksoze sikur te Dekameroni i Bokaços! Më bëri shumë përshtypje lajmi zyrtar se ku kishte vdekur ( jo ndërruar jetë ) diktatori Kim Jong il dhe shkaqet e vdekjes. Ai kishte vdekur në “ një tren për Phenian e jo për Perzeren ) ndërsa shkaqet ishin angazhimi i madh fizik dhe mendor ( mbingarkesa apo hiperpërdorimi i trurit )! Gjithashtu, ai u ekspozua në një ambient të parajsës hipotetike i rrethuar me shumë lule të aranzhuara mjeshtërisht pranë kufomës së balsamosur të babait të tij , diktatorit Kim il Sung. Tash i kemi dy hallka, kufoma apo varre mbi dhe të një trungu diktatorial që do të vazhdojë me trashigimtarët e tjerë, pjesëtarë të së njëjtës familjeje!

Po çfarë lidhje kanë “ demokratët “ e Prishtinës me diktatorët e Koresë së Veriut dhe ku dallojnë! Kanë shumë pika bashkuese por edhe dalluese! Pika që i bashkon është gjakimi për pushtet dhe mbajtja e tij me çdo kusht. Kur ta humbin pushtetin shndërrohen në kufoma të gjalla që shetisin si lugetër duke i kujtuar ditët e madhështisë dhe famës! Dhe të privilegjeve të tyre përrallore që janë më të mëdha se se të Kim il Sungut dhe Kim Jong ilit së bashku! Shumica e “ demokratëve “ të pasluftës as që kanë dëgjuar për konjakun Hanessy me përjashtim të njërit që më nuk është në mesin e të gjallëve dhe i cili për së gjalli ka notuar në konjakun Hanessy dhe i cili ka lënë në trashigimi pallate të blera me paratë e popullit! Në fakt, ai dhe këta që sot shiten si demokratë janë çdo gjë tjetër përveç se demokratë! Një numër i tyre ambalazhimin e kanë si demokratë ndërsa përmbajtjen e kanë të hajnave, kriminelëve, zhvatësve, vrasësve, jo vetëm nga e kaluara e tyre por edhe nga ditët tona! Injorancën dhe fodëllulun e tyre e maskojnë me një retorikë primitive dhe kërcënuese ! Në pamundësi që postin t’ua lënë fëmijëve të tyre, fëmijët, familjarët dhe të afërmit e tjerë i kanë bërë pjesë të institucioneve! Duke e shkërdhyer ardhmërinë e Kosovës! Injorancën dhe hajninë e kanë bërë standard të sjelljes, kulturë identifikuese, vlerë dhe trashigimi kombëtare dhe politike! Hiç komponenetes njerëzore !

“ Demokratët “ tanë dallojnë nga diktatori Kim Jong il shkaku se nuk kanë as gjasa teorike të vdesin në tren sepse nuk mund të paramendojnë që trenin ta shfrytëzojnë si mjet transporti. E kanë eskortën e “ buajve të zinj “ që vlejnë 100.000 e më shumë euro! Pastaj, që ata të vdesin për shkaqe të stërlodhjes fizike apo mendore?! Kjo te ne hynë më parë në fushën e fantastikës shkencore se në një mundësi të së realizueshmes ! Për Kim Jong ilin kanë qarë dhe vajtuar i madh dhe i vogël dhe kanë rrethuar arkivolin e tij me një ambient të parajsës ! Për disa demokratë tanë askush nuk do të qajë sepse shumë prej tyre tash kanë vdekur për së gjalli! Eventualisht mund të ketë derdhje lotësh, LOTË GËZIMI! Një pjesë e këtyre “ demokratëve “ të Prishtinës patjetër do të takohen me adashët e tyre të demokracisë të Koresë së Veriut. Në vendakimin administrativ të quajtur FERR!

Mirë, mirë, sa të shitemi lirë: “ Jem ilira, jem teuta “, pellazgë të lashtë, pasardhës të fiseve ilire të sistemuar në fise ( parti ) politike, pasardhës të një populli autokton në trojet stërgjyshore, bijë dhe bija të shqiponjave dykrenare etj.etj. Me një fjalë krejt kuq e zi në një ambient faqezi! Me këto nuk po pajtohen Halili, Migjeni dhe Nexh Mitrovica e ndarë! Ata po thonë se kemi qenë të tillë dikur por evolucioni apo përshtatja na ka shndërruar në një komb tjetër, komb kosovar! E pranoj se këta e kanë bërë krejt m.. por gjithashtu më duhet ta pranoj se këtë punë e bëjnë më së miri ! Këtyre “ tre muskatarëve “ të kombit kosovar u është bashkangjitur edhe ( Z ) e ( z )dita Tahiri apo shkurt Zezdita Tahiri e cila i pranoi librat e parë të Regjistrit Civil si rezultat i zbatimit të Marrëveshjes midis Borko Stefanoviqit dhe Robert Kuperit! Meqë jemi shtet i ri dhe me qytetarë “ new kosovars “ edhe këto librat që i ka pranuar zonja Zezdita janë krejt frinko, të rinj! Origjinalin apo librat e vjetër nuk kemi dëshiruar t’i marrim fare. Janë të vjetër, me mikrobe, të papastër etj. Shkurt, kemi vepruar mirë sepse po t’i pranonim këta libra të vetër, me pluhur, të grisur do ta humbasnim epitetin “ new kosovars “ duke u shndërruar në “ old elephants “- elefantë të vjetër! Pasi që Serbia i takon mesjetës ua kemi lënë këta libra të vjetër në arkivin e tyre! Dikush mund të thotë se origjinali ka mbetur në Beograd ndërsa fotokopjet i janë dorëzuar Prishtinës! Jemi popull dyshues dhe dyshojmë në çdo gjë! Dyshojmë se politikanët tanë janë të korruptuar gjë që nuk mund të ndodhë as në ëndërr! Dyshojmë se Behgjet Pacolli nuk është patriot e që, sipas meje vetëm një fije e këtij dyshimi që e konteston patriotizmën e zotëriut në fjalë mund të llogaritet krim! Dyshojmë se Zezdita Tahiri nuk po e përfaqëson Kosovën denjësisht! Çfarë dyshimi i çmendur! Dyshojmë se Sali Berisha nuk i do patatet e kultivuara nga duart e bujkorobërisë kosovare por patatatet e kultivuara nga duart fine të Sllobodankës dhe Zhivadinkës nga Pozharevci i Serbisë! Kush është i çmendur të besojë këtë për doktorin e Tropojës?! Në fund të fundit, patatet shkojnë në bark dhe pas tretjes nuk mbesin më patate ndërsa patriotizmi flenë dhe gjatë fushatave elektorale shpërthen nga zemra! Moj Serbi, e mjera Shqipëri….! Edhe shumë dyshime tjera që për mua janë shumë imorale dhe mbindërtime spekulative të mjera! Unë botërisht deklaroj se nuk kam fare dyshim në këto libra të Regjistrit Civil të skanuara apo fotokopijuara aq më parë që janë të nëshkruara nga Halili, Migjeni dhe Nexh Mitrpovica e ndarë për vërtetësinë e të cilave garanton luftëtari i madh për të vërtetën , shoku Endrju Sparks ndërkaq që janë prar ( n ) uar nga duart e zonjës Zezdita Tahiri! Ata që dyshojnë qoftë edhe në ëndërr i nënshtrohen përgjegjësisë morale ndërkaq ata që këtë dyshim e bëjnë publik i nënshtrohen edhe përgjegjësisë penale. Pa asnjë mëshirë do të ndiqen nga çrrënjosësi i korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, gjenerali i pensionuar francez me pushime vjetore në Republikën e Kosovës, Ksavier bu de Marnak. I ndihmuar sinqerisht nga Ivica Daciq !

Plasi sherri te bunari, gati e hëngër Behxhet bugari: Definitivisht i kam hyrë në hak Behgjetit. Pronarit të bujtinës për të varfërit në Prishtinë. Për shkaqe strategjike i quajtur Hotel Diamond. Para asaj bujtine, ç’është e vërteta nuk mund të shihni kuaj , mushka, gomerë, deve apo mjete transporti nga e kaluara sepse jemi shtet i ri me “ new kosovars “ të lidhur për hunj duke ngrënë taxhi nga grazhdi por gjeni vetura të blinduara me shumë kuaj ( fuqi ) që i ngasin personat nga grazhdi i Hashimit apo ata që e kanë qasjen on – line në grazhdin e Behgjetit ( gazetarë të ndryshën nga Kosova, FYROM, Shqipëria dhe diaspora, analistë të shitur dhe stërshitur, politikanë lokalë dhe internacionalë, kurva të Serbisë dhe mafiozë të Kolumbisë, mbretër pa kurorë dhe disa të tjerë që moti në shishe kanë pordhë ), etj.etj.etj. Në adresë të KMDLNj erdhën dy urime për festat e funvitit e nënshkruar nga Behgjet Pacolli, president i AKR-së dhe nga Z. Behgjet Pacolli, ZV- Kryeministër I Parë I Republikës së Kosovës. Duke marrë parasysh miqësinë time antologjike me z. Behgjet Pacolli mora të drejtën të them se këto urime më janë drejtuar mua ndonëse nuk shihej emri im por ndjehej në ajër! Edhe të tjerët thonin se mund t’u jetë drejtuar me urime edhe atyre! U ngritën temperaturat, u bënë disa delikte të lehta verbale por ende nuk u zgjodh ky problem i shkaktuar nga dashamirësia e zotni Pacollit. Po të më kishte dërguar urim në emrin tim, gjithsesi do ta fusja në kornizë dhe do ta ruaja për pasardhësit e mi ! Që të krenohen me mua dhe Kosovën! Në krejt këtë xhurulldi isha me fat sepse e kam një staf të shkëlqyer, që më donë dhe respekton shumë! Sepse , po të ishte ndryshe do ta pësoja fatin e Moamer el Gadafit , mikut të atij që i dërgoi urimet dhe që thuaja mund të ishte shkaktar për luftën e tretë botërore!

Krejt në fund diçka për çmime dhe dekorime : Kisha punë diçka me Bacën Adem siç e quajmë një grupë shokësh të rrjedhur nga mendja apo Adem Demaçin siç e quajnë politikanët demokratë prandaj shkova te vendi ku është i strehuar përkohëisht. Në një dhomë të katit të 6 ( gjashtë ) të një ndërtese në lagjen Kodra e Diellit. Në banesën e një miku që i ka lënë në shërbim të përkohshëm. Nuk kisha mundësi ta merrja në telefon sepse : “ personi që e kërkoni nuk ka qasje në rrjet “! Në shkallën e 99 –të e takova Heroin e Gjallë të Kosovës, Adem Demaçi me disa qese plastmasi në duar. Në njërën ishte një bukë thekre, purrinj, kos pa yndyrë ndërsa në tjetrën nja tre kilogramë patate, 1kg.grejpfrut dhe një shishe vaj ulliri! I ngarkuar sikur dikur të internuarit në kooperativat e xhaxhit Enver. Për këto të tjerat nuk u hidhërova shumë por për patate e mallkova Sali Berishën. Sepse, po të lejonte që patatet e Kosovës të eksportohen në Shqipëri Heroi i Gjallë i Kosovës do të ishte i liruar për nja tre kilogram! Desha t’i ndihmojë por nuk më lejojë sepse ishte para cakut! Thuaja te dera e banesës ku jeton ! Si Robinson Kruso! Të gjithë ata që janë pak të informuar e dinë si jetojnë dhe si trajtohen fëmijët e heronjve të vdekur. E dinë si është trajtuar edhe heroi i gjallë i Afrikës së Jugut , Nelson Mandela. Janë të informuar se si trajtohen fëmijët dhe familjet e heronjve të rremë dhe të shpikur në Kosovë. Pallate, pensione të larta dhe përfitime të mëdha për ta! Të tillë ka sa të doni! E si trajtohet sot Heroi i Gjallë i Kosovës, Adem Demaçi. Është vetëm një hero i gjallë! Nuk ka të tjerë! Ky trajtim tregon qartë se si trajtojmë ata që vërtetë janë vlera njerëzore dhe kombëtare! Kur kështu trajtohet Adem Demaçi, merreni me mend si trajtohen të tjerët! Turpi raftë mbi ndërgjegjen tonë të rënduar! Asgjë më tepër!

NOA

KOMENTE