English

Eagle Mobile dhe Albtelecom, 25 kompjutera për më të mirët e Maturës Shtetërore

Tiranë, 23 dhjetor 2011, NOA- Eagle Mobile dhe ALBtelecom mbështesin iniciativën e përvitshmet të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për vlerësimin e maturantëve, mësuesve dhe nxënësve më të mirë të sistemit parauniversitar. Në ceremoninë e organizuar më këtë rast, të dy kompanitë kanë dhuruar 25 kompjutera të teknologjisë së fundit për 25 nxënësit me rezultatet më të mirat të Maturës Shtetërore 2011.

Dhuratat janë shpërndarë nga Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile dhe ALBtelecom, Dr. Orhan Coskun, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj dhe drejtues të tjerë të lartë të këtij dikasteri. Mbështetja e ALBtelecom dhe Eagle Mobile është pjesë e projektit të Përgjegjësisë Sociale të të dy kompanive “Viti i Arsimit”.

Në fjalën e tij përshëndetëse në ceremoninë e shperndarjes së çmimeve dhe dhuratave, Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile dhe ALBtelecom, Dr. Orhan Coskun tha se vlerësimi i nxënësve të dhe mësuesve të dalluar është një ngjarje e rëndësishme. Sipas tij, përmes investimeve të vazhdueshme të dy kompanitë kanë mundësuar përdorim të shërbimit të internetit në çdo cep të Shqipërisë me anë të strukturës teknologjike moderne. Krahas kësaj, z. Coskun tha se “për ne nxënësit dhe studentët shqiptarë janë shumë të rëndësishëm”.

Një pikë e rëndësishme e projekteve të të dy kompanive, sipas tij do të jenë në ndihmë të sistemit arsimor. “Në të ardhmen ne do të investojmë akoma më shumë për të krijuar më shumë akses dhe mundësi në shërbimin e internetit. Sot nëpërmjet teknologjisë studentët mund të kenë akses më të madh në informacione dhe materiale mësimore të nevojshme për arsimin. Kemi kënaqësinë që 25 nxënësve më të mirë të Maturës Shtetërore të vitit 2011, t’u dhurojmë nga një kompjuter dhe të përfitojmë nga lehtësitë dhe mundësitë pafund të shërbimit të internetit”, u shpreh Dr. Orhan Coskun.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj në fjalën e tij falenderoi Eagle Mobile dhe ALBtelecom për mbështetjen dhe projektet të vazhdueshme në fushën e arsimit. Sipas tij, të gjithë këto talente, por dhe ata që do të pasojnë do të vazhdojnë të mbështeten nga Ministria e Arsimit. Gjatë ceremonisë u vlerësuan me çmime dhe mësuesit më të mirë për vitin 2011.

Projektet e Përgjegjësisë Sociale të të dy kompanive Eagle Mobile dhe ALBtelecom për vitin 2011 u janë kushtuar arsimit në moton “Dorë për dorë me arsimin”. Të dy kompanitë do të shpallin së shpejti edhe projektin e ri për vitin 2012.

a.y/NOA

KOMENTE