English

Nga e hëna, pagesa deri në 100 euro për hyrje-daljet Kosovë-Serbi

Prishtinë, 24 Dhjetor 2011 NOA/ Rid Bulku – Nga 50 deri në 100 euro do të duhet të paguajnë shtetasit e Serbisë dhe ata të Kosovës nëse lëvizin në dy vendet përkatëse duke nisur nga e hëna e javës së ardhshme.

Shkresa zyrtare u bë e ditur se u ka mbërritur policëve në pikat kufitare në mes të Serbisë qendrore dhe Kosovës. Njoftimi zyrtar sanksionon se duke nisur që nga java e ardhshme duhet të paguhet sigurimi për automjetet, deri në 100 euro, për të hyrë në territorin e Serbisë, sikurse raporton e përditshmja serbe Blic. Zyrtarisht thuhet se sigurimi për automjete, paguhet për shkak se Kosova nuk është në listën e vendeve, që përdorin kartonin e gjelbër.

Në pikat që janë në territorin e Kosovës dhe nën autoritetin e Prishtinës, sigurimi do të paguhet në vlerë prej 50 euro, ndërsa në ato të Serbisë, dyfish më shumë.

Kjo urdhëresë, do të niste zyrtarisht zbatimin nga e hëna edhe në Jarinë në veri të Kosovës, por nga kjo është hequr dorë dhe njëherë do të zbatohet vetëm në Merdarë dhe Konçul.

Urdhëresa për pagesën e sigurimit të automjeteve praktikisht , sipas Blicit, nënkupton që, nëse nga Serbia dikush udhëton në Kosovë me tabelat e regjistrimit të cilitdo qytet, sigurimi kushton 50 euro.

Në anën tjetër, kur hyhet në territorin e Serbisë, sigurimi do të paguhet vetëm për automjetet me targat KS, ndërsa automjetet me tabelat e reja RKS, do të marrin targa provuese, të cilat do të kushtojnë shumë më lirë.

Serbëve të veriut të Kosovës, për të cilët aktualisht është shtyrë vendimi, me kohë do të jenë të detyruar të marrin tabelat e Kosovës. Në të kundërtën do të paguajnë rreth 100 euro kur të hyjnë në Serbi.

KOMENTE