English

Vetëvendosja: Nga Jezu Krishti të mësojnë politikanët, që kanë harruar Zotin

Prishtinë, 24 dhjetor 2011, NOA – Lëvizja Vetëvendosje uroi të gjithë besimtarët e krishterë dhe shqiptarët kudo ku ata jetojnë festën e Krishtlindjes.

Në mesazhin e Vetëvendosjes thuhet se “Krishtlindjet na e kujtojnë lindjen e Jezu Krishtit, njeriu që me veprat dhe mësimin e tij dha porosi universale morale dhe sociale që u bënë frymë lëvizëse e gjithë historisë botërore të njerëzimit”.

“Ai mishëroi besimin e pastër, mirësinë e pakushtëzuar, ndihmën e palodhshme për nevojtarët, mbështetjen e pakursyer për të varfërit, sakrificën për të tjerët, shpresën për pesimistët dhe mëshirën për mëkatarët e përmirësueshëm”, shkruhet në mesazh.

Sipas vetëvendosjes, Jezu Krishti është sinonim i organizimit të popullit të vet kundër koalicionit të protektoratit të huaj me elitat e korruptuara vendëse, që ishin degraduar në agjenci të shitjes së mëshirës së Zotit në Tokë me para dhe korrupsion, andaj jeta e tij në vetvete paraqet edhe një program të vlefshëm politik e social, nga i cili më së shumti duhet të mësojnë politikanët tanë që moti e kanë harruar Zotin, Kombin dhe Moralin”, thotë Vetëvendosje duke uruar të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë:

Gëzuar Krishtlindjet!

KOMENTE