English

Mediat e huaja: Kapet një ton drogë në Shqipëri

Paris, 27 dhjetor 2011, NOA – Mediat e huaja i bëjnë jehonë lajmeve më të fundit të kronikës nga Shqipëria, për kapjen e të paktën një ton Cannabis Sattiva në dy qytete shqiptare, dy ngarkesa të ndryshme që po trafikoheshin drejt Greqisë dhe Italisë, në një operacion të suksesshëm të policisë shqiptare, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Kështu media franceze, “Le Figaro” i referohet komunikatës së Policisë së Shtetit që deklaroi dje sekuestrimin e ngarkesës prej 700 kg Cannabis Sattiva në portin e Durrësit, 45 km në veri-perëndim të kryeqytetit Tiranë.

Sipas medias franceze droga ishte fshehur në një kamionçinë, e cila do të udhëtonte përdrejt Italisë, në një nga tragetet e linjave Durrës-Bari.

Po kështu, në Sarandë, një qytet i pozicionuar 300 km në jug të Tiranës, u zbuluan nga policia e antidrogës të paktën 300 kg Cannabis Sattiva, të fshehura nën një shtresë të dyfishtë të një kamionçine, që ishte nisur me një destinacion fundor, Greqinë.

Në dy operacionet në fjalë ranë në prangat e policisë dy trafikantë droge, të cilët akuzohen për trafik ndërkombëtar droge, dhe janë në qendër të një hetimi policor ndërballkanik, i cili nisi gjashtë muaj më parë në pesë shtete të Ballkanit, si Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja.

Kështu i bëhet jehonë edhe lajmit të mesditës së të hënës, kur në një operacion të njëkohëshëm në pesë vende të Ballkanit i quajtur “Trio” u arrestuan afro 60 persona të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe u konfiskuan një sasi prej mëse 360 kilogramë marijuanë.

Ballkani, shkruan media franceze, duke iu referuar komunikatës për shtyp të Policisë së Shtetit, është një zonë tejet e rëndësishme tranziti për drogën, armët dhe klandestinët drejt vendeve të Evropës perëndimore.

mit/NOA

KOMENTE