English

Zgjatet mandati i qeverisë Papadimos, zgjedhjet në Greqi më 19 prill

Athinë, 28 dhjetor 2011, NOA - Zgjedhjet e parakohshme parlamentare që ishin parashikuar të mbaheshin në Greqi brenda shkurtit duket se do të shtyhen për në muajin prill.

Dy partitë e mëdha PASOK dhe Demokracia e Re duket se kanë rënë dakord që të zgjatet mandati i qeverisë së përkohshme të drejtuar nga Lukas Papadimos, por pa konkluduar në një datë të saktë.

Ministri i Financave dhe njëkohësisht zv/kryeministri Evangelos Venizelos tha se zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen pas festës së Pashkëve, dhe për këtë duket se ka një konsensus të gjerë të spektrit politik.

Por opozita konservatore është shprehur nëpërmjet përfaqësuesit të saj Gianis Mikelakis se zgjedhjet e parakohshme parlamentare mund të shtyhen duke mos dhënë një afat konkret përtej gjysmës së dytë të muajit prill.

Data më e diskutueshme është ajo e 19 prillit, por që gjithsesi do të varet edhe nga performanca e ekonomisë greke në javët në vazhdim dhe nevoja e vendit për t’u qeverisur nga një qeveri teknike.

Jo më pak të vrullshme kanë qenë zhvillimet edhe në kampin e majtë, me ish-kryeministrin Jorgos Papandreu të vënë me shpatulla për muri nga eksponentë të lartë të partisë së tij PASSOK.

një mbledhje të Këshillit Politik të kësaj partie që zgjati më shumë se 12 orë, Papandreut i është kërkuar të shpallë nisjen e një dialogu të brendshëm në parti si dhe të hapë garën për kreun e partisë.

Duke marrë në konsideratë kohën kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare, krerët e PASOK-ut kanë kërkuar që zgjedhjet për kreun e ri të saj të zhvillohen brenda muajit mars, në mënyrë që partia kryesore e të majtës të futet në zgjedhje e unifikuar dhe me qëndrime të qarta.

Përplasjet brenda socialistëve të PASOK-ut kanë krijuar një klimë të tensionuar politike. Në epiqendër të kritikave është lideri i saj Jorgos Papandreu, i cili do të vihet sërish në provë në zgjedhjet sipas parimit një anëtar një votë, që do të zhvillohen në javët e ardhshme.

mit/NOA

KOMENTE