English

Dobësimi i Euros ndaj Dollarit

Euro ka humbur 5.1 përqind ndaj dollarit gjatë muajit të kaluar. Dhe të dhënat mbi gjendjen ekonomike në euro-zonë pritet t’a dëmtojnë edhe më shumë vlerën e saj, duke sinjalizuar parashikime të zymta ekonomike për ekonominë evropiane në vitin 2012. Në 13 vjet që kur u krijua, euro i ngjan një adoleshenteje, deri tani me një jetë të shëndetshme.
Në fillimet e kësaj monedhe, Gjermania, ekonomia më e madhe e euro-zonës, përballej ende me koston e madhe të ri-bashkimit me Gjermaninë Lindore, dhe kishte shqetësime nëse projekti ambicioz i një monedhe të përbashkët do të jepte rezultat. Pavarësisht nga shqetësimet, euro u barazua shpejt me dollarin dhe më vonë ia kaloi. Edhe pas krizës financiare në vitin 2007 dhe recesionit që pasoi – euro e ruajti vlerën e saj. Por tani një recesion i dytë shihet në euro-zonë dhe tregjet janë kthyer kundër saj. Dje euro ra në nivelin më të ulët në 16 muaj, kundrejt dollarit amerikan.
Analisti Jeremy Stretch në Londër, thotë se dobësitë e identifikuara vite më parë, më në fund po dalin në sipërfaqe. “Këto dobësi ishin maskuar nga procesi i rritjes ekonomike në përgjithësi dhe vetëm tani kur shihet një rënie kaq e madhe dalin në pah edhe llojet e mungesave strukturore në kuadër të projektit Eurozonë, proces i projektuar nga politikanët jo në mënyrë optimale.”
Por problemi mund të mos jetë dobësia e euros, por forca e dollarit. Deri vjeshtën e kaluar, statistikat rreth ekonomisë amerikane ishin jo shumë optimiste – me papunësi të lartë, rritje të borxhit qeveritar, dhe tregu i pasurive të patundshme ende në vështirësi. Por ekonomia amerikane tani tregon shenja përmirësimi.
Të premten, Shtetet e Bashkuara njoftuan se në dhjetor u krijuan 200 mijë vende pune, për të gjashtin muaj me radhë. Shkalla e papunësisë është tani 8,5 përqind nga 10.1 përqind që ishte 2 vjet më parë. Ndryshe nga surozona, analistët nuk parashikojnë që Shtetet e Bashkuara të bien përsëri në recesion në vitin 2012. Në eruozonë, analistët shohin vështirësi për vitin 2012:
Greqia mund të mos jetë në gjendje të paguaj borxhet.
Franca mund të humbasë shkallën e kreditit dhe disa nga bankat e saj më të mëdha mund të kenë nevojë për ndihmën e qeverisë për të shpëtuar nga falimentimi.
Dhe në vitin 2013, kur euro pritet të mbushë 14 vjeç, askush nuk e di, se cila do të jetë vlera e saj.

KOMENTE