English

Presidenti Bamir Topi: 21 janari, fjala i mbetet drejtësisë

Intervistë e Presidentit Topi
dhënë për gazetarin Sokol Balla
në "Top-Albania Radio"

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dha ditën e djeshme një intervistë në emisionin radiofonik “Sokol Balla Live” në “Top Albania Radio”.
Ora është 12:20 minuta. Kam nderin dhe privilegjin të kem në studio Presidentin e Republikës, zotin Bamir Topi. Zoti Topi, përshëndetje! Mirë se erdhët kësaj radhe në radio me mua, në “Top Albania Radio”.
Unë ju përshëndes dhe është një kënaqësi e veçantë që ndodhem në studion e radios “Top Albania Radio”, dhe besoj që është një kënaqësi e veçantë, sepse vërtet radio është e pazëvendësueshme.
Është vërtet e pazëvendësueshme. Televizioni ndoshta është më i domosdoshëm, por radio është një kënaqësi e jashtëzakonshme.
Në rast se ne sot jemi në gjendje të shfrytëzojmë nga pikëpamja e marrjes së informacionit, por edhe e përcjelljes së mesazhit, televizionin, kjo nuk do të thotë që radio mbetet mbrapa. Radio ka një specifikë shumë të veçantë, sepse ka më shumë ndjeshmëri në transmetimin e mesazhit.
Është e vërtetë. Është më e ndjeshme. I flet zakonisht një dëgjuesi, le të themi.
Pastaj, i referohemi edhe retrospektivës së zhvillimit të teknologjisë së përcjelljes së lajmit dhe radio mbetet vërtet…
Radio ishte e para.
Radio ishte e para.
Zoti President, sot në fakt është 11 janari. Është festuar dikur si Festa e Republikës. Ama, është një datë e rëndësishme historike për Shqipërinë, sepse pikërisht në 11 janarin e 1946-ës u zyrtarizua forma e regjimit të Shqipërisë, Republika, e cila u bë popullore, u bë socialiste. Sot jemi në një republikë demokratike, e pra, është forma më e mirë e regjimit që shqiptarët kanë zgjedhur ndonjëherë. Por, nuk e di, a mund të quhet akoma apo jo, 11 janari, nëse jo “Festa”, “Dita e Republikës”?
Unë besoj që nuk është thjesht një datë, e cila lëviz nga protokolli për shkak edhe të metamorfozës që bën politika, por e rëndësishme është për të folur për Republikën. Për të folur për Republikën është gjithmonë shumë e rëndësishme, sepse populli vetë e ka zgjedhur dhe vazhdon ta zgjedhë këtë formë regjimi dhe, besoj, është një nga ato forma demokratike, të cilat ne tentojmë çdo ditë që ta përsosim.
Zoti President, në ç’fazë është Republika jonë sot dhe cilat janë problemet kryesore me të cilat ajo përballet?
Unë mendoj që pavarësisht nga problemet, shteti ynë demokratik, çdo ditë që kalon, përsoset. Përsoset nëpërmjet reformimit të mjaft ligjeve, nëpërmjet konsolidimit dhe të institucioneve, nëpërmjet rritjes së standardit të demokracisë. Pra, unë mendoj që është një proces që konsiderohet evolucionar hap pas hapi, por gjithmonë progredon. Dhe unë besoj që këtu lind dhe ajo dëshirë e madhe e shqiptarëve, që të kenë të drejtën legjitime që të jenë pjesë e familjes evropiane, sepse asgjë nuk vjen në mënyrë të rastësishme, por është pjesë e një evolucioni relativisht të gjatë.
Zoti President, t’ju bëj nga ato pyetjet provokative tani. 5 vjet më parë, në 11 janar të vitit 2007, në një takim publik në Pallatin e Brigadave, Berisha dhe Nano firmosën marrëveshjen që përfshinte dhe zgjedhjen e Presidentit. 6 muaj më vonë, ju u zgjodhët President. 5 vjet më pas, ju jeni në muajt e fundit si President. Nano kërkon sërish të bëhet President, por me gjasë, Berisha nuk do të ketë më nevojë për marrëveshje për të zgjedhur një president të tijin, pasi këtë ia lejojnë ndryshimet kushtetuese, që ai i bëri në marrëveshje me Edi Ramën. 5 vjet më vonë, kemi bërë progres politik apo regres, krahasuar me 11 janarin e 2007-ës?
Unë besoj që gjatë 5 viteve patjetër që Shqipëria dhe institucionet e Shqipërisë kanë bërë progres. Lidhur me çështjen në fjalë, fakti që unë, pak kohë më parë i jam referuar një pozicionimit tim të vullnetshëm për të deklaruar që në përfundim të mandatit nuk do të kërkoj që të rikandidoj, e vendos Presidentin në një pozicion moral të tillë që t’i largohet kësaj teme për të diskutuar se kush do të jetë personi që do ta zëvendësojë. Unë uroj që Institucioni i Presidentit të Republikës të jetë gjithmonë një institucion i larguar nga interesat e partive politike dhe të jetë ashtu sikurse përcaktohet në Kushtetutë. Përcaktimi në Kushtetutë është mjaft i qartë. Presidenti është simbol i unitetit të popullit dhe qëndron mbi partitë dhe kur është e nevojshme për të qëndruar midis partive për të stimuluar dialog, marrëveshje, bashkëpunim në interes të Shqipërisë dhe të institucioneve të saj.
Zoti President, më lejoni të mos jem dakord me ju në këtë pikë. Ju thoni që duhet të jetë një President larg politikës. Ama, unë mendoj që, fakti që në 5 vitet e shkuara, kemi pasur President një njeri superpolitik, që ishit ju, pavarësisht se ndoshta jeni përballur edhe me ndonjë kritikë publike, etj, etj, mendoj që…
Më shumë i paragjykuar.
Pikërisht pra, në prapaskenë mendoj që keni qenë garant më shumë se ç’do të ishte një President jo politik?
Jo, unë e thashë në një sens tjetër. Nuk thashë për “background”-in e personit që do të vijë në krye të Presidencës. Unë vazhdoj t’i qëndroj atij mendimi që njeriu që do të vijë në Presidencë, së pari mund të jetë një njeri me eksperiencë politike, por në momentin që shkon në Presidencë, dhe kjo ka ndodhur edhe me mua, që unë mbaja një post të rëndësishëm në Partinë Demokratike, ka qenë detyrim kushtetues për t’iu larguar çdo lloj funksioni politik, partiak, dhe për t’iu përkushtuar një institucioni që është kushtetues dhe ka një simbolikë të rëndësishme. Është një institucion përfaqësues i të gjithëve, pra i çdo qytetari i cili mund të jetë në një parti, mund të jetë pa parti, mund të ketë interes për politikën ose jo, por është shumë e rëndësishme që Presidenti të ndihet si një institucion që i takon të gjithëve.
Si mendoni se do zgjidhet Presidenti i ardhshëm?
Kjo është një pyetje pastaj që domosdoshmërisht, në qoftë se unë do të kisha një opsion timin, patjetër që do të më fuste në debate publike të ditës. Fakti që sot ka një debat publik dhe, pavarësisht nëse Presidentit i jepet e drejta për t’u shprehur, apo për të bërë një objeksion, unë kam preferuar që këtë çështje të mos e bëj pjesë timen apo të Institucionit. Kjo është një çështje e një debati politik që ekziston sot në terrenin politik shqiptar midis partive, midis konstitucionalistëve. Dhe, në rast se do të kishte probleme të paqarta, unë gjithsesi do të preferoja që partitë politike apo individë politikë t’i diskutonin midis tyre dhe, në rast se do të kishte nevojë për të shfrytëzuar një atribut kushtetues që i kanë të tjerët, natyrisht që i ka dhe Presidenti, por unë nuk mendoj që do ta shfrytëzoj këtë pjesë…
Po flisni për mekanizmin e pyetjes së Gjykatës Kushtetuese.
Po, sigurisht, secili ka të drejtë, shteti demokratik i të gjitha mekanizmat dhe në rastin konkret, sikurse për të gjitha rastet e tjera, garanti i Kushtetutës, kur ka nevojë për t’u sqaruar një procedurë, gjithmonë garanti i Kushtetutës është Gjykata Kushtetuese. Por gjithsesi, ky është një debat që i mbetet partive politike.
Pra, bëhet fjalë pikërisht për debatin nëse nisja e seancës për zgjedhjen e Presidentit të jetë kuorum 84 dhe a zgjidhet ai me 71 apo jo?
Unë dëshiroj të mos futem në këtë lloj debati.
Por ama, në parim, ju sugjeroni që në rast se do të duhet të ketë, apo ka paqartësi, duhet të jetë Gjykata Kushtetuese si në rastin e Kosovës, që e sqaroi këtë apo jo?
Për definicion, unë nuk futem në rast konkret, për definicion, në parim gjërat funksionojnë në këtë mënyrë. Në rast se ka…
Por, ju do t’i qëndroni larg ama, që ju vetë ta vini në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.
Unë personalisht nuk do të vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, sa kohë ka mekanizma të tjerë, që janë tek partitë politike. Nëse dëshirojnë t’i shfrytëzojnë ose jo, është një çështje e tyre.
Është një çështje e tyre, normal. Ndërkohë për ju është e qartë, e para nuk do të jeni më President i Republikës, e deklaruat në dhjetor, qartë, prerë, vetëm nëse ndryshon Kushtetuta.
Vetëm nëse Kushtetuta do të ishte e tillë që Presidenti do të zgjidhej nga populli, atëherë unë rishfaq edhe atë që e kam thënë kohë më parë, ju e keni parë vetë që unë kam qenë konstant dhe shumë në kohezion me deklaratat e mia të retrospektivës, unë do ta merrja në konsideratë një ndryshim të asaj që kam deklaruar, e kam deklaruar vetëm mbi bazën e kësaj formule, kur Presidenti do të jetë produkt i partive politike.
Mbetemi tek partitë politike. Pak ditë më parë, në “Top Channel”, në emisionin e Rudina Xhungës, Aleksandër Biberaj deklaroi se po punon për hartimin e statutit dhe programit të partisë suaj, pra, të partisë së zotit Topi. Ju e konfirmoni këtë?
Së pari unë rikonfirmoj atë që kam thënë edhe në studiot e “Top Channel”, që deri në sekondën e fundit, të ditës së fundit të mandatit tim presidencial, unë do të jem President i të gjithë shqiptarëve. Pastaj, më pas i mbetet edhe një vendimmarrje personale dhe në funksion të atij momenti për të përcaktuar karrierën time të mëvonshme. Kështu që çdo deklaratë që bëhet natyrisht me një vullnet pozitiv, i takon gjithsecilit që ta interpretojë, ta elaborojë.
Kështu që është e kotë t’ju pyes se cili do të jetë programi, mekanizmat e realizimit…
Jo, kini parasysh diçka, në rast se ka …
Se partia do të ishte në teori, e djathtë, e keni deklaruar në një studio tjetër timen.
Absolutisht. Unë ç’kam deklaruar, e kam deklaruar, dhe i qëndroj atyre deklaratave. Problemi është këtu që gjithçka që lidhet me emrin tim nominalisht, pra, me emrin dhe mbiemrin tim, të gjitha interpretimet do t’i bëj unë në momentin e duhur, dhe çdo gjë që diskutohet, pavarësisht vullnetit të mirë, sigurisht që i takon çdo interpretuesi ta sqarojë.
Duket se përveç të djathtës, një ankth jo i vogël ka kapur edhe të majtën, apatia e së cilës mund t’ju sjellë edhe vota nga e majta, ose nga populli i zhgënjyer, nga e majta apo e djathta aktuale sot në Shqipëri.
Përderisa unë dhashë një përgjigje në themel, do të thotë që një ndërtesë nuk mund të ngrihet në katin e parë, të dytë, të tretë, e kam fjalën për paralelizëm për të bërë pyetje të tjera, sa kohë që unë në themel ju thashë që kjo intervistë, sa kohë që nuk ekziston një përgjigje tjetër, përveç asaj që unë kam dhënë, mbetet një intervistë virtuale.
Mirë atëherë, po ju bëj një pyetje si President i Republikës. Cili është qëndrimi juaj për censusin? A morët pjesë në të?
Natyrisht që kam marrë pjesë, sepse asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim për të dekretuar një ligj, i cili është i rëndësishëm për shqiptarët. Unë e kam thënë vazhdimisht që, të dish se cili është numri i popullsisë, cilat janë të dhënat e rëndësishme bazale për të ndërtuar pastaj të gjitha të dhënat e tjera, sigurisht që është shumë i rëndësishëm. Nuk kam hyrë në detaje, por gjithmonë ua kam lënë institucioneve të specializuara që, në përfundim të përllogaritjes së të gjitha të dhënave, do të jenë ato si institucione të shtetit dhe unë e respektoj shtetin në çdo lloj strukture…
Jeni Kryetari i tij.
Sigurisht që unë e respektoj dhe unë këto gjëra i kam me shumë seriozitet, pavarësisht nëse sot jam Kryetar, por edhe dikur, edhe kur të mos jem Kryetar, unë jam një respektues i devotshëm i shtetit.
Pra, e keni plotësuar edhe atë pjesë të formularit për çështjen e kombësisë dhe të fesë?
Po, natyrisht që po.
Zoti President, po bëhet një vit nga 21 janari dhe duket se politikisht e kanë harruar të gjithë: qeveria po e po, por deri diku edhe opozita. Madje, deri diku harresën e sugjerojnë edhe ndërkombëtarët, si për shembull Ambasadori i OSBE-së, Volfart. A keni një mesazh një vit më pas, pas atyre që u cilësuan si “ngjarjet në bulevard”?
Unë, së pari, këtë ngjarje e rikonsideroj edhe një herë, sikurse e kam thënë, një ngjarje shumë të hidhur, një ngjarje, e cila kurrsesi nuk duhej të kishte ndodhur. Ajo duhej të ishte evituar, sepse, e parë në këndvështrimin e Kryetarit të Shtetit, kjo ngjarje përkeqësoi imazhin e Shqipërisë edhe në sytë e ndërkombëtarëve. Pra, një ngjarje, që patjetër solli dhunim të institucioneve, por nga ana tjetër solli edhe të vrarë, edhe të plagosur. Kështu që, nga kjo pikëpamje, unë vazhdoj ta konsideroj në këtë mënyrë: një ngjarje, e cila, sot, përtej politikës, duhet të trajtohet nga drejtësia dhe, përderisa drejtësia është në proces, unë preferoj që gjithçka t’ia lë drejtësisë.
Por, a mendoni se po e thotë drejtësia fjalën në këtë drejtim?
Janë duke punuar. Duhet të presim. Janë ata aktorët, tashmë aktorë shtetërorë, që duhet të thonë fjalën e tyre.
Zoti President, 11 vjet më parë, në një studio tjetër, ne të dy kemi bërë një intervistë të fundit radiofonike, ndërkohë që kemi bërë shumë intervista të tjera televizive. Ju atëherë ishit deputet, kryetar i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, unë isha tek BBC dhe kemi folur për lopën e çmendur. 11 vjet më pas ju jeni President dhe kjo është “Top-Albania Radio” dhe përsëri po duket se po flasim për një sëmundje, apo jo?
Nuk e di për çfarë lloj sëmundjeje e keni fjalën, por duhet ta adresoni pyetjen më…
Më tepër ua bëj pyetjen si personit, i cili mund t’i gjejë ilaçin.
Unë vërtet që për një kohë shumë të gjatë jam marrë me studime në biologjinë e aplikuar. Madje, duke iu rikthyer një interviste që kemi bërë së bashku dhe duke u rifutur në këtë fushë, kam frikën se do të harroj të flas për politikën, sepse ajo ka qenë dhe do të mbetet një ndër fushat e mia të preferuara, për aq sa unë kam pasur rastin që të jem pjesë e një grupi shumë të arrirë kërkimor-shkencor. Kemi bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Universitetin e Torinos në Itali dhe kam pasur rastin që të futem në një metodologji që konsiderohet në biologjinë molekulare. Kjo më ka ndihmuar që edhe kur bëjmë analiza të karakterit politik, të tentoj që t’i futemi gjërave në qelizë dhe besoj që biologjia të jep shansin që të përforcosh mundësinë e diagnozës.
Zoti President, jemi në radio dhe ju folët mbi impresionet tuaja për radion. Tani në fund, nëse do të zgjidhnit një këngë për të përshëndetur dëgjuesit e shumtë të Top-Albania Radios në këto momente…
Unë dëshiroj që ta përgëzoj “Top-Albania Radion”, sepse qysh nga fillimi i saj i ka dhënë një fizionomi shumë moderne pikërisht këtij elementi të rëndësishëm, që konsiderohet radio. Dhe të gjithë ata, që kanë arritur ndoshta të rinj në moshë, por kanë arritur që me shumë emocion të transmetojnë tek publiku. Ju siguroj që nuk është i pakët, sepse mund të jetë në radio në makinë, mund të jetë në radio aty ku nuk ka televizion, pra, besoj që amatorët e radios nuk janë të paktë. Duke iu rikthyer rinisë sime të hershme dhe, natyrisht, kohës së gjimnazit, patjetër që më vijnë ndër mend shumë këngë.
Meqë jeni numri një i shtetit, duhet të zgjidhni numrin një.
Kanë qenë dy-tre këngë, që në atë kohë, në “hit-parade” –in e famshëm, që ne e ndiqnim me shumë dëshirë, në mos gaboj, ka qenë një këngë e Klaudio Balionit “Questo piccolo grand amore”, ka qenë një këngë e Luçio Batistit “Pensieri e parole”, por, një këngë që unë dëshiroj ta veçoj është “Without You” e Herri Nilson, që e ka sjellë më vonë Maria Carey, e cila ka qenë një ndër këngët, që ka qëndruar më gjatë në “hit-parade”. Fakti që unë zgjodha këtë këngë ka patjetër dhe një simbolikë të veçantë.
“Without You” nga Maria Carey e përzgjedhur nga Presidenti i Republikës, për të gjithë dëgjuesit shqiptarë. Ne do të jemi sërish me Presidentin e Republikës sot në mbrëmje në emisionin “Fix Fare”, në një performancë të jashtëzakonshme të Kreut të Shtetit. Pas korrikut do të jemi “Without Mr. President”, por do të jemi “With Mr. Topi” kësaj radhe në politikë. Zoti Topi, shumë faleminderit që ishit këtu me mua në “Top-Albania Radio”.
Faleminderit dhe juve dhe besoj që kjo intervistë ishte shumë simpatike.

KOMENTE