English

KQZ paraqet propozimet në komision. Reforma zgjedhore

Të shtohen Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, të shkohet koha në dispozicion për prodhimin e fletëve të votimit dhe të ndryshojë dhe procesi i hapjes së kutive për numërimin e votave. Këto janë disa nga propozimet kryesore që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i propozon Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Drafti i KQZ-së është harruar në bazë të rekomandimeve të bëra nga OSBE/ODIHR-i pas zgjedhjeve të vitit 2009 dhe 2011. Në të parashikohet gjithashtu që fletët e votimit pas mbylljes së procesit tp mos digjen, por të riciklohen.
Propozimet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dorëzuar pranë Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore një draft të plotë lidhur me ndryshimet që duhet të bëhen në Kodin Zgjedhor. Praktika zgjedhore, sidomos në dy garat e fundit elektorale, ato të 2009-s dhe të vitit 2011, kanë nxjerrë një sërë problemesh teknike, të cilat KQZ synon t’i zgjidhë me ndryshime konkrete në kod. Drafti është hartuar gjithashtu edhe në bazë të rekomandimeve të dhëna nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Në bazë të këtyre rekomandimeve dhe problematikës së hasur, KQZ ka propozuar shtimin nga 66 në 100 numrit i Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Kërkesa synon, që puna për menaxhimin e zgjedhjeve të mos përqendrohet vetëm në duart e pak individëve, që mund ta bllokojnë atë. Po ashtu, KQZ kërkon, më tepër kohë për shtypjen e fletëve të votimit. Nisur nga pengesat, që dolën në zgjedhjet e 8 majit, sipas këtij organi fletët duhen prodhuar të paktën 1 muaj më herët nga çfarë parashikon kodi aktual. Në kodin e ri duhen përcaktuar dhe afate të reja për ruajtjen e fletëve, të cilat tashmë nuk duhen djegur siç është vepruar deri më tani, por ricikluar. KQZ propozon gjithashtu se në rast se një anëtar i saj apo i komisioneve të niveleve të dyta largohet për mbi dy orë nga vendi i punës ditën e zgjedhjeve, atëherë ai duhet të shkarkohet automatikisht. Ndërkaq shtrëngohen afatet e emërimit të komisionerëve. Një tjetër element që KQZ kërkon të shtohet në kod, për të shmangur vonesat qe ndodhën në 8 maj, është dhe hapja e njëkohshme e të gjitha kutive në qendrën e numërimit. Më pas të nisë numërimi, sipas ngjyrës së fletëve dhe organit për të cilin garohet. Komisionit të Reformës i kërkohet të ripërcaktojë renditjen e koalicioneve dhe subjekteve në fletën e votimit.
Edhe më herët kreu i KQZ-së, Arben Ristani, ka shpjeguar propozimet e institucionit që drejton që, sipas tij, kryesisht lidhen me afatet e procesit të numërimit të votave. “Një nga ndryshimet është shtimi i komisioneve të nivelit të dytë, dhe rrjedhimisht shtimi i vendeve të numërimit të votave. Gjithashtu, një nga pengesat kryesore ka qenë ajo që ka marrë emrin kutia e fundit. Pra, bllokimi i procesit të numërimit kur vinin kutitë e fundit pasi partitë politike e dinë se çfarë rezultati mund të prodhojnë ato kuti. Nga praktika kombëtare është me interes të shikohet mundësia që fletët e votimit të përzihen para se të fillojë numërimi në mënyrë që forcat politike mos dinë deri në fund se si shkon rezultati. Ose ne jemi duke parë mundësia për të mos futur në procesin e numërimit kutinë e materialeve zgjedhore”, - ka deklaruari Ristani. Kreu i KQZ-së ka propozuar dhe një sërë ndryshimesh të tjera të cilat lidhen afatin e dorëzimit të listave të zgjedhësve të domosdoshme në procesin e prodhimit të fletëve të votimit.

Propozimet e KQZ-së për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

1. Të shtohet numri i Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve nga 66 në 100

2. Nëse një anëtar i KQZ apo i komisioneve të niveleve të dyta largohet për më shumë se dy orë të shkarkohet au7tomatikisht.

3. Fletët e votimit pas mbylljes së procesit të riciklohen dhe jo të digjen

4. Koha në dispozicion për prodhimin e fletëve të votimit të paktën 1 muaj më herët nga sa parashikohet në kodin aktual

5. Kutitë e votimit të hapen njëherësh në të gjithë qendrat e votimit më pas të nisë numërimi, sipas ngjyrës së fletëve dhe organit për të cilin garohet.

6. Të ripërcaktohet renditja e koalicioneve dhe subjekteve në fletën e votimit.

7. Të kufizohen të drejtat e partive politike për ndryshimin e komisionerëve

8. Dorëzimi i listave të zgjedhësve të bëhet para aftit 30-ditor.

KOMENTE