Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Letra e kryetarit të PS, Edi Rama drejtuar Kryprokurores Ina Rama
English

Letra e kryetarit të PS, Edi Rama drejtuar Kryprokurores Ina Rama

Drejtuar: Znj. Ina Rama
Prokurore e Përgjithshme e Shqipërisë

E nderuar zonja Prokurore e Përgjithshme e Republikës,

lejomëni t’Ju drejtohem publikisht në këtë moment kaq përcaktues për fatin e demokracisë shqipëtare, ku roli i organit të akuzës është vendimtar dhe hetimi i plotë e i paanshëm i tragjedisë së 21 janarit domosdoshmëri mirëfilli historike.

Ju përgëzoj fillimisht edhe drejtëpërsëdrejti për hapat e rëndësishëm që janë hedhur së fundmi në drejtim të zbardhjes së vrasjeve dhe për bashkëpunimin e suksesshëm me FBI-në, falë mbështetjes së paçmuar të qeverisë së Shteteve të Bashkuara e të Ambasadorit Arvizu.

Mbështetja e posaçme e partnerit të madh strategjik të Shqipërisë e të shqiptarëve nuk përbën vetëm një garanci më shumë për hetimin e 21 janarit. Ajo përbën edhe një detyrim më shumë të institucioneve të drejtësisë e të vetë politikës shqiptare për ta merituar këtë mbështetje kaq të vyer, duke përmbushur standartet e një drejtësie të denjë për vizionin e për vlerat që partneri ynë i pazëvendësueshëm mishëron si simbol i përbotshëm demokracie dhe me plot të drejtë kërkon prej të gjithëve ne në funksion të një Shqipërie demokratike.

Nga ana e Partisë Socialiste dhe forcave të opozitës së bashkuar, unë Ju garantoj gjithashtu për mbështetjen tonë pa kushte në këtë hetim, për suksesin e plotë të të cilit kemi qenë dhe jemi tërësisht në dispozicion të organit të akuzës.

Kërkesën Tuaj për përfshirjen në hetim të tre deputetëve socialistë e kemi pranuar pa asnjë ngurrim dhe Ju siguroj se do të japim votën tonë në parlament që imuniteti i tyre të mos përbëjë pengesë për ekzigjencat e një hetimi shterues e të paanshëm. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe nëse nevojat e hetimit do të kërkojnë përfshirje deputetësh të tjerë të Partisë Socialiste.
Por në këtë pikë e shoh të udhës t’Ju bëj publikisht një pyetje dhe një shpjegim nga këndvështrimi im si kryetar i Partisë Socialiste e në këtë rast edhe organizator i demonstratës së 21 janarit.

Pse zonja Prokurore e Përgjithshme nuk jam thirrur ende unë vetë, pikërisht në cilësinë e Kryetarit të Partisë Socialiste e të opozitës dhe për rrjedhojë edhe të koordinatorit të të gjitha përgatitjeve të asaj demonstrate, për organizmin e së cilës të tre deputetët e kërkuar prej Jush nuk kanë bërë as më shumë e as më pak se të gjithë kolegët e tyre e, padyshim, asgjë më shumë se sa unë personalisht?

Jam i bindur se dëshmia ime do të vlente për hetimin Tuaj jo më pak se dëshmitë e tyre. Prandaj pres me padurim që të thirrem për të kontribuar me gjithçka di për këtë hetim kaq të rëndësishëm për drejtësinë në Shqipëri, e për vetë Shqipërinë në rrugën e mundimshme të ndërtimit të shtetit të së drejtës.

Dua të besoj se Ju do ta çmoni seriozisht këtë shprehje vullneti nga ana ime për ta ndihmuar hetimin dhe nuk do të ngurroni të më rendisni edhe mua në radhën e të hetuarve. S’kam asnjë imunitet dhe mbi të gjitha asnjë dallim nga të tre deputetët në fjalë apo nga cilido tjetër që, njësoj si ata, ka qenë pjesë e organizimit të demonstratës së 21 janarit.

Më anë tjetër, vjen natyrshëm edhe një pyetje e pandarë nga e para, të cilën dua t’Jua bëj po publikisht.

Cila është pse-ja e mospërfshirjes në hetim të kryeministrit Sali Berisha dhe ish-Ministrit të Brendshëm Lulëzim Basha, si dy hallkat më të larta të zinxhirit të komandës së Gardës së Republikës e si përgjegjës të drejtëpërdrejtë për funksionimin e asaj garde që në 21 janar vrau njerëz të pafajshëm?

E pamundur të kuptohet nga ana jonë, por me sa kam vënë re edhe nga ana e opinionit të shqetësuar publik, mbetja e hetimit në nivelin politik tek vetëm tre deputetët opozitarë. Megjithë gatishmërinë e tyre të plotë ata s’mund ta përmbushin dot assesi nevojën e një hetimi shterues të të gjithë nivelit politik, që as mund të ndahet nga hetimi e as mund të hetohet pjesërisht.

Pranoni paraprakisht ndjesën time nëse kjo kërkesë e prokurorisë për imunitetin e vetëm tre deputetëve opozitarë, nuk është fundi po vetëm fillimi i hetimit mbi rolin e palëve e të aktorëve politikë për gjithë sa ndodhi në 21 janar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Më tutje akoma zonja Prokurore e Përgjithshme, ju me siguri jeni në dijeni të dëshmisë rrëqethëse, publike, të vëllait të njërit prej të vrarëve, të ndjerit Hekuran Deda, i cili ka denoncuar publikisht kryeministrin Sali Berisha për një ofertë tronditëse në adresë të familjes Deda. Besoj se edhe kjo dëshmi e bën të domosdoshme marrjen në pyetje të Sali Berishës, bashkë me dorëzanin e tij që ka premtuar tek familja Deda në emër të Sali Berishës jo vetëm para, por dhe fotografinë e vrasësit të Hekuranit në këmbim të favorit të mikpritjes në shtëpi të kryetarit të qeverisë.

Shqipëria meriton të dijë të vërtetën, të gjithë të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Të njëjtën gjë meritojnë padyshim edhe miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Sepse, në opinionin tim modest, e vërteta e plotë e 21 janarit nuk është thjesht e vërteta e një ngjarjeje tragjike por një gur themeli në proçesin e demokratizimit të vendit tonë e të garantimit të barazisë para ligjit për vitet e ndoshta dekadat që vijnë.

Jam plotësisht i vetëdijshëm për barrën Tuaj shumë të rëndë në kushtet kur rendi ligjor në Shqipëri është thellësisht i kompromentuar dhe hetimi seriozisht i penguar nga dëmtimi i qëllimshëm i provave, ashtu siç jam i vetëdijshëm edhe për të gjitha ngarkesat e pamerituara që ka vënë mbi supet e organit të akuzës politika e përbaltjes së pakursimtë të institucionit të prokurorisë e të vetë autoritetit Tuaj kushtetues, përveçse dinjitetit Tuaj njerëzor. Të tilla pengesa të pashembullta e ngarkesa të jashtëzakonshme s’ka dyshim se nuk e lehtësojnë kryerjen e detyrës nga ana e prokurorisë dhe Juaja personalisht. Por misioni i lartë që keni ndaj popullit shqiptar përmes Kushtetutës së tij e bën praktikisht të pamundur në këtë rast uljen e nivelit të hetimit për sa u takon palëve e aktorëve politikë.

Ata duhet të hetohen që të gjithë, pa dallim e pa anshmëri, pavarësisht fuqisë aspak të vogël propagandistike dhe jo vetëm propagandistike që njëra palë, fatkeqësisht ajo në pushtet, i kundërvë prej një viti këtij proçesi kaq të rëndësishëm hetimor duke sulmuar egërsisht prokurorinë e Ju personalisht.

Duke Ju siguruar edhe njëherë për mbështetjen pa asnjë ekuivok që opozita shqiptare dhe unë si kryetari i saj do t’i japim deri në fund organit të akuzës, lejomëni zonja Prokurore e Përgjithshme që bashkë me konsideratën time më të lartë t’ju shpreh publikisht edhe besimin se kërkesa logjike për të mos lënë jashtë hetimit të plotë nivelin politik të vendit, do të çmohet nga prokuroria si një domosdoshmëri e patjetërsueshme në rrugën e nxjerrjes në dritë të të gjithë të vërtetës së 21 janarit tragjik.

Punë të mbarë në misionin Tuaj të vështirë dhe sukses në këtë përpjekje që së fundmi i ka dhënë publikut shqiptar rezultate inkurajuese për zbardhjen e krimeve të asaj dite, e cila jo vetëm s’duhet të përsëritet më kurrë po mund dhe duhet të shërbejë si një pikë kthese për shtetin e së drejtës në Shqipëri.


Me shpresë dhe respekt,



Edi Rama

Kryetar

KOMENTE