English

Ka ardhur koha që kinematografia shqiptare të bëjë kthesën e duhur. Kemi humbur shumë kohë

"Ka ardhur koha që kinematografia shqiptare të bëjë kthesën e duhur. Kemi humbur shumë kohë. "

Bujar Alimani: “Amnistia” një film me karakter kombëtar, por jo për të kaluarën ose tranzicionin, pra "një dritë tjetër" e kinematografisë shqiptare, që kinemaja shqiptare të divorcohet nga e shkuara, format e reja i japin oksigjen."

BIG APPLE NJU-JOK -: Bujar Alimani u lind më 27 janar 1969 në Patos, Shqipëri. Ai studioi për pikturë dhe artin skenikë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Në vitin 1992 ai emigroi në Greqi, ku ka punuar si asistent drejtor në disa filma greke.

Filmat e tij të shkurtër u përzgjodhën dhe u dhanë në festivale të ndryshme ndërkombëtare të filmit, si në Tampere, Regenyburger, Siena, Sydney, Montpellier etj. Në vitin 2011 ai drejtoi filmin e tij të parë titulluar "Amnesty". Ky ishte filmi i parë shqiptar që është financuar nga Këshilli i Evropës fondi “Eurimages”. Filmi ka marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare dhe fitoi CICAE. Çmimi në Berlin, Festivali Ndërkombëtar i Filmit. Filmi shqiptar “Amnistia” i Bujar Alimanit prej katër ditësh po shfaqet me plot sukses në metropolin e botës Nju-Jorkut, duke shfaqur në kinemanë e famshme në zemër të këtij qyteti “The Museum of Modern Art (MoMa)”. “Amnistia” e Alimanit po shfaqet nga datat 14 deri në 20 janar dhe më pas mund të udhëtojë për në mbretërinë e kinematografisë botërore, Los Angelos, pasi janë duke u zhvilluar disa tratativa. Në intervistën e parë në SHBA Alimani flet me kolegun tonë Beqir Sina, duke treguar se çfarë e ka tërhequr më shumë te filmi "Aminnsty" Ai na tregoi për filmin "Amnistia" dhe cila ishte ideja për realizmin e tij dhe arritja deri këtu.

Gjithashtu Alimani foli edhe për suksesin e filmit të tij, duke u shfaqur në Nju-Jorku, madje në njërin nga mjediset më prestigjioze të këtij metropoli botëror, në “The Museum of Modern Art (MoMa)”. Dhe së fundi ai tregoi se cila është sot kinematografia shqiptare, filmi shqiptar dhe perspektiva e tij.

- Ç’të ka tërhequr më shumë te filmi "Aminnsty"?

- “Amnistia” është një film ndryshe nga forma klasike, nëse mund të themi, e një filmi. Pra, që në rrokjen jo aq klasike të idesë për të bërë skenar, nuk ishte një histori e zakonte, po ashtu shkrimi i skenarit duhet të ishte ndryshe, po ashtu edhe forma e mëtejshme e që do të ndiqej në film, duke pasur parasysh xhirimet dhe postproduksionin.

- Na trego për filmin "Amnistia", idenë për realizmin e tij dhe arritja deri këtu.

- Unë bëra një film në një kohë tepër të vështirë për Evropën dhe kam parasysh krizën ekonomike. Por, megjithatë, përderisa “Amnistia” ishte hedhur dy herë poshtë nga bordi e Qendrës Kinematografike në Tiranë, vendosëm me producentët të ndjekim një taktikë tjetër, pra të sigurojmë në fillim fonde nga institucione financiare evropiane e më pas të shkojmë në Shqipëri. Dhe kështu ndodhi. “Amnistia” u aprovua si projekti i parë kinematografik shqiptar në “Euroimages” e më pas në vendet respektive Shqipëri, Greqi Francë. Ideja fillestare erdhi pas një leximi tim në shtyp për një ligj të qeverisë shqiptare, me të cilin më së fundi lejoheshin vizita intime erotike midis bashkëshortëve në burg. Që këtu ndjeva se përpara kisha një histori shumë interesante, që do të kish pikërisht si temë këtë background.

- Çfarë është e veçantë në rolet e aktorëve të filmit tuaj "Amnistia"?

- Aktorët e mi tek “Amnistia” nuk janë yje d.m.th. ata që i kemi njohur deri tani në teatrin kombëtar ose si monopol i filmit shqiptar, pra aktorë të njohur. Operova me aktorë shumë të mirë, por, si të thuash, pak më të lënë në hije.Gjithsesi, e veçanta e lojës së aktorëve mendoj se është ajo që në tërësi tek “Amnistia” karakterizohet si minimalistike. Dialog i paktë, puna me pauzat e sidomos vështrimet.

- Cila është sfida më e madhe në bërjen e këtij filmi?

- Sfida, nëse do mund ta quajmë kështu, është tendenca absolute për të bërë një film ndryshe e për të krijuar unë personalisht një stil timin krejt të veçantë në kinematografi. Nuk e kam parë asnjëherë si pjesë të kinematografisë shqiptare këtë vepër, por kam shkuar edhe më gjerë që të tentoj ta krahasoj me punë të kolegëve të mi në Perëndim dhe “Amnistia”, me sa duket, eci në këtë kahje.

- Si mendoni, çfarë do ta bëjë "Amnistinë" që të ketë sukses të madh gjatë këtij viti?

- Çdo festival, prezantim ose event ku filmi im merr pjesë, është një konstatim gjithnjë e më i fortë se “Amnistia” mund të flasë edhe me publik që nuk është shqiptar, sepse tekefundit tejkalon çështjen pothuaj formale të gjuhës së shprehur në kuptimin elektik. Mjetet shprehëse në film janë përtej saj e brenda gjuhës filmike. Kjo mendoj është çelësi i artë i suksesit të filmit, që po vazhdon shumë mirë edhe në vitin që sapo hyri.

- Filmi juaj “Amnistia” prej u shfaq në Nju-Jorku, madje në njërin nga mjediset më prestigjioze të këtij metropoli botëror, në “The Museum of Modern Art (Moma)”. Si ndiheni nga ky fakt?

- Ardhja e filmit në Nju-Jorku në MoMa është për mua evenimenti më i rëndësishëm pas festivalit të Berlinit. Kontakti me metropolin botëror jo vetëm si qytet, por së pari si civilizim më jep një kënaqësi tepër të veçantë. Jam i qetë, “Amnistia” është më së fundi në MoMa në Nju-Jorku. Ç’mund të kërkojë tjetër një artist?

- Çfarë mendon se do të sjellë “Amnistia” për publikun shqiptarë këtu në Nju-Jorku?

- Publiku shqiptar në Nju-Jorku mendoj se ka dëshirën e madhe të jetë në kontakt me çdo gjë që zhvillohet në fushën e artit në Shqipëri dhe më tepër se pëlqimi i filmit do dëshiroja sinqerisht ngjalljen e debatit rreth filmit.

- A jeni të merakosur për sfidën që do të përballeni me filmat e tjerë në Shqipëri, po këtu në SHBA (e kam fjalën për filmat e shqiptarëve)?

- Jam i hapur karshi çdo diskutimi për sa i përket formës e përmbajtjes së filmit dhe mendoj se publiku shqiptar në Nju-Jorku, ngaqë kontakton çdo minutë me vlerat e jashtëzakonshme të këtij vendi, do ta ketë më të lehtë përtypjen e filmit, ngaqë, siç e theksova më lart, nuk kemi të bëjmë me një film klasik, por me një film tepër të veçantë në stil.

- A do të kemi mundësi që të shohim "Amnistinë" ndoshta pse jo në Los Angelos?

- Kompania amerikane “Golden Film Initiative”, që ka blerë filmin, ka ndërtuar një strategji të shkuarjes së filmit në mbi 30 festivale në SHBA. Mendoj se ardhja ime këtu është vetëm fillimi i një udhëtimi në SHBA, që me sa duket nuk do ketë fund. Por absolutisht shfaqja e filmit në zemrën e industrisë botërore të filmit, në Los Anxhelos, do jetë nga më të rëndësishmit për mua.

- Cila është kartëvizita “Amnistia”?

- Produksion disa vendesh, sinqeritet midis partnerëve dhe shumë punë.

- Dhe së fundi, sipas jush, cila është sot kinematografia shqiptare, filmi shqiptar dhe perspektiva e tij?

- Autorët shqiptarë duhet të mendohen gjatë përpara udhëkryqeve që kanë të bëjnë me punën e tyre si filmbërës, pra regjisorë, por edhe për format e filmave që bëjnë. Ka ardhur koha që kinematografia shqiptare të bëjë kthesën e duhur. Kemi humbur shumë kohë.

Gazeta METROPOL

KOMENTE